A ka vërtetë gjasa që Rusia të përdorë armët kimike?

162
Sigal

Nga Frank Gardner, BBC

Presidenti amerikan Joe Biden tha se udhëheqësi rus, Vladimir Putin “e ka shpinën pas murit” dhe ekziston rreziku që ai të përdorë taktika më të rënda. Sipas tij, Rusia mund të përgatitet për të përdorur armë kimike dhe biologjike në Ukrainë.

Moska, tha ai, i ka përdorur edhe më parë. Ai po i referohej tentativës për vrasjen e dezertorit të ish-agjencisë së sigurisë KGB, Sergei Skripal në qytetin britanik të Salisbury në vitin 2018. Atëherë u përdor një agjent nervor shumë toksik, i quajtur Novichok, që ishte lyer në dorezën e derës së tij të parë nga dy oficerë të inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU.

Ekziston një ndryshim shumë i madh mes këtij mjeti shumë të rafinuar vrasjeje dhe goditjes masive me gaz të civilëve në një zonë të madhe banimi.

Kjo e fundit ishte ajo që forcat qeveritare të Sirisë përdorën në disa raste për të larguar kundërshtarët e tyre nga zonat urbane të vendit si Aleppo dhe Ghouta. Nuk ka asnjë provë që Rusia ka përdorur armët kimike në luftën civile të Sirisë, por forcat e saj ajrore sigurisht që ofruan mbështetje për forcat siriane që hodhën këto armë të ndaluara globalisht.

Rusia supozohet të ketë shkatërruar rezervat e saj të fundit të armëve kimike deri në vitin 2017.

Eksperti i armëve kimike, Hamish de Bretton-Gordon thotë se është e dyshimtë nëse Rusia ka ende rezerva të mëdha në dispozicion për përdorim në Ukrainë.

Në vend të kësaj, ai beson se forcat ruse janë mjaft të afta të organizojnë një sulm në ndonjë fabrikë industriale që lëshon një re toksike klori. Për këtë, shton ai, do të fajësoeshin më pas vetë forcat e Ukrainës.