Një udhëtim i shkurtër në Mars dhe Venus, dallimet gjinore

    569
    Sigal

    Prej shekujsh janë bërë përpjekje të kuptohet se çfarë i dallon meshkujt nga femrat

    Burrat dhe gratë janë saktësisht njësoj. Po bënim shaka. Po t’i qëndronim këtij këndvështrimi ideologjik, ky kapitull do të ishte shumë i shkurtër. Është e vërtetë se shumë nga ndryshimet mes sekseve janë ekzagjeruar, ndërsa disa të tjera janë stisur. Bota është plot me burra që bëjnë punët e shtëpisë e me gra agresive. Po kështu, mesatarisht, zgjuarsia tek të dyja sekset është e barabartë. Por, sikurse mund ta dijë shumë mirë cilido që ka rritur fëmijë, vajzat dhe djemtë lindin me pajisje të ndryshme në hapësirën mes veshëve. Ka aq shumë ndryshime në zonat e trurit të dy gjinive, sa vetëm duke iu referuar atyre mund të mësojmë se kush vesh pantallona e kush fustane. Le të imagjinojmë një çast se përse burrat dhe gratë mendojnë ndryshe kur s’janë në krevat. Dimë se hormonet ndikojnë në mënyrën se si funksionon truri; gjithashtu, se hormonet e seksit, si testosteroni dhe estrogjeni, gjenden në sasi jo të barabarta te meshkujt dhe femrat. Këto hormone kanë ndikim veçanërisht të fortë përpara dhe menjëherë pas lindjes, kur truri i foshnjave është në formim e sipër; megjithatë, luajnë rol të drejtpërdrejtë edhe në trurin e të rriturve. Edhe format e trurit ndryshojnë tek të dyja sekset – ndoshta si rezultat i këtyre dy hormoneve – ndonëse pjesa më e madhe e ndryshimeve janë shumë të vogla. Truri i femrave ka një sipërfaqe më të madhe dhe me më shumë lidhje mes zonave; ndërsa truri mashkullor ka vëllim më të madh, edhe nëse bëhet fjalë për burra me trup të bëshëm. Nëse kemi parasysh këto dallime, s’do të habiteshim shumë që burrat dhe gratë priren të sillen në mënyra të ndryshme. Mirëpo sjellja njerëzore përcaktohet jo vetëm nga biologjia, por edhe nga përvoja e mësimi, që ne rëndom e quajmë “kulturë”. Shumica e fëmijëve kërkojnë të imitojnë të rriturit e parapëlqyer. Nëse vajzat ndëshkohen kur bëjnë pis veshjet, ndërsa djemtë e ndiejnë se prindërit (edhe pse mund të mos e shfaqin) janë të kënaqur për këtë “shenjë burrërie”, vështirë të arrinim në përfundimin se mbajtja pastër e veshjeve është prirje që vajzave ua dikton natyra. Shumë adoleshentë besojnë se burrat i shohin si më pak joshëse gratë e zgjuara (megjithëse, për fat, shumë nga ne e dimë më mirë këtë fakt). Ndërkaq, efektshmëria e shkollave vetëm për vajza tregon se ato mund të korrigjojnë sjelljen dhe aftësitë akademike, duke e i hedhur poshtë këtë ide. Gjithashtu, opinionet e krijuara mund të  ndikojnë  në vlerësimin e të tjerëve. Në vitet ’70, në komunitetin e muzikës klasike u hap debati nëse gratë ishin të afta sa edhe burrat në këtë gjini muzikore. Kjo duke u mbështetur edhe në faktin se orkestrat më të mëdha përbëheshin më tepër nga burra. Kështu, disa aktivistë feministë bindën disa drejtues orkestrash të dëgjonin muzikantët teksa luanin pas një perdeje. Më pas, të jepnin gjykimin e tyre. Surprizë! Njëzet vjet më pas, gjysma e muzikantëve në pesë orkestrat më të mira në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gra. Ndërsa në Europë, shumë muzikantë ende besojnë se gratë nuk mund t’u bien aq mirë veglave muzikore sa meshkujt.. Pra, si e bëjmë dallimin mes ndikimeve biologjike dhe kulturore në sjellje? Është absolutisht e vështirë t’i veçojmë të dy faktorët, meqë mjedisi përcakton mënyrën se si funksionon truri. Mirëpo, mund të bëjmë hamendësime duke u mbështetur në dijet dhe nivelin shoqëror. Për shembull, dallimet që vërejmë te meshkujt dhe femrat e specieve të tjera, në pjesën më të madhe pasqyrojnë ndryshime të karakterit biologjik. Për shembull, minjtë nuk kanë ndonjë zhvillim të madh kulturor. Sjelljet me baza të forta mashkullore në kulturat e ndryshme, mund t’i detyrohen karakterit mashkullor (megjithëse kjo do të pasqyronte më shumë forcën e muskujve të meshkujve dhe jo detyrimisht trurin e tyre). Le të shohim disa dallime gjinore, më të dukshme dhe më bindëse, që janë dokumentuar te njerëzit. Dallimet duken qartë në procesin e orientimit në hapësirë. Jo sepse meshkujve nuk u pëlqen të pyesin për drejtimet – mundet që kjo të ketë më tepër karakter kulturor – por është karakteristikë e tyre të mendojnë ndryshe nga femrat për rregullimin fizik të botës. Edhe në rastin e minjve, femrat varen më shumë nga “piketat” që të orientohen rreth folesë, ndërsa meshkujt veprojnë përmes një harte mendore të hapësirës. Për shembull, imagjinoni një labirint në të cilin rrugët që çojnë te shpërblimi përcaktohen me anë të figurave të vizatuara pranë pikënisjes, apo figurave të largëta që janë vizatuar në muret e dhomës. Rrotullimi i labirintit që të çon përballë një muri tjetër të dhomës (gjë që ndryshon të dhënat mbi distancat), nuk ndikon shumë te rezultatet e femrave, por i ngatërron minjtë meshkuj. Ndryshimi i pikave referuese sjell më tepër rezultate te minjtë femra, se sa tek ata meshkuj. Sipas po së njëjtës logjikë, nëse dëgjoni dikë të shpjegojë “kalo kishën në të majtë, më pas kthehu djathtas dhe vazhdo drejt pranë disa pallateve, aty ku gjendet një shtëpi që ka një pishë përpara oborrit”, ka shumë mundësi që po dëgjoni të flasë një grua. Nëse dëgjoni dikë që thotë “drejtohu nga jugu për dy kilometra, e më pas në lindje për një kilometër”, mundet që shpjegime të tilla të jepen nga një burrë. Këto dallime shfaqen edhe në mënyrën e arsyetimit mbi orientimin në hapësirë. Për shembull, për një objekt të fotografuar nga një kënd, burrat janë shumë më të shpejtë dhe më të kujdesshëm në përcaktimin nëse në një fotografi të dytë është fjala për një objekt tjetër apo për të njëjtin, por të fotografuar nga një kënd tjetër. Mundet që ky dallim të lidhet me hormonet: nëse një gruaje i jepet testosteron (hormon mashkullor), ajo menjëherë shkathtësohet në teste të këtij lloji (mirëpo, pas disa kohësh, këtyre u dalin qime në fytyrë e gjoks, ndaj nuk vlen si zgjidhje e përshtatshme për femrat). Dallimet mes sekseve në testet e rrotullimit mendor janë te mëdha, përderisa rezultatet e meshkujve i kalojnë me 80 për qind ato të femrave. E megjithatë, edhe ky dallim perceptues mes dy gjinive (një ndër më të mëdhenjtë që njihen deri sot) është më i vogël se sa dallimi i tyre në gjatësi: një burrë me gjatësi mesatare në SHBA është më i gjatë se 92 për qind e popullsisë femërore. Megjithatë, burrat s’janë aspak më të aftë nëse bëhet fjalë për detyrat me arsyetim hapësinor. Nuk është rastësi që gruaja e shtëpisë di gjithnjë në cilin cep të frigoriferit ka përfunduar kutia e salcës. Gratë janë më të afta sesa burrat në regjistrimin në kujtesë të vendndodhjes së objekteve në hapësirë. Avantazhi i tyre në këtë detyrë është po aq i fortë, sa aftësia e burrave për rrotullimin me mendje. Po për sa u përket aftësive intelektuale? Në vitin 2005, Lerri Samers, presidenti i Harvardit, u fut në telashe, pasi u shpreh publikisht se meshkujt janë më të aftë se sa femrat në matematikë. Në fakt, ai u shpreh se ishin më të shumtë meshkujt se sa femrat ata që arrinin rezultate tepër të larta në testet e standardizuara matematikore. Në fakt, është e pamundur të shikohet rezultati i testit të matematikës së një individi dhe të përcaktohet nëse i përket një mashkulli apo femre: për pjesën më të madhe të popullsisë, aftësitë janë të mbivendosura në masë shumë të madhe. Mirëpo, mes atyre që arrijnë rezultatet më të larta (dhe më të ulëta) në testet e matematikës, numri i meshkujve është shumë më i madh se sa ai femrave. Kjo mund të lidhet me përparësinë që kanë meshkujt në arsyetimin abstrakt hapësinor. Por mund të jetë edhe rezultat i kulturës sonë, që u thotë femrave se s’janë të afta në testet e matematikës. Për shembull, rezultatet e femrave në testet e matematikës mund të ndikohen thjesht duke u kërkuar atyre të shkruajnë gjininë përkatëse në faqen e parë të fletës së provimit (shih kapitullin 22). Ose të rriten duke u kërkuar të mendojnë për femra shumë të suksesshme, përpara se t’i nënshtrohen testit (ju lutemi, provojeni vetë këtë në shtëpi!). Për rrjedhojë, rezultatet e testeve nuk e parathonë me shumë saktësi rezultatin akademik. Në fakt, nga parashikimet, meshkujt priren të arrijnë rezultate më të dobëta në testet e matematikës, ndërsa femrat priren të arrijnë rezultate më të larta. Pra, ende s’mund të thuhet me saktësi nëse dallimet gjinore në rezultatet e larta në shkencën e matematikës ndodhin për shkak të ndryshimeve në trurin e femrave apo meshkujve, apo kanë karakter kulturor. Një vend tjetër ku gjejmë shumë më tepër burra se sa gra është burgu. Meshkujt janë shumë më të prirur të futen në telashe, për shkak të sjelljeve të dhunshme. Kjo tregon se truri mashkullor biologjikisht është më i prirur drejt agresionit, duke i bërë këta më të dhunshëm (një mënyrë sjelljeje, që e shohin si më të frytshme). Nga këndvështrimi shoqëror agresiviteti është më i pranueshëm për djemtë, por historia nuk mbaron me kaq. Shumë prindër modernë, edhe pse kundër dëshirës së tyre, kanë zbuluar se djemtë priren të pëlqejnë më tepër lojërat e dhunshme se sa vajzat; madje, edhe kur prindërit e kanë qëllim në vetvete t’i trajtojnë njësoj djemtë dhe vajzat e tyre. Edhe meshkujt e vegjël të majmunit përfshihen në më shumë lojëra të ashpra se sa majmunët e vegjël femra – madje, parapëlqejnë kamionët lodër në vend të kukullave. Megjithëse nivelet e agresivitetit ndryshojnë së tepërmi nga një kulturë në tjetrën, në pjesën dërrmuese të kulturave botërore meshkujt janë më agresivë se sa femrat. Kjo prove na tregon se të dyja grupet e dallimeve, kulturore dhe biologjike, ndikojnë në shkallën më të lartë të agresivitetit që vërehet te meshkujt. Prej shekujsh janë bërë përpjekje të kuptohet se çfarë i dallon meshkujt nga femrat, ndaj nuk shpresoj që ta zgjidhim ne këtë enigmë. Siç është shprehur edhe shkrimtari Robert Orben: “Askush s’ka për ta fituar ndonjëherë betejën mes sekseve; mes armiqve, shkalla e vëllazërisë është tepër e lartë”.

    Marrë nga libri “Të fshehtat e Trurit”