Dr. Ndriçim Mehmeti/ Udhërrëfyes (Guidë) që nuk tregon udhë

553
Sigal

Guida (udhërrëfyes) i Maturës Shtetërore 2014, pa kokë e pa këmbë

Në datën 2 maj, pata rastin të shoh në faqen e internetit të MAS, daljen e dokumentit të katërt të Maturës Shtetërore që titullohej Guidë. Duke dalë pak jashtë temës, më duhet të them, se Ministria e Diturisë, siç e quanin Rilindësit (këtu kam parasysh ata që e meritonin këtë emër në shek. XIX dhe fillimin e shek. XX), është e para që ka marrë përsipër të deformojë gjuhën shqipe në kohën e së ashtuquajturës “Rilindje e dytë”. Në një shkrim të para pak kohësh, kisha përmendur faktin se udhëzuesi, tingëllon shumë më bukur kur thuhet sqarues ose shpjegues. Këto ditë ka qarkulluar një peticion, apo më mirë të themi kujtesë e disa intelektualëve, kundër shtrembërimit të gjuhës. Do t’ju lutesha të merrnin në konsideratë faktin se “peshku qelbet nga koka dhe jo nga këmbët”. Nuk dua të hyj aspak në debatin e tyre, pasi nuk jam ekspert i fushës së gjuhësisë, por përpara se të kritikojnë institucione e vartësisë së MAS, le t’i kujtojnë drejtueses së këtij institucioni, të mos firmosë as ajo e as vartësit e saj, dokumente në të cilat gjuha shqipe deformohet apo zëvendësohet nga fjalë të huaja. Pra Guida, do të ishte më mirë të quhej Udhërrëfyes. Po ç’është ky dokument pompoz, të cilin ka marrë përsipër ta bekoj me përshëndetjen e saj Ministrja e Arsimit dhe Sportit? Një dokument pa kokë dhe pa këmbë!

Përshëndetja, e cila rrotullohet rreth fjalëve, sukses, cilësi e vërtetë dhe progres përfundon me përqafime. Ministrja mund t’u drejtohej maturantëve, prindërve dhe mësuesve, me përzemërsi, miqësisht, por përqafime, përveç një efekti populist, nuk tregon ndonjë gjë tjetër.

Për t’i vënë vulën përshëndetjes, shërben fjalia e fundit e ku thuhet: “Shfletoni me kujdes këtë guidë. Është vetëm në dorën tuaj që ta ktheni në një udhërrëfyes të suksesit personal dhe bashkërisht të mundësojmë progresin e cilësisë së vërtetë në Maturën Shtetërore 2014”.  Se në ç’mënyrë është në dorën e maturantit/kandidatit, që udhërrëfyesi të arrijë të kthehet në sukses personal dhe mundësojë progresin (zhvillimin) dhe cilësinë e vërtetë në Maturën Shtetërore, këtë mund të na e shpjegojë vetëm autorja e këtyre fjalëve. Por kjo fjali e ka një ndikim “pozitiv”: Në të gjithë ambientin e lumtur virtual të ekonomisë së zhvilluar, sigurisë në rritje, lirisë më të madhe të individit, do të ketë vend edhe për pak sukses të supozuar në arsim.

Si do të arrihet suksesi?

Prisja që ky udhërrëfyes, të bënte të qartë tek maturantët, se cila ishte/ishin, garancia/garancitë që MAS jepte, për atë shprehje të thënë e shkruar nga paraardhësit e tyre në guidat (udhërrëfyesit) e mëparshëm, se përgjegjësia e Ministrisë së Arsimit, është që “haka do të shkojë tek i zoti”. Nga fillimi deri në fund, për përgatitjen e udhërrëfyesit, që do t’i garantojë suksesin maturantit (por për çudi jo kandidatit), kanë shërbyer copëza të marra nga Rregullorja e MSH 2014 me fjalë të mëdha të huazuar nga ndonjë ligjërim elektoral dhe janë ngjitur mekanikisht, për të shpjeguar suksesin e shumëpritur.

Më konkretisht. Për të mbajtur lart moralin e maturantëve dhe kandidatëve, hyrja e titulluar “Provimet e Maturës Shtetërore”, fillon me fjalinë “Maturanti kandidati nuk quhet kalues, nëse ka marrë më pak se 20 % të pikëve të testit”. Fillimi i mbarë, thotë populli, gjysma e punës. Pra, MAS, është kujdesur që fillimisht t’u tregojë maturantëve/kandidatëve si mbeten, pastaj më vonë do ta marrin veshin dhe si do të arrijnë suksesin. Pikërisht për të siguruar suksesin, MAS është treguar shumë zemërgjerë, me kandidatët, pasi përfshin “edhe ata të vitit 201”, para ose pas Krishtit, kjo nuk ka rëndësi, por që kanë përfunduar maturën në shek. III. Duke qenë se këta në kohën e tyre nuk kanë pasur kushte, atëherë nuk do ta japin provimin e gjuhës së huaj.

Po kështu zemërgjerësia është edhe për ata maturantë që do të japin gjuhën e huaj, këtë vit, pasi nuk do t’u llogaritet kjo notë. Kështu që, ata që kanë mësuar dhe nuk kanë mësuar gjuhën e huaj, në emër të progresit vihen në një thes.

Datat e provimeve

Në Guidë lëndët dhe provimet e Maturës Shtetërore, janë renditur si më poshtë:

Gjuhë shqipe dhe letërsi          30 Maj

Matematikë                             9 Qershor

Gjuhë e huaj                            16 Maj

Provime me zgjedhje               18 Qershor

Siç shikohet është respektuar në maksimum rendi kronologjik. Fillohet me datën 30 maj vazhdohet me datën 9 qershor, bëhet një kthim i vogël në datën 16 maj dhe përfundojnë më datë 18 qershor. Bukur shumë. Në pamje të parë të krijohet përshtypja, se tani maturantët kanë më shumë kohë për të mësuar, kanë më shumë kohë për të pushuar dhe ata që kanë ndërmend të shkojnë jashtë vendit kanë më shumë kohë, për përgatitjen e dokumenteve. Shumë mirë. Po a nuk duhet respektuar në vendosjen e datave, kronologjia? Për më tepër një provim i detyruar i Maturës i sanksionuar si i tillë në  ligjin 69/2012 dhe i mbështetur fuqimisht nga programi i PS për arsimin, meqenëse zhvillohet i pari duhet të quhet D1 dhe jo D3. Ja që kjo mund të jetë një lajthitje e momentit. Po a mund të na shpjegojnë autorët e Guidës, se ç’ndodh me një maturant i cili merr provimin e gjuhës së huaj (që me shumë gjasa do ta marrin që të gjithë) dhe nuk arrin të kalojë në një lëndë mësimore në vitin e tretë? Atij do t’i thuhet që nuk hyn në provimet e Maturës, por në fakt ai e ka marrë një provim, ende pa u mbyllur shkolla. Edhe kjo hyn në lehtësitë e krijuara, njësoj si për kandidatët e vitit 201.

Si do të zhvillohen provimet?

Orari i zhvillimit të provimeve, ka një ndryshim thelbësor me vitet e kaluara. Është përcaktuar se “Maturantët/kandidatët që do të japin provim të Maturës Shtetërore, njërën nga lëndët me zgjedhje, do të fillojnë provim në orën 10:00 dhe do të përfundojnë atë në orën 12:00”. Në vitet e mëparshme, kjo kategori e maturantëve/kandidatëve, futej në provim në orën 11 dhe përfundonte në orën 13.00. Dhe kjo bëhej me qëllimin për të mos lejuar, daljen përpara të tjerëve, për të mos ndenjur për një kohë të gjatë në mjediset e shkollës dhe së fundi për të shmangur daljen e mundshme të pyetjeve të testit, jashtë shkollës. Tani me ketë ndryshim i hapet rruga, mundësisë së kopjimit. Pra siguria e shumëpërfolur, cenohet. Këta maturantë/kandidatë, mund të informojnë ose dezinformojnë për procesin e maturës, çka e komprometon provimin me zgjedhje.

Këshillimi i karrierës

Këshillimi i karrierës do të jetë vetëm për maturantët. Këtu nuk përfshihen kandidatët, pra ata që kanë mbaruar përpara vitit 2014. Mënjanohen nga mundësia e njohjes me institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat, edhe emigrantët e kthyer në Shqipëri, shqiptarë të diasporës që duan të studiojnë në Shqipëri, apo bashkatdhetarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Medvegj e Bujanovc. Për këtë  kategori, e cila së fundmi, është vënë në qendër të vëmendjes së programeve shumë planëshe të qeverisë, ndoshta ka një program të veçantë, për këshillimin e karrierës. Në mënyrë të tërthortë përmenden edhe shtetasit shqiptarë dhe të huaj. Meqenëse, Ministrja, deklaron në fjalën përshëndetëse, se ka ndërtuar me kujdes paketën e masave për Maturën (të cilën ia dhamë me shpirtmadhësi dhe përgjegjësinë e zyrtarit, të gatshme dhe deri më sot nuk ka shtuar asnjë resht, vetë ajo apo vartësit e saj), të na thotë se a ka dalë udhëzimi, për shtetasit shqiptarë që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë shtetit?

Mbase në valën e përpjekje të mëdha, që të njehsojmë sistemin tonë arsimor me atë të Republikës së Kosovës, ky grupim maturantësh apo kandidatësh, është harruar “pa dashje”. Megjithatë është ende shpejt, kështu që mund të kemi edhe surpriza të reja me ose pa përqafime.

Detyrat dhe të drejtat e maturantit/kandidatit

Duke folur për këto të drejta, vihet në dukje, ndihma që do t’u jepet të gjithë nxënësve me probleme shëndetësore. Ky veprim është për t’u përshëndetur, por duhet thënë se këto të drejta janë të parashikuara mjaft mirë në Rregullore dhe nuk është se i ndriçojnë rrugën drejt suksesit kësaj kategorie. Ndërsa për maturantët e paraburgosur, është një veprim human dhe ligjor. Po si do të vijnë ata në ambientet e provimeve të MSH. A ka një Udhëzim apo urdhër të përbashkët mes MAS, MB dhe DPB? A mundet se vetëm një përcaktim i tillë në një Guidë, do të detyrojë Policinë e Shtetit dhe punonjësit e burgjeve, dhomave të paraburgimit të marrin masat e nevojshme për këtë kategori kandidatësh/maturantësh? Kush do t’i këshillojë në këto ambiente këta kandidatë/maturantë? Natyrisht, që nuk përcaktohen në Guidë, por në paketën e masave që pretendohet se tanimë është e përfunduar për një miradministrim. Ndonëse nuk gjejmë në asnjë mjet informimi zyrtar këto masa, thuhet me ngulm se këto janë marrë. Vështirë t’i besosh fjalëve, pa shkruar dhe miratuar asnjë resht.

Maturantit/kandidatit nuk i njihet rezultati

Në rubrikën e faqes 9 të Guidës, ka 8 pika, që pretendohet se shtjellojnë rastet, ku maturantit/kandidatit nuk i njihet rezultati.

Prej pikës 6 dhe deri në pikën 8, a mund të më thotë dikush, se çlidhje kanë me mosnjohjen e rezultatit? Le t’i sjellim ashtu siç janë shkruar (gjithsekush i shikon vetë se sa gabime drejtshkrimore ka në dy fjali) dhe të përpiqemi mos kuptojmë diçka mes rreshtave:

6.  “Maturantët/kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së caktuar, nuk mund të dalin nga qëndra e provimit para kohës së përfundimit të provimit. Ata grumbullohen brënda qendrës së provimit, në një mjedis të përcaktuar më parë.

7. Kur maturanti/kandidati vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit, ka të drejtë të informojë Administratorin e Provimit, Përgjegjsin e Administratimit të Provimit dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

8. Maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit pas përfundimit të së gjithave provimeve, me një kërkesë drejtuar Komitetit Shtetëror të Maturës Shtetërore. Afatet e kërkesës përcaktohen me Udhëzim të veçantë të Ministrit. Proces rivlerësimi të testit nuk do të ketë”.

Veçanërisht pika 7 dhe 8, jo vetëm që nuk janë shkruar shqip, por krijojnë një ngatërresë për të gjithë. Kush është Komiteti Shtetëror i Maturës Shtetërore? Me çfarë akti nënligjor është ngritur ky organizëm dhe cilat janë detyrat e tij? Si do të përballohen nga ky Komitet kërkesat e shumta për fotokopje testi, nga të gjithë maturantët e Shqipërisë? Mos ndoshta është ngatërruar Komitetit Shtetëror i MSH me Komisionin Shkollor të MSH (KSHMSH)?  Vetëm autorët e Guidës mund të na i rrëfejnë të gjitha këto dilema.

Të rejat e vjetra të Guidës

Si të gjithë dokumentet e dala deri më sot, edhe Guida nuk i ka shpëtuar dot paaftësisë për të lexuar dhe shkruar mirë dokumente rutinë që janë pjesë e Maturës prej vitit 2007, gabimeve drejtshkrimore me thasë dhe për t’i vënë kapak, edhe pamundësia për të kuptuar se çfarë duan të thonë me këtë dokument. Për çfarë shërben ky dokument? Të ruajë ritmet e maturantit? Përshpejtimin e procesit të këshillimit, vetëm dy javë para provimit të parë? Për të treguar  “ide novatore”? Cili është njoftimi ri? Ku tregohet rruga drejt suksesit të madh? Asnjërën nuk e gjejmë dot këtu. E reja që maturantët e mësojnë përmes shtypit, pasi nga gazeta mësojmë shumë të mira që do na sjellë qeveria, është fakti se nuk do të ketë formular A3. Gjithçka do të mbyllet brenda fazës së dytë. Në shpjegimin e kësaj procedure të re, përfaqësues të MAS, ngaqë ende nuk e dinë si funksionin Matura, përdorin fjalinë se “nuk do të ketë më shtesa”, por vendin e atyre që nuk do të regjistrohen do ta zënë të tjetër. Kjo ka ndodhur gjithmonë dhe asnjëherë nuk ka pasur shtesa, pasi kuotat vendosen, jo nga Ministri, por dalin me VKM, së bashku me tarifat e shkollimit. Kështu që askush nuk bënte shtesa. Sa për rishpërndarjen e kuotave, në ato programe, ku nuk kishte interes nga të rinjtë kuotat zeroheshin ose “digjeshin” edhe vite më parë. Ka mundësi që në MAS ata që kanë ardhur të rinj, procesin e MSH nuk e dinë mirë, ndërsa ata që kanë mbetur nga administrata e parë, duke mos u marrë me punë, por me mbledhje dhe shpërndarje informacioni, e kanë vështirë të mësojnë, të bëjnë ndonjë punë. Pres që MAS, të nxjerrë një dokument, produkt i punës së tyre, për të cilën paguhen nga shteti dhe populli. Por kjo ditë, mesa duket, do të jetë e largët. E vërtetë e pakundërshtueshme, se dështimet e MAS, mbulohen nga propaganda e aktiviteteve të gëzueshme dhe fjalëve të bukura. Një gjë është e njohur botërisht: Ditën që propaganda ia zë vendin punës, atëherë duhet të përgatitemi se ditë më të këqija do të pasojnë. Në 17 vjet punë si mësues dhe zyrtar i Ministrisë së Arsimit, kurrë nuk kam parë një nivel kaq të dobët të një dokumenti me kaq rëndësi. Kurrë më parë gjuha shqipe nuk është keqpërdorur, në pak reshta të një Guide, si kjo e Maturës Shtetërore 2014, apo e maturantit, siç kërkojnë ta quajnë. Dhe pse ndodh kjo?

“S’ka dyshim se politikanët-turma e njerësve të errët që përdorin politikën, jo si udhë po si qëllim-kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. Unë s’këndoj kurrë gazetat e Shqipërisë, s’e kam shfaqur arsyen tjatër herë), zura këto javët e fundit t’i këndoj me regull që të kuptoj rrjedhjet politike të vendit, dhe gjer tani nuk arrita të zbuloj gjësendi”. Pasi përshkruan këtë situatë të mjegullt dhe pakuptimit të Shqipërisë, Konica, daljen nga situata e sheh, “duke stërvitur Popullin për një të nesërme më të kthiellt dhe duke përkrahur çdo guvernë që të japë ca garantuar të pakta ndërgjegjje dhe pune, pa kërkuar nga ky brez i korruptuar gjëra të pamundura”.