Alfano: Frikë se emigrantë do zgjedhin rrugën e Adriatikut

389
Para takimit të ministrave të brendshëm të Bashkimit Europian në Bruksel, Ministri i Brendshëm i Italisë, Angelino Alfano ka deklaruar, se autoritetet italiane dhe shqiptare po bashkojnë përpjekjet për përgatitjen dhe parandalimin e një fluksi refugjatësh sirianë, afganë dhe irakenë përmes rrugës së Adriatikut nga Shqipëria në Itali.

“Puna që kemi bërë ditët e fundit me Turqinë shërben pikërisht për të evituar opsionin e rrugës së Adriatikut. Presidenti i Italisë është në kontakt me Kryeministrin e Shqipërisë dhe unë me Ministrin e Brendshëm të Shqipërisë. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë vizitoi Romën javën e shkuar dhe unë do të vizitoj Shqipërinë brenda disa ditësh, në mënyrë që të bëhen të gjitha përpjekjet për të parandaluar fluksin e refugjatëve nga Shqipëria drejt Italisë, si edhe për luftën kundër terrorrizmit.”
I pyetur për një mundësi të kalimit të 140.000 refugjatëve nga Shqipëria drejt Italisë, Alfano është shprehur se faktet nuk flasin për një evidencë të tillë.
Angelino Alfano, Ministër i Brendshëm i Italisë: “Deri në këtë moment, ne nuk e kemi këtë evidencë. Eshtë në praktikën e punës tonë që të bëjmë parashikime, por edhe të shohim realitetin. Momentalisht ne nuk e kemi këtë evidencë të këtij fluksi të madh. Llogjika na thotë, që nëse do të ketë një fluks të madh nga Turqia dhe nëse muret e vendosura përgjatë rrugës së Ballkanit do të ndërprisnin udhëtimin drejt Europës së Veriut, atëherë mund të hapej rruga e Adriatikut përmes Shqipërisë. Por këtë na e thotë llogjika dhe jo faktet, ndaj ne jemi duke punuar për të evituar këtë prezumim që mund të shkaktojë këtë gjë negative. Ne kemi një qasje konkrete për marrëveshjen midis Turqisë dhe Bashkimit Europian. Të pasurit e një qasje konkrete na bën që të themi që të ndalosh fluksin nga Turqia, do të thotë të zvogëlosh të gjithë rrezikun e krijimit të ndarjeve të tjera në Europë për shkak të rrugës së Ballkanit dhe krijimin e rrugëve të tjera si ajo nga Shqipëria.”
Sigal