SHKSH: Eagle USB modem, nuk gjen përdorim në të gjithë Shqipërinë

    454
    Sigal

    Shoqata e konsumatorit shqiptar ka ditë që informon se ankesat e konsumatorëve në drejtim të ALBtelekom kanë një trend në rritje. Kështu ankesat e konsumatorëve mund t’i ndajmë në dy drejtime, si në adresë të telefonisë fikse, shërbim i ofruar nga ALBtelekom, ashtu dhe në adresë të Eagle Mobile, për sa i përket shërbimit të internetit nëpërmjet USB modem. ALBtelekomi ka rritur gjithashtu edhe tarifën e shërbimit (për ruajtjen e linjës). Por edhe pse Shoqata e Konsumatorit Shqiptar e ka ngritur këtë problem edhe në  Entin Rregullator të Telekomunikacionit, ky zë ka rënë në vesh të shurdhër. Kështu, SHKSH, për këto probleme dhe më gjerë, ka informuar ALBtelekomin, por ende s’ka marrë përgjigje.

    Problemet e Telefonisë fikse

    Ankesat e konsumatorëve konsistojnë në mosmarrjen e shërbimit telefonik për ditë të tëra. Sipas tyre, linja telefonike e shërbyer nga Albtelekom nuk funksionon me ditë të tëra, ndërsa konsumatori sorollatet nga zyra në zyrë. Të ofenduar nga kjo sjellje, shumë prej tyre kanë kërkuar edhe ndërprerjen e shërbimit telefonik nga kompania Albtelekom. Gjithashtu mjaft problematik paraqitet edhe shërbimi ADSL.

    Problemet e shërbimit Eagle USB modem

    Shumë konsumatorë kanë ankesa për sa i përket shërbimit të internetit me anë të Eagle USB modem. Ky modem nuk funksionon në të gjitha territoret e Shqipërisë. Për këtë, SHKSH, bazuar në ankesat e shumta të konsumatorëve, e provoi këtë modem USB në qytetin e Beratit, të Çorovodës, Poliçanit (Skrapar) dhe rezultoi se ishte e pamundur të navigohej në internet në këto zona. U konsultua  dhe me specialistët përkatës të kompanisë, por ata rrudhnin krahët, ishin të frikësuar, por nën zë thoshin që ky modem USB nuk është aq i fuqishëm dhe se shërbimi i tij limitohet brenda për brenda Tiranës. Duke parë dhe disa kushte specifike në blerjen e këtij modemi, kushte që nuk i përmban Ligji në Mbrojtje të Konsumatorëve, SHKSH shprehet se kemi të bëjmë me kontratë të njëanshme, gjë që e dëmton konsumatorin. Ndërkohë që, kompania Eagle Mobile e ka prezantuar këtë shërbim si një nga teknologjitë më të përparuara të internetit. Sipas Eagle Mobile, një risi e këtij shërbimi është ofrimi i mundësisë së lundrimit në internet “me shpejtësi të lartë, kudo, edhe në lëvizje”.