Vullnet Skëndaj/ Ç’po ndodh me poetët e kombit?

481
Sigal

“Nëse vazhdojmë kështu, do të vijë një kohë që, jo vetëm historia e re që po përpiqen të hartojnë historianët, por edhe poetët e kombit, ata që dhanë gjithçka për të edukuar breza të vetëdijshëm me atdhedashurinë, me krenarinë e të qenit shqiptar, të zhduken, të hiqen, të fshihen nga kujtesa kombëtare.

*mësues

 Që fëmijë, bashkë me qumështin e nënave, u mësuam, nga poetët e kombit, me dashurinë e madhe e të pakrahasuar për dheun e të parëve, me krenarinë e të qenit shqiptar. Vargjet e mrekullueshme të Naimit të madh, i ngrenë peshë zemrat e bashkëkombësve tanë, kudo që janë:

“Ti Shqipëri më ep nder,

më ep emrin shqiptar”.

A ka vargje më të mrekullueshme? Ato dhe të vdekurin e ngrenë nga varri. Me vargje të tilla lapidare, u rritëm, u edukuam, u mësuam të jetojmë në cilindo cep të botës, atje ku na ka zënë halli të punojmë, të jetojmë e të mbajmë veten me shpresë, me besim për të ardhmen tonë, e të fëmijëve tanë. Por sot, në Shqipërinë e mrekullive dhe çudirave, po ndodhin bëma e ndodhira që sa vijnë e shtohen, shumohen e po na vrasin dita-ditës.

Çfarë ka ndodhur, në fakt? Duke filluar nga Abetarja e duke vazhduar deri në tekstet e shkollave të mesme, e deri tek të lartat, poetët tanë të Kombit po zhduken e shuhen një nga një në thellësinë e hapësirën e harresës e të errësirës. Në tekstet tona po mbizotërojnë heroizmat e Fatbardh Pikaloshit, Alias, Sali Berisha. Nëse para viteve ‘90-të tekstet tona ishin të tejmbushura me vijën e “fillin e kuq” të Partisë së Punës, të heroizmave të Enverit, ku ky i fundit priste me shpatë kokat e armiqve, sot kemi të njëjtën ideologji, të njëjtën politikë. Pra ku ishim, asgjëkundi?! Luftuam komunizmin dhe politizmin për të rënë akoma më keq në një neopolitizëm të ri.

Çfarë ka ndodhur e po ndodh me poetët tanë të kombit? Ata po zëvendësohen një nga një me poetucë modernistë. Ata po zëvendësohen vetëm me krijues disidente. Le t’i kthehemi fakteve…

Çajupi

E nisim me Çajupin e madh, me një poet monument të dashurisë për dheun e të parëve. Vargjet e tij edhe sot janë drithëruese e të rrëqethin me forcën e fuqinë që të japin për tokën Mëmë.

“Në ç’vend kemi lerë,

Ku na bëjnë nder?

Ku na duket balta,

Më e ëmbël se mjalta?

……………Në Shqipëri”.

Vargje të tilla të ngrenë peshë. Ato jo vetëm të bëjnë për vete, por depërtojnë në thellësinë e shpirtit, të qenies së çdo shqiptari. Krijuesi i poezive të mrekullueshme të “Baba Tomorrit”, sot në tekstet e nxënësve sa vjen e po zhduket, po harrohet. Pse? Fare thjesht, se qeveritë po i servilosen ish sundimit të mbretit Zog e mbretërisë së tij.

Çajupi i madh dhe i pakrahasueshëm si poet, si patriot i shquar, si atdhetar, ishte i tillë edhe si personalitet, si mendimtar dhe ish veprimtar i madh për çështjen kombëtare. Ai s’mund të pajtohej me vetëshpalljen e Zogut si mbret i shqiptarëve. Ndaj edhe u shpreh: “…Mbretërinë edhe ata që e kanë, po e lenë…”. Kuptohet me këto deklarime, por edhe me krijimtarinë e tij, ai nuk mund të gëzonte simpatinë e përkrahjen e mbretit Zog. Atëherë poeti i mrekullueshëm që u këndoi bukurive të Atdheut të tij, njeriut e problematikave të mëdha shoqërore, zakoneve prapanike, kurbetit etj., nuk ka se si të jetë pjesë e pandarë e edukimit të brezit të ri. Ai sapo vjen e po zhduket nga tekstet e shkollave tona, deri sa të shpallet “person non grata”. Do të thoshim, me pak fjalë: tragjike, e vajtueshme…!

Migjeni

Le t’i referohemi legjendës së letërsisë shqiptare të viteve ‘30, Migjenit-gjeni, njeriut e krijuesit meteor, që ashtu siç u shfaq befasisht në vitet e errësirës e të padijes, ashtu edhe u zhduk, e tashmë po kthehet në harresë. Fakti që pjesë e krijimtarisë së tij u bënë njerëzit e thjeshtë; lypësit, Zeneli, Luli i vocërr, malësori, Lukja, Nushi e me dhjetëra e dhjetëra portrete tipike të realitetit të kohës, nuk mund t’u lërë vend në tekstet e tanishme, për faktin e thjeshtë. Këta personazhe, këto tematika, janë aktuale me shumë se kurrë, në realitetin e shek. XXI, në vitet e demokracisë. Sa fëmijë vdesin sot si ai i skicës “Bukuria që vret”? Sa prostituta shqiptare enden semaforëve të vendeve të botës? Sa malësorë bëhen më servilë se ai i Migjenit për të mbijetuar në realitetin e sotëm? Sa lypsa shtrijnë duart e mpira… në cepa trotuaresh e rrugësh? Migjeni i madh nuk pati asgjë të përbashkët me sundimtarët e viteve ‘30. E si mund të ushqehen fëmijët e sotëm me krijimtarinë e poetit? Si mund të mbajnë në tekstet shkollore gjithë skicat, tregimet, novelat? Jeta e gjeniut të madh u shua si kandili i Naimit. Ai krijoi për popullin e thjeshtë, jo për oborrin mbretëror, si e tillë këto qeveri servile, që i lëpihen familjes mbretërore, si ato konet e rrugëve, nuk ka se si të lejojnë botimin e mësimin e “Vargjeve të Lira”.

Noli

Po t’i referohemi krijimtarisë së F.S. Nolit, kuptohet se armiqësia e urrejtja e kalemxhinjve është një uragan i vërtetë. Ata në asnjë mënyrë nuk mund të pranojnë një armik, një kundërshtar politik të kalibrit të Nolit të jetë pjesë e edukimit të nxënësve në shkollat tona. Se cili është Noli dhe çfarë ka bërë ai, jo vetëm si udhëheqës shteti, por edhe si përkthyes i kryeveprave botërore të letërsisë, si krijues, si historian, si muzikolog, si klerik, këtë e dinë ata që e kanë njohur mirë veprën dhe krijimtarinë e tij. Noli është udhëheqës i së parës qeveri demokratike shqiptare. Se çfarë ka bërë ai për çështjen kombëtare është çimentuar thellë jo vetëm në historinë e kombit e të vendit tonë, por edhe në kujtesën e ndërgjegjen e patriotëve të shquar të kohës.

Ai nuk mund të pajtohej as me vrasjet e pabesa të shokëve, luftëtarëve e njerëzve të shquar të kombit shqiptar si Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Avni Rustemit, Luigj Gurakuqit, etj.. Ai i përjetësoi këto figura në poezinë elegji, ku vajtoi me dhimbje humbjen e tyre si njerëz të shquar të kombit shqiptar. Si mund të vlerësohet gjesti dhe akti burrëror i një djali të Libohovës ku në mes të Parisit vrau tradhtarin Esat Pashë Toptanin? Si mund të edukohet ky brez me poezitë e mrekullueshme të Nolit “Anës lumenjve”, “Marshi i Barabait”, “Krishti me kamzhik”. “Shën Pjetri në mangall”, “Syrgjyn vdekur”, “Shpellë e Dragobisë”, të cilat janë edhe sot më tepër se kurrë aktuale. Mjafton që Noli cilësohet armik i betuar i mbretit Zog për ta fshirë atë njëherë e mirë jo vetëm nga historia, por edhe për ta injoruar si krijues, si poet, si historian, si burrë shteti, si klerik apo si përkthyes. Këta myteberë e servilë të fëlliqur, harrojnë se, edhe sot e kësaj dite, kryevepra nga letërsia botërore si tragjeditë e Shekspirit, dramat e Ibsenit, “Don Kishotin” e Servantesit e deri në poezinë e Longfellout, janë thesarë të paçmuar në fondin shqip të letërsisë së huaj. Ata harrojnë se vargjet e mrekullueshme për Flamurin shqiptar “O flamur, o gjak, o flamur, o shkabë…” janë vargje lapidare që nuk mund të vdesin e harrohen kurrë. Dhe sot kalemxhinjtë servilë guxojnë ta fshijnë nga fondi i letërsisë shqipe, nga tekstet shkollore, vetëm me një të rënë të lapsit të Saliut.

Asdreni

Të njëjtin fat ka edhe një poet tjetër i çështjes sonë kombëtare. Ai është Aleksandër Stavër Drenova, ose i quajtur ndryshe Asdreni. Një njeri i madh, një krijues, një poet, një atdhetar dhe patriot i shquar që ia kushtoi gjithë jetën e vet çështjes kombëtare. Ai punoi e jetoi në mërgim, ashtu si qindra e mijëra shqiptarë të tjerë që patën fatin e keq të mërgojë në vende të huaja për të mbijetuar. Krijimet e Asdrenit si “Rreze Dielli”, “Psallme murgu”, Ëndrra e lot”, kanë qenë e mbeten një thesar i paçmuar i fondit të artë të krijuesve tanë të krijimtarisë. Poet me zemër të madhe, me një botë reflektuese ndjenjash ai i këndoi në krijimtarinë e tij jo vetëm natyrës, stinëve, por edhe halleve e plagëve të mëdha të shoqërisë e jetës shqiptare. Ai stigmatizoi baballarët e kombit atje në parlamentin shqiptar, u çori maskën e nxori ashtu siç ishin në të vërtetë duke i quajtur “gjarpërinj”. (Poezia “Krerëve tradhtarë”).

Asdreni njihet edhe si themelues i himnit tonë kombëtar, pa lënë pas dore kontributin e tij të shquar në koloninë shqiptare të Bukureshtit, në ndihmesën e librave e botimeve shqip. Një njeri që u end në kalvarin e vuajtjeve e mjerimit që jetoi midis vargjeve dhe dedikimeve për fashizmin e vargjeve për lulëkuqen. Po ky njeri e patriot i madh, njeriu i një arti të jashtëzakonshëm, me një figuracion të mrekullueshëm, gjendet i vdekur në vitin 1947 në një lulishte të Bukureshtit. E rëndësishme është se sot edhe ky poet i madh, kjo zemër e pakënaqur nga padrejtësia e kohës, një vërejtës e kritik i madh i viteve të sundimit të Zogut, po përçmohet dhe është pothuajse i fshirë nga tekstet shkollore. Në se vazhdojmë kështu, do të vijë një kohë që jo vetëm historia e re që po përpiqet të hartojnë historianët, por edhe poetët e kombit, ata që dhanë gjithçka për të edukuar breza të vetëdijshëm me atdhedashurinë, me krenarinë e të qenit shqiptar, të zhduken, të hiqen, të fshihen nga kujtesa kombëtare.