Mjeku letër të hapur ministres Manastirliu: Ndalni së bëri politikë!

633
Sigal

Nga Ilir Allkja

Të ndalim së bëri politikë, të paktën për një muaj!

Zonja Ministre, ju duhet të jeni aleatë me mjekët në këtë situatë, Ju duhet të dëgjoni zërin dhe apelin e sinqertë të një profesionisti në izolim për shkak të detyrës, si dhe thirrjet e arsyeshme për të marrë masat e nevojshme për të shpëtuar jetë njerëzore, s’di çfarë flet dhe nuk ke turp as të gënjesh publikisht apo të deformosh qëndrimet e profesionistëve për të bërë shfaqje bajate politike!

Znj. Ministre!

Dëgjoje edhe njëherë shqetësimin dhe apelin tim, dhe të lutëm thirr një specialist që të ta shpjegojë atë që kam thënë!

Në asnjë rast nuk kam deklaruar që Shërbimi i Urgjencës nuk ka veshje special, por kam thënë që ato veshje përdoren vetëm për raste që paraprakisht raportohen nga Zyra e Koordinimit të Urgjencës si të dyshuara me coronavirus.

Rastet për të cilat jam detyruar të vetëizolohem, më janë raportuar nga Njësia e Koordinimit të Urgjencës me kode neurologjike, gastrointestinale apo kardiologjike, kode që s’kanë të bëjnë me atë të coronavrusit, prandaj dhe nuk jemi pajisur me veshjen speciale për të kryer vizitën në atë rast!

Njësia e Koordinimit të Urgjencave Mjekësore e ka për detyrë që të na japë kod infektiv për këto raste!

Pasi kam shkuar në shtëpitë kam konstatuar se të sëmurët paraqitnin kollë, temperaturë e vështirësi në frymëmarrje!

Këto konsiderohen raste të dyshuara si të infektuar me coronavirus.

Për këtë arsye, apeli im ka qenë i thjeshtë dhe i qartë:

1- Njësia e Koordinimit të Urgjencave të marrë informacione më të detajuara dhe të sakta nga pacientët, të pyesë cilindo që kërkon ndihmë për temperaturë e shenja respiratore!

2- Nisur nga situata, për çdo vizitë, pavarësisht nga simptomat që raporton pacienti apo problem shëndetësor që ai dyshon që ka, stafi mjekësor duhet të shkojë në çdo rast i pajisur me veshje speciale.

Për këtë arsye, kërkohet një numër më i madh veshjes speciale.

Besoj e di, që Shërbimi i Urgjencës nuk pajisjet me veshje speciale për çdo vizitë që kryen, sepse sasia e tyre nuk është e mjaftueshme!

Për shqetësimet e mija dhe për të përmirësuar shërbimin kam komunikuar disa herë me drejtorin e Urgjencës Kombëtare, të cilat jam gati në çdo rast t’jua vë në dispozicion , por kam hasur në shurdhëri!

Znj. Ministre, ju jeni nënë dhe bashkëshorte!

Lere të lutem politikën për një moment, mendo se edhe ne mjekët, kemi fëmijë, bashkëshorte dhe motra, për pasojë duam të jemi të sigurt, të mbijetojmë, të kemi njëri tjetrin!

Apeli i një mjeku për kujdes dhe për siguri sot, është edhe apeli i një prindi, bashkëshorti , biri i një nëne dhe vëllai i motrave e vëllezërve !

Unë shpreh mirënjohje pa fund për punën e çdo kolegu, që me vetëmohim është në shërbim të çdo qytetari.

Ne jemi në mision dhe do ta kryejmë ato në çdo kohë dhe pavarësisht vështirësive.

Sot s’ka nevojë për gënjeshtra!

S’ka nevojë për luftë të pasinqertë politike!

As fajtorët nuk na duhen sot!

Sot duhet të jemi bashkë , kemi një të keqe më të zezë se sa përkatësia partiake!

Sot ka nevojë për njerëzillëk dhe përgjegjshmëri.

Faleminderit kujtdo që sot pavarësisht nga statusi shoqëror, është në mbështetje të mjekëve dhe i jep jehonë apelit të tyre të sinqertë.

Ju na mbështesni, dhe ne do jemi në gjendje të jemi në shërbimin e çdo shqiptari, që sot ka më shumë se kurrë nevojë për ne!

Të gjithë të jemi solidarë përballë epidemisë kërcënuese që kemi përreth !

Po e përsëris njërën nga fjalitë e videomesazhit, të tregohemi të mençur që sistemi të mos bjerë në kolaps nga pakujdesia apo papërgjshmëria !

Asgjë nuk rikthehet pas nëse gabojmë !

Sinqerisht, Ilir Allkja !

Mjek