Ministria e Arsimit udhëzon fituesit e raundit të dytë dhe kandidatët jo fitues

538
Sigal

Gzeta Telegraf/

Ministria e Arsimit udhëzon fituesit e raundit të dytë dhe kandidatët jo fitues

Dezdemona Porja

Raundi i parë dhe i dytë i regjistrimit të maturantëve në universitetet publike ka lënë sërish jashtë dyerve të universiteteve një numër të konsiderueshëm prej tyre, pasi nuk mundën të siguronin një degë në shkollën e lartë. Në mjediset e fakulteteve janë shpallur tashmë edhe fituesit e raundit të dytë, ku shumë maturantë janë fitues në disa degë. Duke qenë se atyre u lind e drejta që të regjistrohen vetëm në njërën prej tyre, kjo krijon vende të tjera bosh për ata që nuk kanë mundur të fitojnë edhe në raundin e dytë.

Në këtë mënyrë, pas datës 16 të muajit tetor, ku përfundon edhe regjistrimi i fituesve do të shihen edhe mundësitë për të gjithë ata maturantë që nuk kanë mundur të fitojnë asnjë program studimi as në këtë fazë aplikimi. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, mundësitë për kandidatët që janë poshtë vijës së kuqe do të jenë të mëdha. Është ky dikaster që paralajmëron kandidatët që janë shpallur fitues, që të kenë shumë kujdes, për faktin se degën që kanë fituar në raundin e dytë, e humbasin nëse nuk regjistrohen.

“Kandidatët të cilët nuk janë regjistruar brenda datës 16 tetor 2016, humbin të drejtën për t’u regjistruar në fazat e mëtejshme në programet e studimit ku ata rezultonin fitues”, thuhet në Udhëzimin nr.13 të Ministrisë së Arsimit. Më poshtë, në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit theksohet, se “pas mbylljes së regjistrimeve të raundit të dytë, në datat 17-18 tetor 2016, sekretaritë mësimore të Institucioneve të Arsimit të Lartë, do të regjistrojnë online dhe me dokumentacion kandidatët. Regjistrimi do të bëhet duke respektuar renditjen në listat e fituesve të raundit të dytë, pas zbritjes së vijës së fituesit të fundit konform numrit të kuotave të parashikuara për programin përkatës të studimit”.