Gati reforma në drejtësi, Edi Rama: Jo më vend i akuzave, por i ndëshkimit të zyrtarëve

474
Sigal

Statusi, Kreu i PS-së: Kurrë s’kemi qenë më pranë këtij objektivi strategjik 

 “Shqipëria nuk do të jetë më vendi ku të gjithë akuzohen dhe akuzojnë dhe askush nuk ndëshkohet”. Këtë garanci Kryeministri Edi Rama e ka dhënë dje para deputetëve të grupit Parlamentar Socialist, ndërsa ka njoftuar hapin e radhës, Reformën në Drejtësi.

“Problemi i vendit tonë sot në raport me botën dhe Europën e bashkuar ku duam të integrohemi nuk është sa e besojnë matanë detit këtë marrëzi histerike që ka shpërthyer, por si do ta bindim përgjatë rrugës së integrimit familjen europiane se në Shqipëri nuk ka vetëm faje, por dhe fajtorë. Nuk ka vetëm akuza mes politikanësh, por dhe politikanë të akuzuar nga Prokuroria, nuk ka vetëm gjyqe publike për të kriminalizuar kundërshtarët në çdo foltore, por ka dhe kundërshtarë pa dallim ngjyre të gjykuar publikisht nga gjykatat si të kriminalizuar, nuk ka vetëm parti dhe qeveri, por ka dhe institucione të pavarura drejtësie që nuk bëjnë sehir kur hapësira e politikës mbillet me akuza si këto që e qelbin vendin anembanë dhe që i çojnë erën dhe jashtë vendit. Kjo është sfida më e madhe e dekadës mes statusit dhe anëtarësimit, por kjo është dhe sfida e madhe që shqiptarët na kanë kërkuar ta fitojmë, duke na dhënë në 1 milion vota, të paktën 84 kartonë jeshilë për të bërë reformën e madhe të drejtësisë dhe për të mos kursyer fuqinë e popullit sovran përballë të korruptuarish të veshur me petkun e njeriut të sistemit të drejtësisë. Dhe tani që reforma administrative është futur në rrugën e duhur dhe procesi ka marrë rrugën e përshtatur sipas peshës së jashtëzakonshme të kësaj reforme, duhet të çelim kantierin e ri që jemi përgatitur gjithë këta muaj, atë të reformës në drejtësi”,- tha Rama. Duke kujtuar 84 votat e nevojshme Rama tha se, Reforma në Drejtësi, synon mbi të gjitha atë standard europian që më së shumti i mungon vendit, ndëshkimin e të pushtetarëve. “Shqipëria e të gjithëve që akuzojnë dhe e askujt që ndëshkohet siç e meriton nuk është Shqipëria që meritojnë fëmijët tanë dhe nuk është as Shqipëria që presin partnerët tanë të ulet në tryezën e familjes europiane. Ndëshkimi i të pandëshkueshmëve është standardi europian që më shumë se çdo standard tjetër na mungon sot qysh prej shumë vitesh, por nuk mund të na mungojë dhe për vite të tjera pa kufij dhe vitet tona të këtij mandati të parë janë vitet e duhura për ta vendosur një herë e mirë këtë standard dhe për të bërë të mundur që dora e drejtësisë të mos ndalet më para askujt dhe në radhë të parë para të pandëshkueshmëve të veshur qoftë me kostumin e politikës, qoftë me petkun e njeriut të drejtësisë”,- deklaroi Kryeministri.

Statusi, Rama: Kemi arsye të besojmë  se kurrë s’kemi qenë më pranë  këtij objektivi strategjik 

Para deputetëve të grupit parlamentar të PS-së, Kryeministri Edi Rama dha nota pozitive për marrjen e statusit të vendit kandidat në qershorit. Për Kryeministrin vizita që shumë shpejt pritet të bëjë në Holandë me ftesë të kryeministrit të këtij shteti është një  provë e qartë. “Janë orë të mira për Shqipërinë dhe orë të vështira për shqiptarët. Orë të mira për Shqipërinë pasi nga njëra anë falë punës me mish e shpirt, ditë e natë skuadra e vetëdijshme për pritshmëritë e publikut ndaj saj, po rikthejmë jo vetëm besimin e njerëzve tanë tek shteti, por dhe besimin e familjes europiane tek Shqipëria. Po nxjerrim hap pas hapi Shqipërinë matanë hendekut të hapur nga keqqeverisja e djeshme  midis Europës dhe vendit tonë. Pas komunikimeve të fundit, qoftë unë, qoftë kryetari i Kuvendit, si dhe grupi i Ministrave të angazhuar për shkak të detyrës drejtpërdrejtë në këtë proces që kemi patur me miqtë dhe partnerët tanë kemi arsye të besojmë se kurrë s’kemi qenë më pranë këtij objektivi strategjik munguar për Shqipërinë për vite me radhë. Në këtë kuadër e lexojmë dhe ftesën e Kryeministrit holandez për një vizitë të afërt atje, një takim që më parë dukej i pamundur”,- tha Rama

Opozita kërkon të pengojë statusin

Rama akuzon opozitën se po përpiqen të pengojë marrjen e statusit në një kohë kur pak nga pak Europa po e merr me sy të mirë Shqipërinë falë vullnetit të qartë për të luftuar krimin e organizuar, kontrabandën e korrupsionin.

PD, peng i një grupi pushtetarësh të bërë tapë pas humbjes së pushtetit

Duke i cilësuar valë akuzash tërbimi që në themel të tyre kanë shpifjen, Kryeministri tha se, aksioni politik i opozitës nuk vë në rrezik qeverinë, veçse shpërndan një frymë dashakeqëse ndaj fateve të vendit. Për Ramën, PD ka mbetur peng i një grupi pushtetarësh të dehur nga humbja e pushtetit në 23 Qershor.