“Jemi në vazhdimësi të punëve, për të reformuar stafet, frekuentimin dhe cilësinë në mësimdhënie”

556
Sigal

 Përparim HALILI



Flet Shkëlqim Allkaj, Drejtori i Arsimit Rajonal-Fier: Punësim
me konkurim vlerash në portalin ““Mësues për Shqipërinë“ e jo nga “portat”
partiake

Çdo punë të mirë, produktive, cilësore, të mirëpritur e të
besueshme, një drejtues i zoti dhe me vizion progresiv e nis nga zyra, por e
konkretizon përditë në terrenin ku kërkohen zgjidhjet. Kështu është vepruar prej
33 muajsh edhe me punët e arsimit në Qarkun e Fierit, sektor që drejtohet me
kompetencë e normalitet prej Drejtorit të Arsimit Rajonal të Fierit, zotit Shkëlqim
Allkaj, intelektualit bashkëkohor, familjarit të kompletuar, mësuesit pasionant,
kolegut të çiltër, qytetarit model e paqësor, pedagogut kualitativ e
reformator, drejtuesit dashamirës, kërkues e këmbëngulës, gjë të cilën e ka
manifestuar thjeshtë e pa bujë si një nga të gjithë në çdo nivel mësimor të çdo
zone, ku në emër të detyrës dhe përgjegjësisë për punën ka kontribuar vullnetshëm
si një “qelizë aktive e pandarë” nga nxënësit, prindërit, komuniteti, pushteti
lokal, kolegët dhe vartësit e tij, të cilët nuk i ka trajtuar si vartës, por si
ekip që synon të arrijë atë objektiv për të cilin punojnë të gjithë, qysh prej
dhjetorit 2013 me atë në krye. Aktualisht, Shkëlqim Allkaj drejton sektorin e
arsimit në Qarkun e Fierit. Profili i këtij drejtuesi të cilin e skeduam më
sipër, konfirmojmë se është pjesë e vlerësimit të lartë pozitiv të drejtuesve të
lartë të Ministrisë së Arsimit, por edhe të njerëzve mes të cilëve ai punon e
jeton përditë. Ndërsa profili i arritjeve të arsimit të Qarkut Fier në këto 3
vite qeverisje “Rilindje” është tregues i punës së tij drejtuese, i mundit dhe
sakrificave, kualitetit dhe bashkëpunimit të stafit që ai drejton në qendër e në
çdo shkollë dhe institucion parashkollor. Punët, arritjet, problemet, ambiciet
individuale e kolektive dhe projektet e arsimit në Qarkun Fier, i mësuam nga
biseda që zhvilluam dje në ditën e parë të nisjes së vitit mësimor 2016-2017, me
Drejtorin e Arsimit Rajonal të Fierit, zotit Shkëlqim Allkaj…

 

Ristrukturim në shërbim të rikthimit të efektshmërisë së
arsimit në Fier

 

Gjatë tri viteve të fundit, në rrethin dhe krejt qarkun e
Fierit institucionet arsimore i janë nënshtruar një reforme thelbësore e cila
ka pasur objektiv reduktimin në maksimum të pasojave të situatës antiligjore që
ishte “instaluar” dhe vepronte në këtë sektor ku nuk prodhohen perime, por dije
që kanë lidhje me të ardhmen e zhvillimit të vendit. Për shkak të rënies
natyrale të popullsisë dhe si rrjedhim edhe të numrit të nxënësve, ishte
akumuluar një numër i tepërt i personelit mësimor në shkollat publike. Rënia
ishte e dukshme, vetëm duke parë se sa nxënës në arsimin e detyruar, kanë qenë
në kontingjentin e shkollave të rrethit Fier. Një fakt: në qershor 2012, kishte
23 mijë e 351 nxënës të klasave të ciklit 1-9. Në qershor 2013 ishin 22 mijë e
612 nxënës. Në qershor 2014 figuronin 21 mijë e 865 nxënës. Në qershor 2015,
numri u ul në 20 mijë e 898 nxënës.

 

Punësim me konkurim vlerash në portalin ““Mësues për
Shqipërinë“ e jo nga “portat” partiake

 

Ishte më se e qartë, se edhe me normat e reja më të
zvogëluara që MAS miratoi në vitin 2015, kishte përsëri një numër mësuesish nën
normë dhe, sidomos jashtë profileve për të cilët ishin diplomuar. Vazhdimësia e
kësaj situate ishte e papranueshme, prandaj duke zbatuar me rigorozitet kuadrin
ligjor në arsim, që në fillim të reformës u evidentuan 16 mësues pa arsimin
përkatës dhe 90 mësues të tjerë, të cilët nuk plotësonin normën mësimore për të
cilën paguheshin. Mësuesit që kishin kualifikimin e duhur u ri-sistemuan në
shkolla të tjera, krahas hyrjes në institucionet publike të mësuesve të rinj,
që nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë” iu nënshtruan konkursit publik
për të përcaktuar kualitetin dhe radhën e punësimit, në bazë të meritës.
Renditja në këtë testim ishte kriteri kryesor për punësimin e 59 mësuesve të
rinj në profilet ku kishte nevojë në fillim të vitit 2015. Në fund të vitit
2015 u zhvillua për herë të dytë testimi “Mësues për Shqipërinë” ku morën pjesë
509 kandidatë për mësues në të gjithë qarkun e Fierit nga 439 ​që konkurruan në
testimin e dhjetorit 2014. Këtë shifër e interpretojmë si besim i publikut tek
reforma e punësimit në arsim. Meqenëse zbatimi i normativave ligjore që
përcaktojnë numrin e duhur të personelit në shkollat publik është proces në
vijimësi edhe në këtë fillim viti shkollor komisioni i posaçëm i ngritur në DAR
Fier ka shqyrtuar rreth 50 dosje mësuesish për efekt lëvizjesh të detyruara të
personelit mësimor. Në përputhje me ligjin kjo kategori mësuesish aktualisht të
tepërt do të ketë prioritet në radhën e punësimeve të reja në institucionet
arsimore publike. Tjetër aspekt i zhvillimeve në sistemin arsimor ka qenë
kontrolli më i madh i sektorit privat, për të eliminuar të gjithë abuzimet e
konstatuara sidomos tek cilësia e mësimdhënies dhe ligjshmëria e funksionimit
të tyre. Në rrethin e Fierit në 2-3 vitet e fundit janë katër shkolla private
që nuk e përballuan kërkesën për cilësi dhe që nuk përmbushnin kriteret ligjore
për të qenë vatra të dijes. Ditën e parë të shkollës në vitin e ri 2016-2017 në
rrethin e Fierit hynë në klasën e parë rreth 2000 fëmijë 6-vjeçarë, në rrethin
e Mallakastrës 313 nxënës. Këtë vit për herë të parë zbatohet marrëveshja e
përbashkët mes tri ministrive, asaj të arsimit, të shëndetësisë dhe ministrisë
së punëve të brendshme për identifikimin e çdo fëmije që mbush moshën për në
klasën e parë, si rezultat i së cilës në ditët në vijim nuk do të ketë, pa
përjashtim, asnjë 6-vjeçar që të mbetet jashtë dyerve të shkollës. Kemi të
listuar në bashkëpunim me organizatat jofitimprurëse dhe strukturat e tjera
sociale një grup fëmijësh nga shtresat e margjinalizuara që rrezikojnë të mos
vijojnë arsimin, edhe në klasat e tjera të sistemit arsimor të detyruar. Vitin
shkollor që u mbyll më pak se 90 fëmijë realisht rezultuan mbetës në klasë për
shkak të mosparaqitjes në procesin mësimor, pra të braktisjes së shkollës, nga
129 në qershor 2015 dhe 140 nxënës para dy vitesh. Rënia e kësaj dukurie të
papranueshme është nga 0,6% në 0,4% krahasuar me një vit më parë dhe tendenca
është e qartë drejt braktisjes zero në vitin e ardhshëm. Gjithsej në këtë
fillim viti shkollor në rrethin e Fierit janë në bankat e shkollës rreth 21000
nxënës, në rrethin e Mallakastrës rreth 3200 nxënës. Pas disa rikonstruksioneve
të plota në dy vitet e kaluara, nxënësit e 7 shkollave në rrethin e Fierit dhe
5 të tjera në rrethet Lushnjë dhe Mallakastër mësuan në kushte shumë herë më të
mira së më parë. Ndërkohë në prag të këtij viti shkollor hynë në rikonstruksion
edhe disa shkolla të tjera në qytetin e Fierit dhe në rrethin e Mallakastrës.
Për shkak të kushteve të papërshtatshme në Mallakastër një shkollë është
transferuar pranë një shkolle tjetër, deri në zgjidhjen përfundimtare të
problemit të godinës së saj. Vlen të theksohet fakti, që në çdo hap të punës
tonë, kemi pasur mbështetjen e plotë, aktive dhe konkrete të Ministrisë së
Arsimit, të cilën kam detyrimin ta përshëndes në emër të mësuesve, edukatoreve
dhe nxënësve të çdo shkolle të Qarkut Fier.

 

Dy fjalë përshëndetëse nga drejtori Allkaj, në ditën e parë të vitit mësimor
2016-2017

 

Sot është Dita e Parë e shkollës për
vitin shkollor 2016-2017. Kam nderin dhe dëshirën njerëzore, prindërore dhe
institucionale, që të bashkoj urimin tim me urimet e qindra prindërve, të cilët
dërgojnë në auditorët e shkollës fëmijët e tyre. Suksese të dashur nxënës te
qarkut Fier. Një urim të veçantë kam për kolegët e mi mësues. Ju uroj të dalin
faqebardhë dhe të mos harrojnë kurrë që puna jonë nuk është punë, por mision i
shenjtë. Prindërit na kanë besuar fëmijët, dritën e syve, ndërsa shoqëria na ka
besuar të ardhmen e Atdheut. Punoni sikur të keni në auditorë fëmijët tuaj dhe
atdheu ynë, do jetë shumë më i bukur. Cilësi, argëtim dhe mirësi në gjithë
shkollat e Qarkut Fier.