Provimi i shtetit, Harizaj: Kalueshmëria e mësuesve të rinj 60 përqind

437
Sigal

Provimi i shtetit është kthyer në të vetmin filtër që seleksionon profesionistët e rinj. Kështu ka ndodhur edhe me studentët e rinj, të cilët diplomohen në mësuesi, por që për ta ushtruar profesionin e arsimtarit duhet që më parë të rezultojnë kalues në provimin e shtetit. Nga 667 kandidatë që morën pjesë në provimin e parë të shtetit për këtë profesion, rreth 40 përqind e tyre nuk kanë mundur të kapin pragun minimal të pikëve, pra kanë mbetur në provimin e parë të shtetit, duke mos pasur kështu mundësi të ushtrojnë këtë profesion në sezonin e ri shkollor. Sipas drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, pjesëmarrja në testim është rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. “U regjistruan 777 kandidatë dhe morën pjesë në provim 667 kandidatë, nga të cilët 60 % u vlerësuan me notë pozitive, ndërsa 40 për qind nuk e kaluan testin”, – shpjegon Harizaj. Sipas tij, kandidatët ngelës të këtij sezoni, mund të futen në provim shteti sërish në muajin dhjetor, ku mund t’i nënshtrohen ritestimit. Ata kanë të drejtë të testohen deri në 5 herë.