Prof. Dr. Dhori Kule: Handikapi për pagesat e pedagogëve. Orët e mësimit paguhen me çmime të ndryshme

622
Sigal

Flet Prof. Dr. Dhori Kule, Rektori i Universitetit të Tiranës: Mësimdhënia në gjuhën angleze, sfida e radhës për Universitetin e Tiranës

Akreditimi nga një agjenci e huaj e universiteteve publike dhe jopublike, puna që po bëhet nga grupi i punës i Universitetit të Tiranës për të paraqitur vizionin e vet, përsa i përket mënyrës eficente të financimit të arsimit të lartë në konferencën e Janarit, matura, cilësia e studentëve dhe e universiteteve si dhe mundësia për rikthimin e fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës janë rrëfyer në një intervistë për gazetën “Telegraf”, nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule. Me shqetësimin dhe njohjen që mund ta ketë vetëm një drejtues prej vitesh, prof. Kule parashtron të gjitha problematikat dhe sfidat në të cilat gjendet sistemi ynë arsimor.

Profesor të flasim për takimin ndërmjet rektorëve dhe Ministres së Arsimit znj. Lindita Nikolla. Çfarë mund të na thoni më shumë rreth këtij takimi?

Ditën e shtunë, Ministrja e Arsimit së bashku me ekipin drejtues organizoi një takim me rektorët e universiteteve publike dhe takimi ishte fokusuar në problematikat që arsimi i lartë ka dhe kryesisht, me prioritetin që ka arsimi i lartë, cilësinë. Pra, ofrimin e standardeve cilësore në përputhje me kërkesat që ka arsimi evropian, ku së shpejti Shqipëria do të bëhet pjesë e këtij tregu në të gjitha pikëpamjet, kështu që, arsimin e kemi të domosdoshme dhe të nevojshme ta kemi me këto parametra. Dy ishin shtyllat kryesore që unë i vlerësova. Së pari, është problemi i asaj që të paktën Universiteti i Tiranës ka kohë që e kërkon dhe ka mbështetjen edhe të universiteteve të tjera, problemi i akreditimit të universiteteve publike dhe private, akreditim nga agjenci e huaj. Ky ishte një prezantim dhe një ofertë që Ministria e Arsimit e bëri.

Ky është riakreditim?

Akreditimi i universiteteve nga agjenci të huaja është domosdoshmëri për t’u bërë, pasi me institucionet vendase e kanë automatikisht këtë akreditim, se fondet, kuotat, pedagogët, çdo gjë, miratohen nga qeveria, por nevoja për t’u akredituar me parametrat europianë, tashmë, është konturuar si domosdoshmëri dhe është vlerësuar nga Ministria e Arsimit. Na komunikuan që janë në tratativa me një agjenci të huaj akreditimi, nga këto të specializuarat, e cila njëkohësisht do të ndikojë dhe të ndihmojë në formatimin e kapaciteteve tona akredituese. Pra, do të jetë një trajnim dhe për agjencinë tonë të akreditimit, pa e nënvlerësuar atë, por tashmë e dimë se nuk ka eksperiencë në këtë fushë, duke eliminuar dhe subjektivizmin. Në këtë pikë, kuptohet, do të akreditohen universitetet veç, shkollat e larta veç, sepse është hapur ideja që janë të gjitha universitete. Jo të gjitha janë universitete. Sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, universitete janë vetëm ato institucione të arsimit të lartë që ofrojnë tre cikle studimi, të gjitha të tjerat janë shkolla të larta. Pra, akreditimi është i domosdoshëm për të gjithë ne që merremi me shërbimin e arsimit të lartë, publik dhe jopublik, në mënyrë që të verifikojmë vetveten, të verifikojmë se çfarë institucionesh të ndryshme duhet të përmirësojmë dhe kjo ishte pika e parë që vlerësuam dhe kërkuam që sa më shpejt të bëhet ky akreditim.

Po më tej?

Pastaj, problem tjetër i rëndësishëm është problemi i financimit. Edhe këtu vlerësova faktin që Ministria e Arsimit, tashmë, duke ruajtur autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, na prezantoi tezat që lidhen me problemet e financimit të arsimit të lartë dhe në muajin Janar është parashikuar të bëhet një konferencë, ku secili universitet do të paraqesë vizionin e vet, përsa i përket mënyrës eficente të financimit të arsimit të lartë. Ne, si Universitet i Tiranës, kemi ngritur një grup pune me përfaqësues nga çdo fakultet, me prioritet specialistët që kanë punuar në këtë fushë, ata të Fakultetit të Ekonomisë dhe Jurisprudencës dhe po përgatitim variantin dhe projektin tonë që do ta paraqesim në konferencën e Janarit, ku do të ballafaqojmë edhe sugjerimet e universiteteve të tjera publike dhe jopublike, në mënyrë që të gjendet formati më efektiv, përsa i përket financimit të arsimit të lartë. Më vjen mirë, që edhe në këtë pikë ideja është që të merren mendimet e universiteteve. Ne i kemi parë mënyrën sesi financohen universitetet e mira në Europë dhe më gjerë.

Pra, ju jeni dakord që financimi të bëhet në bazë të performancës?

Pra, financimi  i universiteteve do të bëhet në bazë të performancës. Ne do të ftojmë në këtë diskutim të gjithë aktorët brenda universitete, jo vetëm stafin pedagogjik, por edhe studentët, pasi duke qenë se arsimi i lartë është një e mirë publike, me përfitime nga individi, pavarësisht se ku e  merr në publik, apo në privat, detyrimi për të kontribuar nga individi për këtë përfitim është domosdoshmëri. Pra, kontributi, sepse i arsimuari, ai që merr një diplomë të arsimit të lartë, në krahasim me dikë që nuk e ka këtë mundësi krijon një status tjetër në shoqëri, një mundësi për të ardhura më të mëdha dhe nga kjo pikëpamje, e gjithë situata i bën mirë në tërësi shoqërisë, por ka dhe një përfitim për veten dhe familjen e tij. Parimi kudo në botë është që ai duhet të jetë kontribues nga përfitimi që merr, ndaj dhe përdorimi i buxheteve kalon në struktura kolegjiale, ku janë dhe studentët, pra, kalojnë në Senat, në Këshillin e Administrimit dhe gjithçka merr propozimin edhe miratimin e këtyre strukturave kolegjiale. Megjithatë, përdorimi i buxhetit nga universitetet do të parashikohet që të jetë sa më transparent dhe raportues, qoftë te publiku, qoftë te strukturat e shtetit, por gjithmonë në funksion të performancës dhe të cilësisë së produktit, cilësisë së autputit. Ajo që është minimalisht e domosdoshme në institucionet publike të arsimit të lartë është domosdoshmëri pagesa e stafit të vet. Në universitete, në tre ciklet e studimit të tyre, për ato që kanë tre cikle studimi, kryhet një volum punë nga stafet pedagogjike, një volum i normuar, i matshëm dhe kjo punë me tarifat përkatëse që ka vendosur qeveria duhet të paguhet, pra ky është detyrim që shteti e ka ndaj punës në çdo ndërmarrje, në çdo institucion, në çdo sipërmarrje. Në universitete tona kemi një handikap nga kjo pikëpamje.

Çfarë është ky handikap?

Në Universitetin e Tiranës (ky fenomen është në të gjithë universitetet publike) në vitin e kaluar kryenim një volum pune prej 600 mijë orësh mësimi, nga të cilat stafi akademik i brendshëm me normat përkatëse përballonte vetëm 220 mijë orë, shteti përballonte dhe paguan vetëm atë 40% -sh të volumit të punës që bëhet. Pjesa tjetër e volumit të punës, punës së njëjtë, paguhet me të ardhurat dytësore, por me çmime shumë të ndryshme, pra ka një handikap ekonomik. Pra, nëse një profesor e ka ngarkesën mësimore në auditor 300 orë dhe bën 310, 300 orët e para atij i llogariten me një çmim përkatës në bazë të pagës që merr, ndërsa ora e 301-të, që në cilësi është njësoj me orën e 300-të, i paguhet me një çmim 7 herë më të ulët. Ky handikap duhet rregulluar dhe nga kjo pikëpamje do të duhet që vlerësimi i punës në të gjitha nivelet e veta, në të gjithë masën duhet të paguhet njësoj. Kjo ka dy mënyra; ose do të plotësohet e gjithë me staf akademik të brendshëm dhe rruga më korrekte është që, në bazë të volumit të punës, të paktën 80% të ngarkesës ta plotësosh me staf akademik, gjë që do të thotë që ne duhet të dyfishojmë stafin e brendshëm; ose për tejkalimet e ngarkesave me stafin e kualifikuar që ke, t’i vlerësosh tejkalimet njësoj sikurse paguhet pjesa e ngarkesës normale. Këto janë disa nga problemet që janë shfaqur deri tani, por skemën, se çfarë propozojmë dhe sugjerojmë për financimin në arsimin e lartë, do ta bëjmë të plotë, do ta diskutojmë me strukturat tona dhe do ta paraqesim në konferencën e Janarit që Ministria e Arsimit do të organizojë. Unë e vlerësoj si Rektor i Universitetit të Tiranës këtë iniciativë dhe besoj e shpresoj që aktet nënligjore dhe buxhetimi i universiteteve do të bëhet në funksion të performancës dhe cilësisë së autputit që ne realizojmë.

Cilat janë sfidat me të cilat po përballet arsimi i lartë?

Ne, që merremi me arsimin, i dimë se cilat janë problemet që na janë krijuar dhe po e filloj me hyrjen në universitet. Tashmë, ka kohë procesi i diskutimit nëse Matura Shtetërore krijoi performancë pozitive apo jo. Në gjykimin tim, Matura Shtetërore na deformoi procesin e pranimeve në universitet. E kam theksuar shpesh që nuk ka asnjë universitet publik që i shkon mendja ti rikthehet logjikës së konkurseve të para Maturës Shtetërore. Ne duhet t’i kthehemi logjikës së pranimeve që ka gjithë Europa e zhvilluar. Tashmë të gjithë ata që kanë kaluar Maturën Shtetërore, ata që kanë pasur fëmijët dhe vetë maturantët kanë ndier se ka një defekt në funksionimin e saj. Cili është defekti? Është zëvendësuar mësuesi me policin. Arsimi në qendër të vet ka mësuesin. Matura Shtetërore i dha më shumë peshë policit sesa mësuesit, pra, më shumë peshë kontrollit në fund, sesa punës gjatë kohës. Dhe është krijuar një situatë e tillë në shkollat e mesme që maturantët po merren më shumë me lëndët e provimit të Maturës Shtetërore, pasi një provim i Maturës Shtetërore, për të ardhur në shkollë të lartë, është i barabartë në vlerësim me të gjitha notat e kurrikulës së shkollës së mesme. Ne e kemi ndjerë si universitet, që në lëndët që nuk janë pjesë e maturës shtetërore, ka një rënie të cilësisë së studentëve. Formatet sesi duhen bërë pranimet janë të thjeshta, të qarta. Ka nevojë për një zbritje graduale duke i dhënë shkollës së mesme peshën dhe impaktin për punën që duhet të bëjë. Këtu është roli i Ministrisë së Arsimit që të merret me shkollat e mesme për të parë nëse e ka stafin cilësor dhe të mos pritet në fund, se në qoftë se matematikën në shkollë të mesme e jep mësuesi i fizkulturës, atëherë është e qartë që nuk do të presësh produkt cilësor. Tërë këto vite janë verifikuar që ka pasur defekte, vetë Ministria e Arsimit ka deklaruar gjatë këtyre viteve që ka pasur kopje, pra, kjo është e qartë. Unë, si drejtues, që kam tërë jetën që merrem me arsimin, e di shumë mirë që është e paadministrueshme, nga pikëpamja e provimeve të maturës shtetërore për formën që bëhen, të mos çedojë në administrim dhe të mos futet kopja e verifikuar si maja e ajsbergut, aq sa verifikohet. Unë e theksoj dhe një herë, më e rëndësishmja është që duhet ti japim impaktin shkollës së mesme që të maturohen me kurrikulin e vet. Ne do të japim idetë tona në mënyrë që të shkëputet pranimi në universitet nga Matura. Matura të jetë pjesë e mbylljes e ciklit të parë, ndërsa pranimet në universitet të bëhen me logjikën e pranimeve, siç i bën gjithë bota, sipas kërkesave dhe prirjeve të degëve të ndryshme, me grup lëndësh, pra ka formula shumë më të mira, përsa i përket impaktit pozitiv në shkollat e mesme dhe pranimeve efektive në shkollat e larta të vendit tonë. Ky është fenomen që lidhet me pranimet, se kur vjen lënda e parë e mirë, atëherë universitetet kanë me se të punojnë.

Si rrjedhojë e Maturës vjen dhe sfida e radhës besoj, cilësia?

Sfida bazë, pastaj, është sfida e cilësisë. Për të gjykuar në kemi universitet të mirë apo jo, vlerësohet nga fakti se cilët janë komponentët që përbëjnë këtë sipërmarrje; stafi i mirë, studentët e mirë, literatura e mirë. Shpesh diskutohet për kurrikulat e mira, po kurrikulat janë më të thjeshta nga pikëpamja e formatimit të tyre, se merr një kurrikul të gatshëm të një universiteti të caktuar, por implementimi kërkon staf të mirë dhe literaturë të mirë. Në fakt Universiteti i Tiranës ka një staf të mirë dhe prurjet janë të tilla që kualifikohen cilësisht, përpiqemi dhe kemi marrë një iniciativë të rëndësishme që tekstet bazike të fakulteteve të ndryshme, të përkthyera nga institucione të ndryshme (për fat të mirë në fushën e ekonomisë po përkthehen tekste bazë që i përdorin universitete të shquara në botë), t’i bëjmë pjesë të detyrueshme të teksteve që përdoren në fakultetet tona. Ne kemi pasur një përvojë të mirë në Fakultetin e Ekonomisë, me mbështetjen e USAID-it u përkthyen7-8 tekste bazë dhe e ndjejmë sesa e rëndësishme është kur ke tekst të mirë. I vlerësoj të gjithë ata që kanë marrë të drejtat e botimit të gjitha teksteve të mira dhe kanë bërë përkthimet e tyre dhe tashmë jemi duke rakorduar që t’i fusim  në proces mësimor këto tekste në të gjitha fakultetet. Gjithashtu mësimdhënia në gjuhën angleze është pjesë e sfidës që e  kemi në proces. Në fakultetet tona rreth 30% e stafit akademik është i gatshëm ta japë mësimin drejtpërdrejtë në anglisht, tashmë që njihet përmirësimi i njohjes së studentëve tanë të gjuhës angleze. Do të përpiqemi këtë vit t’i krijojmë grupet e mësimit dhe mësimdhënies në gjuhën angleze, në mënyrë që të krijohet hapësira dhe mundësia që të kemi mobilitet  të studentëve nga universitetet e huaja.

Në cili nivel do të fillojë mësimdhënia në gjuhë të huaj?

Që në nivelin Bachelor, kemi parashikuar module të caktuara dhe lëndë të caktuara, të cilat janë të lidhura dhe me aftësinë e pedagogëve tanë për ta dhënë drejtpërdrejtë në gjuhën anglisht, por dhe aftësinë e studentëve tanë për ta përthithur. Është një sfidë e tillë. Ndërkohë, Universiteti i  Tiranës ka dhe shumë marrëdhënie, marrëveshje dhe projekte me universitete të huaja, një prej  të cilave dhe më e rëndësishmja është dhe vlerësimi që është bërë në projektin e Erasmus Mundus i Universitetit të Tiranës si bashkëpartner me Universitetin e Grazit në Austri. Është ndër rastet e rralla që një universitet i ish vendeve komuniste vlerësohet si i barabartë me një universitet perëndimor. Kjo është një përgjegjësi dhe vlerësim i madh për ne, projekte nga të cilat përfitojnë shumë studentët e pedagogët tanë. Pra, me pak fjalë, sfida në vazhdim është sfida e standardeve cilësore për të patur një autput sa më të absorbueshëm nga tregu dhe për këtë qëllim ne kemi krijuar edhe një strukturë tjetër shumë të rëndësishme që janë zyrat e karrierës; në Fakultetin Ekonomik me mbështetjen e USAID-it, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës nga Ambasada Franceze. Pra, në bashkëpunim me aktorë ndërkombëtarë që na mbështesin ne kemi krijuar dhe strukturën e zyrave të karrierës, të cilat janë urat lidhëse të shkollës me tregun e punës, të shkollës me universitete të tjera europiane.

Fakulteti i Mjekësisë duhet të rikthehet në vendin e vet, në Universitetin e Tiranës

Përsa i përket problemit të Fakultetit të Mjekësisë, është krijuar një ngërç. Dihet që Universiteti i Tiranës nuk ka qenë dakord me ndarjen e Fakultetit të Mjekësisë. Çfarë po ndodh, si është më e mira për zgjidhjen e këtij ngërçi?

Tani, përsa i përket vendimit të ndarjes, unë jam rezervuar të shprehem, por veprimet i kemi bërë nga pikëpamja institucionale. Në momentin që erdhi një kërkesë për të bërë ndarjen, unë me përgjegjësinë që më takon si Rektor i Universitetit të Tiranës, ngrita një grup pune specialistësh nga fusha e mjekësisë, të cilët përgatitën edhe një material. Tashmë është bërë dhe publik dhe aty nuk ka asnjë rresht, ku të gjesh një justifikim për ndarjen e Fakultetit të Mjekësisë në universitet  më vete. Praktikat që ekzistojnë janë joefektive, e vetmja praktikë perëndimore që vlerësohej në atë periudhë si efektive ishte praktika austriake, por që edhe ajo konsiderohet si e dështuar dhe në fakt, ishte një cenim i integritetit të Universitetit të Tiranës. Ajo që vërehet sot në arsimin e lartë si prirje është dukuria e bashkimit të universiteteve, jo e ndarjes. Kemi qenë parvjet me ish Ministrin e Arsimit në një konferencë të Bankës Botërore në Budva, ku u prezantua analiza e saktë që i kishin bërë ekpertët e Bankës Botërore fenomeneve të optimizimit dhe efektivitetit të universiteteve dhe përligjej dukuria e bashkimit. Madje, unë kam përmendur shpesh që edhe ndarja që i është bërë Universitetit të Tiranës në vitin ‘91 ka qenë ndarje për motive politike, jo për qëllime akademike. Do ta gjykoja më efektive kthimin në strukturë, pasi edhe në momentin që është marrë vendimi, Senati i Universitetit të Tiranës nuk e shprehu, (ligji e kërkonte që të shprehej Senati), vendimi është marrë edhe pa e pasur këtë element. Verifikohet, që jo për efekt të cilësisë së drejtuesve, vetë sistemi nuk funksionon. Aty dhe po të dërgosh një drejtues të Harvardit përsëri, për sa kohë është verifikuar në Austri, ku nuk ka probleme të cilësisë së drejtuesve dhe kanë rënë në rankim që kur u krijuan më vete, tregoi që nuk është faj drejtimi dhe drejtuesish, është problem sistemi dhe ky sistem duhet korrigjuar. Për mua, sugjerimi im në funksion të së mirës të përgatitjes së mjekëve, sepse atje shkojnë maturantët më të mirë të Shqipërisë, është që të rikthehet në vendin që i takon, të bëhet pjesë integrale e universitetit me të cilin ka historinë, ka thelbin, i ka të gjitha lidhjet e veta dhe patjetër ky ka qenë gjatë gjithë kohës dhe opinioni i Senatit të Universitetit të Tiranës. E ndjej që po ky qëndrim është, asnjëherë nuk kam gjetur dot arsyetim për ndarje, pavarësisht momentit, lobingjeve, të cilat u konfirmuan, e drejta ishte me argumentin që ka bërë vetë profesorati i Fakultetit të Mjekësisë dhe vetë situata e funksionimit të fakulteteve të mjekësisë kudo në botën e zhvilluar.

Faktikisht, atje po çalohet financiarisht…

Nuk është vetëm problemi i financimit. I kam ndjekur me shqetësimin dhe interesimin e një pjese që e konsideroj si tonën, problemi aty është që është bërë një shkëputje e paargumentuar, një shkëputje që nuk funksionon dot ashtu dhe argumenti që kanë sjellë vetë anëtarët e grupit të punës është i plotë në logjikë, pra ishte një ndarje që nuk justifikohej dhe nuk ka për ta justifikuar asnjëherë veten.

Pra, ju jeni për rikthimin e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës?

Patjetër, jam për korrigjimin e asaj çka ndodhi, pavarësisht nga interesat që mund të kenë individë të caktuar. Këtu nuk është problemi i interesave individuale, këtu duhet të vihet në themel interesi i funksionimit të edukimit në fushat  e mjekësisë dhe shkencave mjekësore teknike me degët e veta përkatëse, pasi është një lidhje organike e komunikimit me të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës dhe ajo ndarje arbitrare nuk më duket e justifikueshme.

Mesa di unë Fakulteti i Mjekësisë përdorte laboratorët e Shkencave të Natyrës…

Ka shumë, se edhe po ti krijojnë laboratorët, është fenomen që nuk e gjen. Po të ishte se funksiononin më mirë më vete, do ta kishte bërë bota para nesh. Bota e zhvilluar i ka gjetur zgjidhjet më efektive, më korrekte përsa i përket këtij edukimi. E ka vendin në Universitetin e Tiranës, këtu duhet të rikthehet dhe besoj se do të korrigjohet ai vendim.