Dorina Rapti: Kalueshmëri qesharake në provimin e lëndëve dyshe. Të shihet kurikula në universitete

841
Sigal

Intervistë/ Dorina Rapti, Shefe e Arsimit Profesional në MASH: Mësuesit që kaluan provimin e shtetit, gati për tregun e punës

 Në fund të korrikut u zhvilluan provimet e shtetit në mësuesi, ku morën pjesë rreth 82 % e atyre që u regjistruan. Kalueshmëria e provimeve në përgjithësi ishte 61 %. Po problemi, që është ndeshur këtë sezon në provimet e shtetit të mësuesisë, ka qenë provimi i lëndëve dyshe. “Provimet në këto lëndë kanë pasur dhe rezultate më të dobëta, sesa kur kandidatët kanë qenë të fokusuar në një profil të caktuar”, shprehet në intervistën për “Telegraf”, znj. Dorina Rapti, Shefe e Sektorit të Arsimit Profesional në MASH. Znj. Rapti shprehet se për këtë problem duhen parë shkaqet, prandaj ajo sugjeron që të shihet dhe një herë kurikula universitare i lëndëve dyshe, siç janë ato të matematikë-fizikës, kimi-biologjisë, matematikë-informatikës, apo histori-gjeografisë. Ndërsa të gjithë mësuesit e rinj, të cilët e morën provimin, janë gati për të aplikuar në vendet e punës ku ata synojnë, pasi emrat e tyre janë në çdo DAR/ZA.

Sot shënojmë gati një muaj nga përfundimi i provimeve të mësuesisë, që u dhanë në fund të korrikut.

Siç e thatë dhe juve, në fund të korrikut u zhvilluan provimet e sezonit të dytë, pra për herë të dytë të provimeve të shtetit në mësuesi. Ishin parashikuar të merrnin pjesë rreth 782 kandidatë sipas planifikimeve, por morën pjesë 644, pra morën pjesë rreth 82% e të regjistruarve. Kalueshmëria është 61%, që tregon që relativisht është një kalueshmëri e mirë për një provim shteti siç është mësuesia.

Tashmë janë zbardhur rezultatet. Në cilin nga profilet u arritën rezultate më të mira, dhe duke i specifikuar ato?

Ajo që dua të theksoj, pra që ka ndeshur më shumë problem, kanë qenë lëndët dyshe që do të thotë: histori-gjeografi-edukatë, biologji-kimi, ose matematikë-fizikë, matematikë-informatikë. Provimet në këto lëndë kanë pasur dhe rezultate më të dobëta, sesa kur kandidatët kanë qenë të fokusuar në një profil të caktuar. Kështu për shembull matematikë-fizika ka pasur një kalueshmëri 14 %, një kalueshmëri shumë e ulët, ndërkohë që vetë matematika ka një kalueshmëri 86 %, kalueshmëri kjo shumë e mirë, ndërkohë që fizika ka një kalueshmëri 30 %, pak e ulët, por më e lartë se provimi dysh. Në informatikë ka një kalueshmëri 100%, ndërsa në matematikë informatike kemi kalueshmërinë 18%. Ja, kemi sërish bio-kiminë ku kalueshmëria është 14 %, ndërsa veç e veç, biologjia e ka kalueshmërinë 74 %, ndërsa kimia 72 %. Bazuar në kategorizimin e profileve, në përgjithësi kalueshmëria më e mirë ishte në lëndët e shkencave sociale, ndërkohë që në shkencat ekzakte kemi një kalueshmëri më të dobët. Tani unë mund t’i specifikoj: Në Gjuhë Shqipe kalueshmëria ishte 74 %; në Gjeografi 75%; në Histori 74%; ndërsa dhe në gjuhët e huaja ka kalueshmëri të mira; në anglisht është 70 %, italisht 86 %, greqisht 100 %.

Pse vjen ky problem sipas mendimit tuaj?

Ndoshta duhet parë dhe një herë kurikula, pasi siç e thamë dhe më sipër, në shkencat sociale kalueshmëria është shumë mirë 88%, domethënë kjo dominon, por dhe në shkencat ekzakte në veçanti mirë, por lëndët dyshe janë problematike për sa i përket kalueshmërisë. Ose kurikula e universitetit duhet parë një herë në formimin e dy lëndëve, domethënë që të shikohet ku janë problemet, gabimet, ku çalojnë, sepse fondi i pyetjeve dhe programi janë bërë direkt nga vetë pedagogët që i zhvillojnë këto lëndë. Pra, ky është dhe problemi i lëndëve dyshe, duhet të bisedohet me pedagogët se ku qëndron problematika.

Deri tani folëm për kalueshmërinë, po nota mesatare sa është në përgjithësi për provimet e mësuesisë?

Deri tani në folëm për kalueshmërinë, por cilësia mund të them që është nota 7 e poshtë, domethënë shumë pak mund të ketë 8, ose 9 tek-tuk, por mbizotëron niveli mesatar, këtë mund të nxjerrim si konkluzion, është një cilësi mesatare. Megjithatë ajo që do vija re nga hera e parë, ka një tendencë në rritje të kalueshmërisë në përqindje dhe në lëndë të caktuara kemi dhe rritje të cilësisë.

Pra, kushdo që merr notë kaluese 5, është i aftë që të japë mësim?

 Po, është përcaktuar kjo notë, se nota 5 merret me 50 % të pikëve, pra mbi gjysmën. Dhe për derisa merr licencën, në licencë shkruhet dhe vlerësimi që ka marrë. Është si puna e diplomës, që e merr në universitet, dhe dikush e ka marrë me rezultate të shkëlqyera, dikush me rezultate të dobëta, por diploma merret. Pastaj tregu i punës i përzgjedh vetë ata që do.

A i morën certifikatat mësuesit e rinj?

Certifikatat për grupin e dytë nuk janë përgatitur akoma dhe ndoshta nga shtatori mund të përgatiten.

Po, a nuk i pengon kjo për të filluar punë?

Jo, ne prandaj e bëmë këtë provim në korrik, sepse listat e atyre që kanë kaluar dalin menjëherë, pra përpunohen shumë shpejt nga AKP-ja që i kryen këto provime. Në momentin që vijnë listat, ne ua dërgojmë DAR/ZA-ve, kështu që ata e kanë para syve, si të thuash, se kush ka fituar, dhe në momentin që ai aplikon emri është aty, pavarësisht certifikatës që nuk e ka marrë ende. Certifikata është si puna e diplomës, që kartoni merret pas 6 muajsh, por ndërkohë ti e ke mbaruar fakultetin. Kështu ndoshta certifikata mund të vonohet për shkak të procedurave, por kjo nuk e pengon për të aplikuar për punë, sepse ai përveç që ka marrë letrën e printuar me rezultatin direkt në provim, çdo Drejtori Arsimore merr, nga ne si ministri, listën e atyre që e kanë kaluar me sukses provimin. Pra, nëse do të aplikojë për punë tani në shtator, ai është i lirë se nuk e pengon asgjë. Prandaj dhe e bëmë provimin në korrik për t’u dhënë mundësi të gjithëve që donin të ushtronin profesionin që këtë vit shkollor.

Pjesëmarrje e vogël në provimin për Ciklin e Ulët

Praktikantët kanë kryer dhe kanë përfunduar në qershor praktikën profesionale, janë vlerësuar nga Drejtoritë dhe Zyrat Arsimore për praktikën e tyre dhe  në bazë të vlerësimit, ata kanë arritur që të futen në provimin e shtetit. Të gjithë praktikantët kanë pasur mundësi të marrin programin orientues të provimit dhe fondin e pyetjeve që në maj. Ideja është që nga ai fond pyetjesh përzgjidhet pastaj testi, pra dhe përgatitja e tyre ka qenë shumë praktike, ndërkohë që komisionet e hartimit dhe të vlerësimit kanë qenë pedagogë të përzgjedhur nga të gjithë universitetet e vendit, sipas profileve përkatëse. Për herë të parë këtë vit në provim ishte dhe Cikli i Ulët, ku u regjistruan 8 vetë, morën pjesë 4 dhe kaloi 1, pra kalueshmëria 25 %. Numri i pjesëmarrësve në provimin e Ciklit të Ulët pritej që të ishte më  madh, por në fakt vetëm 4 veta kanë marrë pjesë.