“Ditari i Simptomave”, mjeku i infektuar e publikon online

488
Sigal

Yale Tung Chen është njëri prej mijëra mjekëve, infermierëve dhe stafit tjetër mjekësor që është prekur nga koronavirusi në mbarë botën. 35-vjeçari që jeton dhe ushtron profesionin e tij në Madrid ka hyrë në ditën e katërt pasi analizat e nxorrën pozitiv infektimin me koronavirusin e ri.

Që prej atij momenti ai është vetëngujuar në shtëpi dhe të vetmin kontakt që ka me botën jashtë e ka përmes rrjeteve sociale, ku publikon edhe ditarin e tij të koronavirusit, duke nisur që prej ditës së parë. Ky është ditari 4-ditor i bërë publik deri më tani përmes Twitter-it nga mjeku Yale Tung Chen:

Dita e parë pas diagnostikimit me Covid 19: dhimbje fyti, dhimbje koke (e fortë!) kollë e thatë, por jo vështirësi në frymëmarrje. Mushkëritë pa anomali.

Dita e dytë pas COVID. Më pak dhimbje fyti, më pak kollë dhe dhimbje koke. Asnjë vështirësi në frymëmarrje, apo dhimbje në gjoks.

Dita e tretë. As dhimbje fyti, e as dhimbje koke. Dje ishte dita e kollës, por ende jo vështirësi në frymëmarrje, apo dhimbje gjoksi. Nisi diarreja, por kolla u qetësua disi.

Dita e katërt. Më shumë kollë dhe lodhje (shumë rëndë), por ende nuk kam vështirësi në frymëmarrje, apo dhimbje gjoksi.

Yale Tung Chen ka folur për BBC, ku thotë gëzon një shëndet të qëndrueshëm dhe i vlerëson simptomat e deritanishme si të lehta, madje edhe më të lehta se një grip sezonal që kishte kaluar vitin e kaluar.

Sa i takon vetëngujimit, mjeku shprehet se shmang pothuajse plotësisht kontaktet me gruan dhe dy fëmijët e tij, pavarësisht se jetojnë në të njëjtën shtëpi. Fatmirësisht, si gruaja ashtu edhe dy fëmijët e tij kanë rezultuar negativë nga testet e koronavirusit.