Ëngjëll Musai: Koha të rihapen dosjet e abuzimeve në UT

1247
Sigal

Rasti i denoncuar me fakte nga studentët përbën, jo vetëm një shqetësim për ta dhe familjet e tyre që paguajnë miliona për shkollimin, edhe pse shkollat quhen publike dhe mbahen nga taksapaguesit, por mbi të gjitha meriton vëmendjen e institucioneve shtetërore. Është detyrë e krimit ekonomik, organeve tatimore, atyre të kontrollit shtetëror dhe, mbi të gjitha, e Prokurorisë shqiptare që pa humbur kohë të nisin hetimet për procedurat e prokurimit të këtij sistemi, fituesit e saj, kushtet e kontratës, garancinë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore ish-anëtarët e komisionit të tenderit dhe Kryetarin e Entit Prokurues ,ish – Rektorin, Dekanët dhe kancelarët që kanë marrë në dorëzim këtë produkt. Duhet thënë se ky shqetësim i studentëve nuk është i sotëm por i hershëm, madje qindra dhe mijëra studentë kanë mbetur të paregjistruar në provime me justifikimin se nuk e ka marrë sistemi edhe pse ata kanë qenë të regjistruar apo nuk u ka dalë nota me të njëjtin argument, dhe kjo ka ndodhur që në fillimet e vënies në funksion të këtij sistemi të dështuar ose “vjeshtak”. Mendojmë se janë disa arsye që ndodhemi në këtë situatë, ose prokurimi është i pa garantuar dhe certifikuar dhe pas saj mendojmë se fshihen ‘pazaret’ e pista me ish-drejtuesit e rektoratit, ose bëhet qëllimisht për të futur në kaos arsimin dhe të detyrojnë studentët të paguajnë, ose për t’i dhënë suport pedagogëve dhe sekretarive që të “qaheshin” tek shefat e katedrave apo dekanët. Do të ishte në nderin e Ministrisë së Arsimit që të niste edhe ajo nga ana tjetër fillimin e kontrolleve audituese për të vënë para përgjegjësisë cilindo që ka abuzuar me paratë e taksapaguesve, me dinjitetin e arsimit dhe fyerjen që i bëhet studentëve. Vetëm para pak kohësh gazeta “Telegraf” ka ngritur shqetësimin, se rihapja e dosjeve të arkivuara në Rektoratin e Tiranës dhe rinisja e hetimeve do të zbulojë xhevahire të rralla mbi atë çka është bërë ndër vite në Universitetin e Tiranës. Arrestimet e shumë pedagogëve për mitmarrje, por edhe për ndonjë “gjest’ të ulët kërkon që MASR t’i kërkojë zyrtarisht Prokurores së Përgjithshme znj. Arta Marku fillimin e hetimeve dhe rihapjen e dosjeve të pluhurosura në Universitetin e Tiranës, të paktën të këtyre 10 viteve të fundit. Denoncimi i sipërpërmendur nuk ka nevojë për komente të tjera, pasi në vend të “gjurmëve”, portali i studentëve, nëpërmjet “Historia Ime” po na tregon “ujkun”. Drejtësia e vonuar është shumë herë më me vlerë se drejtësia e munguar, aq më tepër, kur bëhet fjalë për tempullin e dijes, kulturës, arsimit dhe të ardhmes së kombit.