Falsifikoi diplomën për t’u bërë drejtor Arsimi

546
Sigal

Reagim i bazës: Edi Rama të ndërhyjë! Matrapazë e karrieristë po afrohen tek e majta vetëm për përfitime!

Njerëz anonimë, pa merita apo dhe mëkate, herë me të Djathtën e të Majtën kur ata janë në pushtet, kanë pushtuar bazën e PS-së, janë bërë drejtorë duke shfrytëzuar votat që dhanë masivisht qytetarët për një qeverisje ndryshe nga ajo e së djathtës. Makutëria e këtyre tipave shkon deri atje, sa duke shkelur ligjin me dy këmbët, falsifikojnë diploma e dokumente zyrtare për tu bërë drejtorë apo funksionarë të lartë në administratë. Burime për “Telegraf” kanë pohuar se, ky fenomen është përhapur si epidemi pothuaj në gjithë Shqipërinë. Po sipas këtyre burimeve, denoncimeve edhe nga baza e së majtës në rrethe, shoqëruar dhe me shkresa zyrtare të falsifikuara, ky skandal konstatohet në qarkun e Korçës, në atë të Dibrës, Në Elbasan, në Vlorë, Lezhë, etj… Ndërsa Korça, sipas denoncimeve, renditet ndër të parët lidhur me skandalin e emërimeve në administratë. Javë më parë në “Telegraf” u botua një listë e gjatë e skandaleve me emërimet në administratë, ku një inxhinier vihet në krye të shëndetit, ku një mësues në elektrik apo raste të tjera të kësaj natyre. Për të ilustruar këto skandale, sot po japim investigimin lidhur me një emërim po në qarkun e Korçës, përkatësisht në krye të Arsimit në Devoll, ku titullari aktual, për t’u bërë drejtor, ka falsifikuar notat e diplomës, për të qenë në listën e konkurrentëve, ku pikërisht këtu, ka dal dhe fitues!?

DREJTORI FALSIFIKATOR

Pa marrë përsipër të përcaktojmë kush e ka bërë falsifikimin e notave në dy dokumentet zyrtare me firmë e vulë të notave të diplomës së A. F.,(të cilat “Telegraf” i disponon), pasi nuk është detyra jonë, por e të tjerëve, ne po japim fenomenin e përmendur më lart. Janë dy dokumente (shih në faksimilet në këtë faqe) me firmë e vulë, me vlerësimet e notave për të njëjtin person, por që notat ndryshojnë. Në shkresën e parë)atë origjinale) notat pothuaj janë 5 apo 6, e nuk e lejonin konkurrentin(sipas kritereve) të merrte pjesë në garë. Por ky konkurrent, mes 7 të tjerëve, duke falsifikuar notat e diplomës (duke shtuar nga 1 deri 4 nota), futet në konkurrim… dhe fiton!!!!Kështu në Histori Vendi, nga 5 e çon notën në 6, në Psikologji nga 5 në 6, në leksikologji nga 6 ne 7, etj…. Ndërsa në letërsi angleze (Fakulteti i Gjuhëve të Huaja), nga 6 e çon notën në 9-të. Kështu, edhe pse kishte notën mesatare më të ulët në 6 konkurrentët(me presje mbi kriter), ai shpallet fitues, e sot drejton arsimin në Devoll…

REAGIMI i BAZËS

Kundrejt këtyre skandaleve, si në Korçë e rrethe të tjera, ka reaguar baza e së majtës.  Në një letër të ardhur në redaksi nga një drejtues lokal i PS-së në Korçë (Devoll), midis të tjerave thuhet: “… Nëpërmjet gazetës suaj, edhe unë dua të denoncoj vënien e titullarit të Zyrës Arsimore në Devoll, duke falsifikuar librezën e notave të cilat i ka pothuaj të gjitha 5 e duke e rritur mesataren në 6.2 . Kuptohet, kundrejt dallavereve doli fitues midis 7 konkurrentëve të cilët ishin me mesatare 8 dhe ky zotëri me precedent penal drejton arsimin… Diplomën origjinale, e Fakultetin e të Gjuhëve të Huaja, dega anglisht e ka vitet 1988-1993. Trevjeçarin e ka kryer për 5 vjet kurse librezën false e ka dhe DA Korçë. S.B. Devoll”.

APELI

Denoncues (dhe me shkresa zyrtare), mes të cilëve dhe funksionarë të së majtës kërkojnë që për këto skandale të vihet në dijeni Edi Rama, pasi ata ende besojnë se “ai nuk është në dijeni të këtyre skandaleve që bëjnë vartësit e tij me emërimet në administrata në rrethe”.  Denoncime të tilla, nga rrethe të ndryshme të vendit, janë me shumicë. Janë me qindra raste që ish-drejtues në administratën e djathtë për 8 vite, me ndërrimin e pushtetit qendror në qershor 2013, kanë ndërruar teserë, e përsëri mbajnë karriget që kishin. Ndërsa po qindra intelektualë e specialistë të aftë të së majtës, edhe pse luftuan e votuan për një qeverisje ndryshe, sollën në pushtet koalicionin PD-LSI, e shohin veten jashtë administratës, e mbi të gjitha të fyer. Në numrat e ardhshëm, nga moria e denoncimeve dhe investigimeve, “Telegraf” do të publikoj skandale të tjera të emërimeve në administratë.