Vullnet Skëndaj*/ “Eksperimente” që po shkatërrojnë sistemin arsimor

761
Sigal

Kur bëhet fjalë për aplikim të kurikulave të reja në sistemin arsimor të një vendi si Shqipëria, patjetër duhen marrë për bazë shumë faktorë. Një ndër ta do të ishte përvoja 80-90 vjeçare e fituar jo vetëm gjatë sundimit komunist, por edhe më parë. Në arsimin shqiptar është punuar nga një brez i talentuar mësuesish, gjuhëtarësh dhe njerëz të shquar që kanë dhënë ndihmesën e tyre të padiskutuar në fushën e pedagogjisë, të metodave mësimdhënëse, në drejtim të teksteve e programeve lëndore e në tërësi.

Ç’ndodhi me hartimin e kurrikulave pas viteve ‘90

Hartimi i kurikulave të reja mësimore, pas viteve 90-të, nuk ka filluar nga boshllëku, nga niveli zero. Por ç’ndodhi në fakt me hartimin e kurikulave të reja? Gjëja kryesore që bie në sy, është një kopjim 100 për qind i sistemeve kurikulare të disa vendeve perëndimore. U aplikuan sisteme greke, franceze, skandinave e kanadeze, amerikane etj. Por bruto nuk mund të merret asgjë dhe as nuk mund të zbatohet. Sepse rendja pas një tradite arsimore të një vendi, pastaj përqafimi i një tradite tjetër, e kështu me radhë e ka kthyer arsimin tonë si pas modelit “turli sade, mish patate…”. Akoma në sistemet kurikulare vihet vërdallë, duke u endur midis enigmave, zhvillim linear, koncentrik apo spiral? Nuk merret vesh se çfarë bëhet. A ka thjesht riciklim të njohurive, njohuri të reja apo…? Vazhdon kështu loja me kungulleshka. Bazuar në përvojën e deritanishme të kuadrove mësimdhënës në sistemin 9-vjeçar, po japin disa mendime. Sistemet e kurikulave që janë aplikuar deri tani, janë tejet të rënduara, me shkallë të lartë vështirësie, me vëllim shumë të madh të njohurive të reja. Çdo kurikul lëndore ka shumë ngarkesë teorike. Raporti teori-praktikë (ushtrime) shpesh anon nga teoria 2:1, 3:1, kur duhej të ishte e kundërta. Në lëndë të tilla si matematikë, fizikë, kimi, biologji por edhe gjuhë shqipe apo letërsi, ky raport duhet të ishte: 1:3, pra, një orë teori dhe 2-3 orë ushtrime.

Përvetësimi i njohurive

Të gjitha këto që shënuam më lart, krijojnë pamundësinë e përvetësimit të njohurive, pra asimilimi dhe krijimi i qëndrueshmërisë së dijeve është zvogëluar. Nxënësit gjatë kalimit në klasa më të larta, duhet të kenë arritur të mbajnë mend njohuritë bazë nga ato që kanë marrë në vitet e kaluara. Por, në shumicën dërmuese ka ndodhur dukuria e harresës, e kthimit në zero. Pse kështu? Sepse, jo vetëm këto kurikula janë marrë bruto nga përvoja e vendeve të tjera, por gjatë hartimit të tyre nuk janë marrë fare për bazë edhe disa faktorë të tjerë si: niveli i zhvillimit intelektual sipas grupmoshave (aftësitë mendore të fëmijëve), aftësitë aplikative të këtyre njohurive në kushtet e shkollave tona, të infrastrukturës së tyre, të mundësive dhe pajisjeve me mjete mësimore didaktike. Ndërsa vendet nga ne kemi huazuar bruto sistemet kurikulare, i kanë shkollat të modernizuara, të pajisura, të kompletuara jo vetëm me ato gjërat e vogla që i duhen shkollës, por deri edhe me kompjutera për çdo nxënës, për çdo shkollë. Ato janë pajisur me laboratorë modernë që sigurojnë 100 për qind realizimin e sistemeve kurikulare të tyre. Po tek, ne çfarë ka? Mungojnë akoma banka, tavolina, tabela. Punohet akoma me shkumës, mungon ngrohja, ndriçimi, uji. Sa për mjetet mësimore didaktike, atyre në shumicën e rasteve… nuk u dihet emri.

Kurrikula e Gjuhës Amtare

Le ta konkretizojmë me ndonjë lëndë që jepet aktualisht në arsimin 9-vjeçar.

Marrim kurikulat, që zbatohen në lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë, e thënë ndryshe, alla moderne, Gjuha Amtare. Çfarë u bë me të?

Fillimisht, që nga mënyra se si u konceptuan dhe u reformatuan këto lëndë (Gjuha Shqipe + Letërsia), vepruan gabim. Para vitit 2007, orët e gjuhës shqipe ishin 3 + 3. Ato zhvilloheshin si lëndë të veçanta me kurikula të ndara si dhe me tekste gjithashtu të veçanta. Me kurikulën e re u bë bashkimi në një lëndë, duke u quajtur Gjuha Amtare, ku ishin parashikuar 5 orë gjithsej në javë. Nga këto kurikula parashikonte 3 orë Letërsi + 2 orë Gjuhë Shqipe. Në mënyrë krejtësisht të pa argumentuar Gjuhës Shqipe iu hoq një orë nga programi. Që këtu filloi gabim. Pse? Sepse baza dhe themeli i formimit gjuhësor, por edhe si kulturë e përgjithshme për një njeri fillon nga Gjuha Shqipe.

Si mund të bësh dy orë Gjuhë Shqipe në javë e t’u mësosh fëmijëve të njohin e të zbatojnë rregullat gramatikore; të lakojnë, të zgjedhojnë, të shkruajnë pa gabime gjuhën shqipe?

Mangësitë e teksteve

Njohuritë e Gjuhës dhe të Leximit janë përfshirë në një tekst të titulluar “Gjuha Amtare”. Shikojmë në përgjithësi disa mangësi në këto tekste. Në Gjuhën Shqipe, në Ciklin e Ulët (1-5) janë futur njohuri nga sintaksa, përbërësit e fjalisë, kryefjala, kallëzuesi, kundrinori, rrethanori. Por, a është harruar, a është bërë me vetëdije fakti se në këto vite nxënësit nuk i kanë marrë akoma njohuritë (pa lëre për t’i konsoliduar) në morfologji, në klasën e fjalëve. Ato akoma nuk kanë mësuar njohuritë e duhura për emrin, mbiemrin, foljen, parafjalët, ndajfoljen…. etj. Për mendimin tonë, futja dhe trajtimi i njohurive nga sintaksa është i nxituar dhe pa vend. Sepse, nxënësit në fillore kanë më shumë nevojë për kohë e hapësirë që të njohin më mirë, të krijojnë shprehi për klasën e fjalëve. Ata duhet të mësojnë, të lakojnë emrat, mbiemrat, përemrat. Ata duhet të mësojnë të zgjedhojnë foljet e t’i vendosin ato siç duhet në fjali. Duhet të mësojnë se si lidhen fjalët, të shprehen bukur, rrjedhshëm me fjali të plota, me kuptim e përmbajtje. Pra, nxënësit në fillore kanë nevojë të mësojnë elementët bazë nga fusha e morfologjisë, t’i shqiptojnë si duhet e t’i shkruajnë sipas rregullave drejtshkrimore. Hallka e ndërmjetme, ku nxënësit duhen të fillojnë të marrin njohuritë e para nga fusha e sintaksës duhet të ishte klasa e pestë. Por edhe këtu këto njohuri duhen futur me kujdes, pak e saktë, në përputhje me nivelin dhe aftësitë asimiluese të tyre. Po t’u referohemi teksteve të gjuhës shqipe për klasat nga e pesta deri tek e nënta, themi me bindje se kurikula e parashikuar dhe e zbërthyer në këto tekste ka jo vetëm vëllim të madh të njohurive për orët e programuara por kryesorja, raporte teori-praktikë (orë ushtrimesh) është ose 3,2:1 ose më e pakta 2:1 (pra 2-3 orë teori dhe vetëm 1 orë ushtrimesh).

Për konkretizim do të sjellim disa shembuj nga teksti “Gjuha Shqipe 9”. Fillohet me morfologjinë, me trajtat e thjeshta dhe të bashkuara. Duke u konsideruar “të mësuara” nga vitet e kaluara, ata parashikohen dhe trajtohen vetëm në 1 orë mësimi. Si mund të përvetësohen në një orë? Këtë e dinë ata që kanë hartuar kurikulën e gjuhës. Trajtohet e ardhmja e së shkuarës, vetëm në një orë. E pse duhet ajo? Vetëm sa për t’ua bërë kokën sallatë nxënësve. Vazhdohen duke dhënë lloj-lloj hollësirash për diatezat e foljeve duke “shpikur” 4 lloj prej tyre nxënësit duhet të mësojnë vetëm diatezat veprore e pësore, bishtrat me vetvetore e mesore, jo vetëm janë të tepërta e pa vlerë, por i çorodisin nxënësit. Në ciklin 9-vjeçar nxënësit përgatiten për të vazhduar shkollat e mesme e pastaj më lartë. Hartuesit e kurikulës dhe ato që kanë bërë tekstet, siç duket kanë synime të përgatisin gjuhëtarë…!? Teksti vazhdon me lloj-lloj hollësish për parafjalët, pasthirrmat, pjesëzat, jo vetëm me shumë teori pa kuptim, por pa mundësi përvetësuese. Pse duhen gjithfarë hollësish? Një zot e di! Gjuha Shqipe ka nevojë patjetër për konkretizimi për zbërthime argumentuese, pra për më shumë orë ushtrimesh, për më shumë hapësirë praktike. Raporti duhet të ishte, në orët e vështira 1:3, pra 1 orë teori dhe 3 orë ushtrime praktike. Me pak fjalë, ky tekst është hartuar për të përgatitur gjuhëtarët e jo nxënës shkolle. Në Ministrinë e Arsimit, apo në “kuzhinën” ku gatuhen këto tekste, ngopen me shifra mashtruese. Të njëjtën gjë do të thoshim edhe për lëndën e Leximit Letrar. Nuk po i futemi përmbajtjes sepse diku tjetër do ta trajtojmë atë, por po i mëshojmë këtu problemeve të rubrikave që jepen në fund të çdo cope letrare, të quajtura ndryshe “Pjesë e aparatit pedagogjik”. Shumica e këtyre rubrikave janë shumë të rënduara, me pyetje që kërkojnë përgjigje shumë të vështira. Të duket vetja sikur dëgjon rebuset e Shvejkut nga “Ushtari i mirë Shvejk”, i cili pasi drejton e jep shumë hipoteza në fund pyet: “Gjeni çfarë bën portieri i shtëpisë…? Ka ardhur koha t’i themi me plot gojën: “Mjaft më me eksperimente e shpikje që po e shkatërrojnë sistemin arsimor, sistemin e kurikulave në shkollat tona!” Nuk ka se si në lëndën e muzikës, parashikohen tema të vështira duke e ditur shumë mirë se në shkollat tona gati 50-60% e mësuesve profesionistë në këtë lëndë, mungojnë. Në shkolla, jo vetëm mungojnë mësuesit profesionistë të muzikës por në to, në shumicën e rasteve, nuk ka asnjë vegël muzikore. Atyre nuk u bie askush. Nuk ka salla veprimtarësh e aktivitetesh. Si mund të mendohet për Bethovenin, Moxartin etj.?

Po t’i futesh kurikulave në lëndët e tjera si: Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji, Histori, Gjeografi etj., kushedi se çfarë “xhevahiresh” do të dilnin. Sistemi i kurikulave duhet të jetë një proces në vazhdim. Me të duhet ecur me kujdes, me siguri, hap pas hapi, sikundër e kërkon koha.

*Mësues