Provimi i Shtetit, përcaktohen datat për mjekët dhe stomatologët, rregullat dhe kriteret

1440
Sigal

Formulari i aplikimit, dosja e plotë me dokumentet  për aplikantët që marrin pjesë për herë të parë

Janë publikuar datat e Provimit të Shtetit për mjekët dhe stomatologët. Sipas burimeve pranë Provimeve të Shtetit datat e provimeve për profesionet e fushës së mjekësisë do të zhvillohen nga data 2 maj deri në 22 maj. Provimeve të Shtetit që do të zhvillohen në muajin maj do i nënshtrohen personat e diplomuar në fushën e mjekësisë në degët: Mjekësi, Stomatologji, Farmaci. Po kështu, i nënshtrohen kandidatët, të cilët diplomohen në të gjitha fakultetet e Infermierisë, përfshirë këtu Institucionet e Arsimit të Lartë Publik dhe Privat, në degët: Infermieri e Përgjithshme, Mami, Fizioterapi, Imazheri, Logopedi dhe Teknik Laboratori. Gjithashtu, këtë vit është zhvilluar, për herë të parë, Provimi i Shtetit për të diplomuarit në mësuesi.

Dokumentet që duhen për provim

Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Personat që do të marrin pjesë duhet të jenë pranë ambienteve, ku do të zhvillohet provimi 30 minuta përpara. Kandidatët duhet të kenë me vete këto dokumente:

-Kartën e identitetit ose një fotokopje të saj

-mandat pagesën e tarifës së provimit të shtetit dhe faturën e publikuar nga AKP

Personat që duhet të paraqiten për provim duhet të kenë verifikuar emrin dhe orën e provimit.

Rregullat e regjistrimit për mjekët

Ndërkohë që për të shkuar në Provimin e Shtetit mjekët duhet të kenë plotësuar edhe disa rregulla. Sa u përket të diplomuarve në mjekësi, Urdhri i Mjekëve ka publikuar edhe rregullat që duhen ndjekur nga kandidatët për t’u regjistruar në këtë sesion provimesh. Konkretisht, në mbështetje të ligjit 10171, datë 22.10.2009, “Për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar dhe të Rregullores së Provimit të Shtetit”, deri më 11 prill 2013, pranë zyrave të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve fillon regjistrimi zyrtar për Provimin e Shtetit.

Dokumentet që duhen dorëzuar për regjistrim

Sipas Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, lista e dokumenteve që i bashkëngjitet kërkesës për regjistrim për Provimin e Shtetit (për Mjekët e Përgjithshëm dhe Mjekët Stomatologë) në Këshillin Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë janë: Kërkesë me shkrim për regjistrim (kjo kërkesë behet nga kandidati, në Format A4 me kompjuter); Formulari i Aplikimit (shkarkohet ne faqen e internetit www.urdhrimjekëve.org.al); Fotokopje e letërnjoftimit; Fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare; Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës, e lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë, në mungesë të tij lista e notave e noterizuar; Dorëzimi i librezës së Praktikës Profesionale (e plotësuar) lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë; Raporti mjeko-ligjor; Dëshmi penaliteti; Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale; 2 fotografi të formatit të pasaportës. Kandidatët që iu nënshtruan testit kohë më parë, të cilët nuk u kualifikuan. Burime pranë Urdhrit të Mjekëve konfirmojnë se në këtë sesion pjesëmarrës në provim mund të jenë edhe kandidatët që iu nënshtruan provimit në sesionet e mëparshme, por që nuk u kualifikuan. Për të gjithë ata që janë regjistruar zyrtarisht për Provimin e Shtetit në sezonet e mëparshme dhe nuk kanë mundur ta marrin atë dhe dëshirojnë të futen në provimin e ardhshëm, do të rinovojnë vetëm këto dokumente:

– Dëshmi Penaliteti;

– Raportin mjeko-ligjor;

– Vërtetimin nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale.

“Suplementi i diplomës, nëse nuk do të dorëzohet në momentin e regjistrimit zyrtar për Provimin e Shtetit, do të dorëzohet në momentin e marrjes së Licencës nga Urdhri i Mjekëve. Hyjnë në Provimin e Shtetit të gjithë mjekët/stomatologët e diplomuar që janë regjistruar provizorisht tek Këshilli Kombëtar dhe kanë përfunduar praktikën profesionale deri në datë 11 prill 2013, të parashikuar në rregulloret e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë”,- thonë specialistët pranë Urdhrit të Mjekëve.