Kuotat e mbetura, Koni: FSHN mirëpret 98 studentë në fazën e dytë

679
Sigal

Flet prof.dr. Mynyr Koni, dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës për kuotat e mbetura, tarifat e studimit, regjistrimi i studentëve nga universitetet e mbyllura…

 Nga regjistrimet paraprake kanë ngelur edhe 98 kuota në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Këtë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf” prof.dr. Mynyr Koni, dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, i cili shton se 50 % e studentëve të regjistruar kanë konfirmuar regjistrimin përfundimtar. Rritja e numrit të studentëve që e kanë pasur preferencë të parë programin e Matematikës, sipas dekanit të FSHN-së, do një analizë të veçantë, për të parë nëse është, apo jo, cilësi. Ndërsa shpreh kënaqësinë, kur tregon për kontrollin e ushtruar nga MAS te Shkencat e Natyrës, që sipas Konit, rezultoi “perfekte me të gjitha komponentët e arsimit të lartë”. Edhe studentët e universiteteve të mbyllura private dhe regjistrimi i tyre në universitetet publike janë, gjithashtu, në vëmendjen e dekanit të FSHN-së.

  U mbyllën regjistrimet paraprake për studentët e rinj. Me mbylljen e këtij procesi, besoj se janë bërë llogaritë dhe tashmë dihet sesa është numri i kuotave të ngelura në Fakultetin e Shkencave të Natyrës?

Në datën 22 shtator ka qenë afati i fundit për regjistrimin paraprak të studentëve dhe nga informacioni që kemi marrë nga database i AKP-së, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës nga 1270 janë regjistruar 1172 studentë, pra kanë ngelur 98 studentë të paregjistruar. E kthyer në përqindje, afërsisht, janë regjistruar 92,3 % e studentëve. Ajo që duhet theksuar si e veçantë është se në këtë numër të regjistruar, pothuajse 50 % kanë shprehur konfirmimin përfundimtar që nuk vazhdojnë konkurrimin, ndërsa 50 % të tjerë vazhdojnë konkurrimin për një preferencë më të lartë. Është interesant fakti që numrin më të madh të të regjistruarve e ka programi i Matematikës, i cili në pamje të parë ka një rritje të numrit të studentëve në këtë program, porse duhet studiuar, nëse rritja e numrit është vetëm sasiore apo dhe cilësore, për të cilën, besoj, do të flasim në një tjetër intervistë.

 Nga specialistë të arsimit është pritur me gëzim fakti që në programin e Matematikës kanë hyrë shumë studentë të cilët e kanë preferencë të parë. Çfarë do të thotë kjo?

Ju, përsëri, më ngacmuat me këtë pyetje. Është e vërtetë që pothuajse 50 % e fituesve janë preferencë e parë. Në pamje të parë, duket që pikët janë të kënaqshme. Unë shfrytëzoj momentin të theksoj se Matematika, të paktën qëkur unë jam dekan, nuk ka qenë problem i Fakultetit të Shkencave. Pra, gjithmonë ka qenë një kontingjent në përqindje të caktuar me një cilësi të kënaqshme. Kjo do të thotë që interesi për programet e Fakultetit të Shkencave në përgjithësi dhe në Matematikë në veçanti, është rritur dhe, sigurisht, që ne do të punojmë me mekanizma të veçantë që ky interes të jetë akoma më i lartë, sepse programet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës janë programet bazë të zhvillimit të shoqërisë.

 A mendoni se kuotat e lira do të plotësohen në fazën e dytë?

Në fazën e dytë, ju besoj e dini procesin, ndodh një zhvendosje e emrave të studentëve. Ajo që, besoj e keni të qartë, është se këto 98 studentë të këtij fakulteti janë fshirë nga kuotat e tyre dhe nuk kanë të drejtën më për arsimin e lartë në Shqipëri dhe këto zëvendësohen me 98 të tjerë sipas radhës me parimin meritë-preferencë. Unë besoj se në regjistrimin përfundimtar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës do të regjistrohen mbi 95 %, që do të thotë ngelet një numër shumë i kufizuar për të mos thënë 100 %.

 Në kuadrin e mbylljes së shumë universiteteve private, filialeve të universiteteve shtetërore, apo të programeve të studimit, a ka ndonjë program studimi që është mbyllur në fakultetin tuaj, apo është hapur, në opozicion me këtë trend?

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, asnjëherë, nuk është diskutuar të mbyllet ndonjë program, por shfrytëzoj rastin të komunikoj se, nga analiza dhe auditimi që bëri Ministria e Arsimit dhe e Sportit, Fakulteti i Shkencave ka dalë në mënyrë perfekte me të gjitha komponentët e arsimit të lartë. Kështu që, unë shpreh kënaqësinë e gjithë stafit tim akademik, të gjithë studentëve për këtë sukses të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Në lidhje me kuotat për vitin 2014-2015, qeveria ka miratuar aq sa kemi propozuar, sepse kjo bazohet mbi infrastrukturën që kemi, mbi stafin akademik, mbi cilësinë që ofrojmë etj.. Problem kemi tarifën e shkollimit, e cila për mendimin tim nuk i është nënshtruar një analize përpara se të merrej një vendimmarrje. Nuk e kam fjalën te vlera, por te analiza. Fakulteti i Shkencave është një fakultet që ka konsum, ka shpenzime dhe për këtë arsye duhet menduar një mënyrë përballje. Sigurisht, do dhe mbrojtje të shtresave, individëve të caktuar në një farë vlere të veçantë, por që duhet menduar në të ardhmen për përballimin e nevojave të zhvillimit të procesit mësimor.

 Pra, ju profesor jeni për një rritje të tarifave të studimit?

Nuk do të isha dakord për shprehjen absolute “rritje”, por në qoftë se një program i caktuar studimi, që nuk ka fare shpenzime, ka një vlerë 40 mijë lekë të reja, është anormale që një program tjetër, siç ka fakulteti i Shkencave të Natyrës, që ka shumë shpenzime, të ketë një vlerë 25 mijë lekë të reja. Këtu duhet ndalur në mënyrë të kujdesshme, sepse, në fund të fundit, nëse universitetit i duhet të përballojë gjithë procesin mësimor me të ardhurat e veta, kjo nuk përballohet. Atëherë, duhet që Ministria e Arsimit të përcaktojë politika të qarta për subvencione të veçanta për Fakultetin e Shkencave të Natyrës për veçoritë që ka, ose të gjejë një mënyrë të ndërmjetme të tarifës, me negocim (aq sa ta përballojnë dhe familjet e studentëve), por që, sigurisht, procesi mësimor të përballohet me të. Dhe, natyrisht, që këto janë në nivel universiteti. Por unë flas për fakultetin dhe në raport me të gjitha fakultetet e tjera në UT, fakulteti ynë ka tarifën më të ulët, ndërsa më duhet ta theksoj që ky fakultet ka shpenzime më të mëdha. Unë po i kujtoj gjithë adhuruesit e gazetës “Telegraf” që në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ndodhen dy institucione kombëtare; siç është Kopshti Botanik, siç është Muzeu i Shkencave të Natyrës dhe janë të organizuar në njësi kërkimi, të cilat quhen Qendra e Kërkimit të Florës dhe Faunës dhe që, me patjetër, kërkon një suport. Atëherë, kush do t’i mirëmbajë..? Ndaj, për këtë arsye, duhet mbajtur një ekuilibër i tarifës së shkollimit të studentëve dhe subvencioneve nga qeveria për përballimin e situatës së shpenzimeve.

 Por, për këtë, qeveria po bën reformën në arsimin e lartë…

Qeveria ka marrë iniciativën për reformimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor për të cilën duhet përgëzuar, sepse është i nevojshëm një proces i tillë, por akoma nuk është finalizuar. Kështu që, ne jemi në pritje. Ndërsa në draftin përfundimtar, të cilën ne kemi pasur mundësinë ta kemi, vihet re një tendencë e suportimit të Shkencave të Natyrës nga ana e shtetit dhe kjo duhet theksuar.

 Një tjetër zhvillim për këtë vit ka qenë mbyllja e shumë universiteteve private. Ndërkohë, studentëve të këtyre universiteteve u është hapur rruga për tu regjistruar në universitetet shtetërore. Sa studentë të tillë do të keni ju në fakultetin tuaj?

Së pari, procesit të mbylljes së universiteteve private, Universiteti i Tiranës i është përgjigjur me gatishmërinë për t’i pranuar, ose për të mundësuar vijimin e studimeve për ata studentë që kanë ndjekur programe të njëjta ose analoge. Menjëherë, në nivel rektorati, ne kemi shprehur gatishmërinë për të mirëadministruar këtë proces. Para një jave ka dalë Udhëzimi nr. 33 i ministrit të Arsimit, që përcakton dhe hapat përkatëse të procedurave të transferimit të këtyre studentëve. Duhet të theksojmë që këto transferime janë specifike dhe nuk e pengojnë, mbulojnë, ose mbivendosin procesin e transferimeve në përgjithësi të studentëve nga një universitet në tjetrin. Për këtë arsye, ky udhëzim ka parashikuar dokumentacionin e plotë që duhet të ketë dosja e studentit që duhet të vijë pranë njësive kryesore. Ndërsa ne jemi të ngarkuar nga ky udhëzim për ngritjen e komisioneve të posaçme për vlerësimin e këtyre dokumentacioneve. Ky proces fillon me pranimin e dosjeve që do të bëhet nga data 30 shtator-3 tetor. Sigurisht, Fakulteti i Shkencave të Natyrës nuk e ka shqetësim këtë situatë. Numri i studentëve që do të vijnë këtu, unë mendoj, se është shumë i kufizuar, nuk është shqetësues. Ndoshta ndonjë student i programit të Informatikës dhe Teknologjisë së Informacionit, se për të tjera nuk ka dhe ne do bëjmë një shpërndarje në grupe seminaresh të ndryshme, që të mos ndihet efekti i numrit të studentëve. Po në këtë kontekst është menduar dhe në fakultete të tjera, (ku numri është më i madh) për të bërë një shpërndarje uniform sipas programit të studimit, në sistemin me kohë të plotë dhe në sistemin me kohë të pjesshme. Kështu që, ne jemi të përgatitur që këtë proces ta mbyllim me sukses.

 Ju folët përsa i përket ambienteve dhe numrit të tyre, po përsa i përket cilësisë së këtyre studentëve?

Sigurisht, që cilësia është një element që mund të na shqetësojë, por, aktualisht, ndodhemi përballë verdiktit për të zgjidhur problematikën. Dhe çdo zgjidhje problematike ka dhimbje dhe pjesa e cilësisë është pjesa e dhimbjes. Këtyre studentëve do t’i mundësohet barazia në këtë moment, pastaj, nëse regjistrohesh, nuk do të thotë që përfundon. Pra këtu secili student do të tregojë në është i aftë ta vazhdojë këtë program studimi apo jo. Nga kjo pikëpamje, unë do të thoja se nuk duhet parë me shumë skepticizëm kjo cilësi, pasi dhe ne, në programet tona, mund të kemi një grup studentësh ndoshta me cilësi të njëjtë me ta, (ata që vazhdojnë në vite, janë studentë përsëritës etj. etj..). Kështu që, në këtë kontekst, ai nuk është një numër i madh që të mbysë. Shpërndarja uniform në një program studimi nuk mund të kalojë 5-10 % të numrit të studentëve, sepse përndryshe krijon një problem shumë të madh. Porse unë nuk e ndiej këtë shqetësim. Janë marrë masat që të bëhet një shpërndarje, që ata të ndihen të barabartë dhe të konkurrojnë me studimet e tyre. Nëse kanë vlera do të vazhdojnë, në rast të kundërt është vetë zgjedhja e njëanshme e tyre.

 Pra, komisionet nuk do të shohin cilësinë e tyre, por vetëm dokumentacionin?

 Komisioni, së pari do të shohë dokumentacionin që është: diploma e maturës shtetërore, numri i matrikulimit, rezultatet që ka arritur, etj.. Se, nëse më vijnë 200 vetë në Informatikë, atëherë ne do të marrim një vendim se sa mundësi dhe kapacitete kemi të pranojmë dhe në këtë rast ne do të shprehemi. Me patjetër që në këtë rast do të bëhet një renditje sipas specifikave që kanë, duke filluar nga shkolla e mesme, rezultatet, si dhe në përbërjen e programit që kanë zhvilluar studentët, për të shpallur, më pas, fituesit, të cilët ne përsëri ia paraqesim ministrisë dhe ministria mbi bazën e tyre do të përgatisë një projektvendim që quhet Kuota Specifike të Transferimeve, që nuk është përgatitur, se pritet që të shihet sesa do të vijnë të aplikojnë te ne dhe sesa ne do të përzgjedhim.

Debati i pedagogëve të Ekonomikut për bashkimin me Shkencat e Natyrës

Ndërkohë, para disa kohësh u hap një debat përsa i përket pedagogëve të Ekonomikut, për të cilët u urdhërua që të ishin pjesë e fakultetit tuaj. Si u mbyll ky problem?

 Së pari, unë do të bëj një korrigjim. Ata janë pedagogë të Matematikës, jo të Ekonomikut, por kanë zhvilluar lëndën e Matematikës në Fakultetin e Ekonomikut. Ai debat nuk priste ndonjë mbyllje tjetër, se janë strukturat që janë shprehur, duke filluar nga Departamenti i Matematikës, Këshilli i Fakultetit dhe Senati i UT-së. Grupi i pedagogëve që zhvillon Matematikën në Fakultetin e Ekonomisë ka qenë gjithmonë pjesë historike e Fakultetit të Shkencës së Natyrës dhe me një vendim të rektorit, të vitit ’92, në mënyrë të njëanshme, është shkëputur dhe ka kaluar në Fakultetin e Ekonomisë. Në kuadër të propozimit të fakultetit, për ndarjen e Departamentit të Matematikës në dy departamente, atëherë Senati e quajti të udhës, edhe me kërkesën e dekanit të Shkencave të Natyrës që ky grup të rikthehej në departamentin përkatës dhe sot vazhdon aktivitetin mëse normal pranë Departamentit të Matematikës së Aplikuar.

Ledjana Saliu