Miratohen 10 045 kuotat e studimit më kohë të pjesshme, ja kategoritë që përfshihen

459
Sigal

Vendimi/Këshilli i Ministrave miraton kuotat e studimit për të gjitha kategoritë për universitetet publike

Këshilli i Ministrave miratoi ditën djeshme kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë për studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, në vitin akademik 2012-2013. Vendimi parashikon që kuotat e pranimeve në këto institucione të jenë 10 045 kuota, duke u rritur me 695 kuota më shumë se viti i kaluar akademik. Për aplikantët nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Malit të Zi, nga Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës janë parashikuar 400 kuota në vitin akademik 2012-2013. Për ish të përndjekurit politikë, për të verbrit, komunitetin rom dhe ballkano-egjiptian janë planifikuar të jepen kuota të veçanta pranimi, në programe të ndryshme studimi të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe të edukimit në distancë. Në shpërndarjen e kuotave të pranimit në vendim janë reflektuar të gjitha propozimet e institucioneve publike të arsimit të lartë. Tarifat e shkollimit për të gjitha programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, për vitin akademik 2012-2013, të përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Numri i kuotave sipas kategorive

1.Kuotat e përgjithshme të pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, për vitin akademik 2012-2013,  të jenë 10 045, të cilat ndahen, si më poshtë vijon:

a)Kuotat  e pranimeve të reja, në programet e studimit          9165

të ciklit të parë, më kohë të pjesshme,

b)Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit           40

të ciklit të parë, të edukimit në distancë

c)Kuotat për transferim studimesh                            200

ç)Kuota për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit        400

d)Kuota për personat që nuk shikojnë                         20

e)Kuota për romët/ ballkano-egjiptianë                             20

ë)Kuota për të përndjekurit politikë                                 150

f)Kuota për shtetasit e  huaj                                      50

  MASH: 9-10 Gusht 2012, mundësia e dytë për të plotësuar Formularin A2

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ditën e djeshme në një njoftim për shtyp ka bërë të ditur datën që duhet të paraqiten maturantët që nuk plotësuan Formularin A2 në fazën e parë për arsye të ndryshme. Në njoftimin e ministrisë thuhet se “Të gjithë  maturantët  që nuk kanë aplikuar on-line për Formularin A2 në ditën e planifikuar  të paraqiten pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve për të kryer aplikimin on-line”. Nxënësit duhet të paraqiten ditën e enjte ose të premte, datë 9-10 Gusht 2012 nga ora 08:30 deri më 16:30. Maturantët duhet të këtë me vete kartën e identitetit si dhe certifikatën e notave të lëshuar nga shkolla.