Mësues nga gjimnazi japin mësime në universitete shtetërore dhe private

325

Universitetet që katandisen si shkollat e mesme bujqësore të kooperativave të Enverit

Para ca kohësh, në një klasifikim botëror të universiteteve, rezultoi se universitetet tona, qoftë private, qoftë edhe shtetërore kanë pësuar ulje të ndjeshme  në klasifikim. Kësisoj, universitetet tona publike dhe jopublike  renditen në vendet më të poshtme të klasifikimit, krahasuar vetëm me vendet më të pazhvilluara të Afrikës. E thënë ndryshe, cilësia e mësimdhënies në universitetet e Shqipërisë, përkeqësohet nga viti në vit.

Shkaku kryesor, niveli i dobët i mësimdhënies

Mësojmë një fakt domethënës. Ditët e fundit, janë bërë pranime të mësuesve që japin mësim në gjimnazet e Tiranës nga universiteti publik në Elbasan, por edhe në universitete private në Berat, Fier, Pogradec, e gjetkë. Ky fakt nuk mohohet edhe nga dekani i fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Shezai Rrokaj, i cili në prononcimin për “Telegraf”, e pranon faktin që ka mësues të gjimnazeve që japin mësim edhe në universitete, pa përmendur emra dhe qytete. Mësimdhënia në Shqipëri, e sidomos ajo në shkollat publike, ka gjithnjë probleme të rënies së cilësisë së mësimdhënies.  Niveli i gjimnazistëve vjen në ulje dhe kjo edhe për faktin se, mësuesit janë jashtë niveleve që kërkohen për mësimdhënie. Së dyti: një pjesë e mësuesve nuk kalojnë provimet e testimeve… ose i kalojnë me nota shumë të ulëta. Tani një pjesë e këtyre mësuesve.. që sigurisht kanë miq, arrijnë e japin mësim  edhe …në universitete. Kjo do të thotë që standardi bie në nivele minimale. Një mësues gjimnazi, shumë rrallë mund të ketë përgatitjen që të japë në universitet dhe kur e ka këtë aftësi intelektuale sërish mbetet asistent i profesorëve… Tani në shumë universitete, marrin mësues gjimnazi për të dhënë leksione. Dhe mendo çfarë niveli studentësh përgatisim….Pra duhet që Ministria e Arsimit  të fillojë me standardet nëse do që të stopojë përkeqësimin e gjendjes së mësimdhënies në të gjitha ciklet shkollore, qoftë private, qoftë edhe publike.

Çdo qytet, me universitete, pa u bërë merak për cilësinë dhe imazhin

Imazhi i një universiteti vlerësohet edhe nga niveli mësimdhënës i pedagogëve, nga titujt shkencorë dhe nga kontributi që ata i japin shkencës. Ky parim është i shenjtë për universitetet më me emër të botës, të cilat janë në konkurrencë pikërisht me imazhin e mirë që duan të formojnë, nëpërmjet rritjes së vazhdueshme të mësimdhënies, dhe përgatitjen e studentëve më të mirë. Ndërsa krejt ndryshe ndodh me universitetet në Shqipëri, të cilat, janë kthyer në fabrika diplomash të pavlerë, por të paguara shumë shtrenjtë, nga ata që pretendojnë se diplomohen në universitete.  Liberalizimi i të drejtës së mësimdhënies, solli si rezultat edhe mundësinë e hapjes të universiteteve publike e private kudo, në çdo qytet, në varësi të rregullave të tregut të lirë, të ofertës dhe kërkesës. Mirëpo, këtu, në emër të fitimit, duke e parë hapjen e universiteteve, vetëm si biznes fitimprurës, pakkush bëhet merak që në këto universitete të zbatohen edhe kriteret e cilësisë. Për të patur një kosto sa më të ulët, me qëllim që fitimet të jenë sa më të mëdha, këto universitete, qëllimisht, pranojnë të marrin si pedagogë, këdo mësues që ka një diplomë, pa u bërë merak për nivelin profesional të mësuesit. Ndaj, edhe mësues të gjimnazeve, tani japin mësime në universitete private, por edhe publik, sikurse ndodh në universitetin e Elbasanit.

Universitetet kërkojnë autonomi nga shteti, por  duan të rrojnë me buxhetin e shtetit

Universitetet publike kanë pavarësinë, autonominë nga shteti, për shumë të drejta që ushtrojnë, por njëkohësisht, ato mbahen e funksionojnë vetëm nga buxheti i shtetit, i cili u paguan shpenzimet, u paguan mjediset shkollore dhe shumë privilegje të tjera. Në emër të pavarësisë dhe autonomisë, universitetet publike, shpeshherë dhe qëllimisht shmangin edhe kontrollet e shtetit për veprimtarinë dhe mirëfunksionimin e tyre. Një nga këto, është edhe e drejta që ata të marrin ato si pedagog, siç ndodh, që mësues nga gjimnazet të japin leksione në universitet. Nëse universitetet publike, duan që të jenë ta pavarura nga shteti, përse nuk funksionojnë të pavarura edhe nga buxheti i shtetit? Sepse, të ardhurat që përfitojnë nga regjistrimet dhe kuotat që paguajnë studentët, i shpërndajnë për shpërblime midis pedagogëve dhe jo për të përballuar shpenzimet.

Flet për “Telegraf: Prof. Dr. Shezai Rrokaj

Problemi i universiteteve është niveli i mësimdhënies

Sipas, Prof. Rrokaj, ligji nuk e ndalon mësuesin  e gjimnazit që të japë mësim, si pedagog i jashtëm në një universitet, por, sipas Prof. Rrokaj, këtu ka dy probleme të rëndësishme. E para, një mësues, duke dhënë mësime plotësuese edhe në subjekte të tjera, publike e private, ka ngarkesë të madhe dhe nuk mund ta përballojë dot mësimdhënien në shkollën, ku është punësuar. E dyta, ka të bëjë me nivelin e ulët të mësimdhënies. Në fakultetin tonë të Filologjisë, e kemi ndaluar rreptësishtë që një mësues i gjimnazit të japë mësim, qoftë edhe si pedagog i jashtëm.