Frank Shkreli/ Mjaft me lëvdata për Putinin, Z. Trump!

546
Sigal

Gazeta “Washington
Post” shkruan se udhëheqësi i Republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve të
Shteteve të Bashkuara, Paul Ryan, pa dashur të futej në hollësi në lidhje mbi
këtë çështje, u shpreh se presidenti i Rusisë, Putin është  “një agresor, i cili nuk mbështet interesat
tona” dhe shtoi se presidenti rus sillet si një kundërshtar i yni 


 Nga Frank
Shkreli


Javën që
kaloi, kandidati i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara,
Donald Trump deklaroi se nëqoftëse zgjidhet president ai do të ketë marrëdhënie
të mira me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Gjatë fushatës për president
ai ka vazhduar të shprehet në mënyrë të favorshme për udhëheqësin rus, madje
kohët e fundit, krahasoi presidentin amerikan Barak Obama me Vladimir Putin,
duke thënë se Vladimir Putini është president më i mirë se presidenti
Obama. 

 

Deklaratat
lavdëruese të Donald Trump-it për udhëheqësin rus kanë shkaktuar reagime të
ashpra, përfshirë kandidaten e Partisë Demokrate për presidente, Hillary
Clinton e cila i ka quajtur deklaratat e kundërshtarit të saj republikan në
favor të Putinit, si “jo patriotike”. 
Kritikat e ashpra kundër Donald Trump për qëndrimin e tij ndaj Vladimir
Putinit po bëhen jo vetëm nga demokratët, por edhe nga përfaqësues të lartë të
Partisë Republikane. Gazeta “Washington Post” shkruan se udhëheqësi i
Republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Paul Ryan, pa
dashur të futej në hollësi në lidhje mbi këtë çështje, u shpreh se presidenti i
Rusisë, Putin është  “një agresor, i cili
nuk mbështet interesat tona” dhe shtoi se presidenti rus sillet si një
kundërshtar i yni. 

Ndërsa
Senatori republikan Lindsey Graham i cili ishte kandidat për president i
Partisë Republikane gjatë fushatës paraprake, u shpreh se deklaratat e
kandidatit republikan për president në lidhje me Putinin, “e shqetësojnë atë
deri në palcë”. Ai u citua nga media të jetë shprehur më ashpër ndaj
deklaratave të Donald Trump për admirimin e tij për Putinin, duke thënë se ai e
vlerëson udhëheqësin rus si “një gangster, diktator dhe udhëheqës autokrat, i
cili vret përfaqësuesit e opozitës në rrugët e Rusisë”. Senatori amerikan shtoi
(duke iu referuar Donald Trump) se, “nëse bën fushatë për t’u zgjedhur si
udhëheqës i botës së lirë dhe njëkohësisht je admirues i Putinit, atëherë unë
këtë nuk e kuptoj”.  Ai citohet nga “Washington
Post” të ketë thënë se Vladimir Putin, “shkatërroi çdo instrument të
demokracisë në vendin e tij, duke i zhdukur fizikisht kundërshtarët e tij
politikë”. Për më tepër,  “ai, me forcë
ushtarake copëtoi vendet fqinje dhe po përfiton nga marrëdhëniet e tij me
kasapin e Damaskut”, tha senatori republikan Lindsey Graham i Karolinës së
Jugut.   

Kritikat
vazhdojnë  ndaj lavdërimit që Donald
Trump i akordon Vladimir Putinit edhe nga media dhe qarqe të tjera. Një koment
që ka tërhequr vëmendjen e medias dhe të publikut është ai i shkruar para disa
ditësh nga dy ekspertë të Sigurimit Kombëtar të cilët kanë shërbyer gjatë
viteve në detyra të larta qeveritare, si në administrata republikane ashtu edhe
demokrate. Michael Morell dhe Mike Vickers i drejtohen Donald Trump-it duke  shkruar se, “me gjithë respektin që kemi për
ty si kandidat për president i Partisë Republikane, ti nuk mund të shërbesh si
kryekomandant i forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, nëse mbështet
presidentin rus, Vladimir Putin”. 

Në shkrimin
e tyre drejtuar Donald Trump, ata nënvijojnë  se udhëheqësi rus ka treguar vazhdimisht se
është një kundërshtar i vendosur i Shteteve të Bashkuara dhe se gjatë gjithë karrierës
së tij, ai ka ndjekur politika kundër interesave amerikane si dhe kundër interesave
të aleatëve dhe partnerëve tanë. 
Bashkautorët Michael Morell dhe Mike Vickers përmendin ndërhyrjet e
Rusisë në vendet fqinje, okupimin e Ukrainës dhe të Gjorgjisë, përfshirë edhe
aneksimin e Krimesë.  Qëllimi i Putinit
ka qenë vazhdimisht që kombet e ish-Bashkimit Sovjetik të mos kenë lidhje të
ngushta, në të ardhmen, me Europën dhe Perëndimin. Ata i kujtojnë Donald Trump
një listë të gjatë veprimesh të brendshme dhe të jashtme të Rusisë së Putinit
me të cilat ai nuk duhej t’i ishte dakort. Ata shkruajnë se Putini “ka burgosur
dhe ka vrarë kundërshtarët politikë. Ai ka arrestuar dhe ka vrarë gazetarë.  Ai ka neutralizuar median ruse deri në një
pikë sa që tani ai ushtron kontroll të plotë mbi mesazhet dhe lajmet që i
transmetohen popullit rus. Ai gëzon popullaritetin që ju admironi aq shumë
vetëm e vetëm sepse ai vendos se çfarë duhet të lexojnë, dëgjojnë dhe të
shikojnë rusët për veprimtarinë e tij dhe të qeverisë së tij”, shkruajnë dy
ekspertët amerikanë të çështjeve të Sigurimit Kombëtar.

Më në fund,
ata i kërkojnë Donald Trump që në vend që ai të lavdërojë Vladimir Putinin,
kandidati republikan për president t’i kërkojë udhëheqësit rus që t’i japë fund
“agresionit jashtë vendit. Dhe t’i kërkojë atij që t’u japë fund veprimeve
diktatoriale brenda vendit”. Ata i bëjnë thirrje kandidatit republikan për
president që në vend të lavdërimeve, t’i komunikojë udhëheqësit rus, se ai
Donald Trump, “do të zbatojë angazhimet (e Shteteve të Bashkuara) ndaj aleancës
euro-atlantike, NATO dhe se do të mbrojë, nëse paraqitet nevoja, shtetet
baltike. I thuaj gjithashtu udhëheqësit rus, shkruajnë ata, se “natyrisht do të
dëshironit të punonit me ‘të për të zgjidhur problemet e botës  – por për një gjë të tillë ai (Vladimir
Putin) duhet të jetë më i sjellshëm” si brenda vendit ashtu edhe në fushën
ndërkombëtare. “Kështu do të duhej të vepronte një kryekomand i vërtetë i
forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara”, sfidojnë kandidatin republikan
për president, ish-zyrtarët e lartë amerikanë Michael Morell dhe Mike Vickers.

Gazeta “Washington
Post” shkruan se madje edhe mbështetësit më të zellshëm të Donald Trump do të
dëshironin që në vend që ai të lavdërojë Vladimir Putinin, kandidati republikan
të kritikojë marrëdhëniet e Hillary Clinton me Rusinë, gjatë mandatit të saj si
Sekretare Amerikane e Shtetit. 

Por, në
mbrojtje të Donald Trump në lidhje me këtë çështje foli ish-kryetari i bashkisë
së New York-ut, Rudy Giuliani i cili krahasoi Trumpin e Putinin me
ish-presidentin amerikan Ronald Reagan dhe ish-udhëheqësin sovjetik Mikhail
Gorbaçov, të cilët duke bashkëpunuar me njëri – tjetrin në vitin 1986 arritën
një marrëveshje në Rejkjavik të Islandës për pakësimin e numrit të  armëve bërthamore dhe eventualisht,  bashkëpunuan me njëri tjetrin, për t’i dhanë
fund Luftës së Ftohtë midis dy sistemeve të ndryshme politike.   

Megjithë
respektin dhe reputacionin që gëzon në vend Rudy Giulani,  ndryshimi midis Ronald Reagan dhe Donald
Trump, si njerëz dhe si politikanë, është shumë i madh.  Donald Trump nuk është Ronald Reagan. As
Putini nuk është Gorbaçov.  Ronald Reagan
që në fillim të mandatit të tij nuk lëvdoi Gorbaçovin, as sistemin politik
produkt i të cilit ishte ai, por përkundrazi e kishte shpallur ish-Bashkimin
Sovjetik komunist si, “perandorinë e të këqiave” në këtë botë.  Qëndrimi i Ronald Reagan-it ishte parimor dhe
i qartë për të gjithë, përsa i përkiste komunizmit dhe udhëheqësve të atij
sistemi, përfshirë Mikhail Gorbaçovin. 
Pa marrë parasysh deklaratën e Rudy Giulianit, nuk besoj se Ronald
Reagan do të ishte i kënaqur me lëvdatat që Donald Trump i bën Vladimir
Putinit, një ish-agjenti të policisë sekrete komuniste sovjetike KGB, i cili
tani si udhëheqës i Rusisë po përpiqet me gjithçka mundet dhe me gjithçka di,
që – ndryshe nga Gorbaçovi i cili me politikat e tij solli shpërbërjen e
ish-Bashkimit Sovjetik –  të ri-krijojë
madje edhe me forcë ish-Bashkimin Sovjetik në një formë ose tjetër dhe të
rivendosë përsëri influencën dhe kontrollin e Rusisë mbi ish-territorin e “perandorisë
së keqe” komuniste, duke shpërbërë gjithçka që është arritur në Europë dhe në
botë gjatë çerek shekullit të kaluar, si përfundim i shëmbjes së komunizmit  në Europë dhe shpërbërjes së ish-Bashkimit
Sovjetik.

Deklaratat
lavdëruese të kandidatit republikan për president, Ronald Trump ndaj presidentit
rus Vladimir Putin, nuk janë pritur aspak mirë as nga një numër i
konsiderueshëm amerikanësh me origjinë nga Europa Lindore. Ndoshta, drejtuesit
e fushatës së Donald Trump nuk e kanë menduar mirë se deklarata të tilla të
favorshme në llogari të udhëheqësit rus, sidomos këtij
udhëheqësi rus, nuk priten mirë nga qindra mijëra votues me origjinë nga
ish-vendet komuniste të Europës Lindore të dominuar nga komunizmi rus për
gjysëm shekulli  – votues të cilët
normalisht mund të kenë votuar për republikanët në të kaluarën pikërisht për
qëndrimin historikisht të fortë të republikanëve kundër komunizmit – por që
kësaj radhe mund të votojnë ndryshe ose mos të votojnë fare.

 

Ish-drejtori
i VOA-s për Euroazinë