Akademi Shkencash, jo institucion i përgjumur

656
Sigal

Prof.Dr Agron F. Fico

Akademia e Shkencave e
Shqipërisë, për të ardhur keq, në harkun kohor prej një çerek shekulli, ka
jetuar e punuar në letargji, ka qenë në hije. Organizimet dhe riorganizimet, debatet
e vakëta edhe në ditët e sotme për funksionin e saj, në masmedia, nuk kanë
sjellë ndonjë rezultat cilësor dhe, me të drejtë Kryeministri, zoti Edi Rama,
pardje në Konferencën e l l-të ndërkombëtare të “Alba-Shkencës” tërhoqi
vëmendjen për ngecjen e punëve në këtë Akademi. Ndryshimet historike që filluan
pas vitit 1990 me vendosjen e sistemit pluralist demokratik dhe synimi i madh
për përfshirjen në Europën e Bashkuar kërkon padyshim edhe një Akademi
shkencash serioze dhe të përgjegjshme për kërkesat dhe besimin e popullit.
Shqetësimi qytetar dhe intelektual për punën e anëtarëve të Akademisë dhe vetë
Akademinë është i drejtë, është i të gjithëve, është i përgjithshëm, nuk është
vetëm i Kryeministrit. Kryesore është se Akademia e Shkencave si kudo është një
institucion i lartë dhe i nevojshëm për zhvillimin ekonomik, kulturor, pra
përbën pasuri kombëtare, por edhe për faktin se kjo shtresë e shoqërisë është
paguar dhe paguhet nga taksapaguesit shqiptarë; për pasojë duhet të sillet me
një ndjenjë më të lartë përgjegjësie dhe të jetë më e përkushtuar në punën dhe
misionin shkencor. Për më tepër, të mbajmë parasysh se jemi i vetmi komb që
kemi 5 akademi e gjysmë të shkencave: dy në Shqipëri, një në Kosovë, një në
Hamburg të Gjermanisë (të quajtur “Akademia e djathtë e Hamburgut), një në Nju
Jork dhe gjysmë në Maqedoni (anëtarët shqiptarë të Akademisë Maqedonase të
Shkencave). Pra gjithë këto Akademi do të duhej të kishin prodhuar e hartuar
vepra dhe programe serioze shkencore për të lehtësuar procesin e përparimit të
çështjes kombëtare dhe asaj të zhvillimit ekonomik, që shqiptarët të mos mbeten
njerëzit më të varfër të Ballkanit. Akademia e Shkencave e Shqipërisë pothuajse
nuk iu është përgjigjur në shkallën e duhur sfidave të mëdha të kohës dhe të
kombit, nuk ka qenë në rolin e vet që të ndihmojë zgjidhjen e problemeve dhe
sfidave madhore që ka pasur e ka vendi. Le të sjellim një shembull
jashtëzakonisht serioz dhe madhor për Shqipërinë. Kërkesa për shkatërrimin e
armëve kimike siriane në tokën shqiptare ishte një problem kompleks dhe i
vështirë, që përfshinte disa aspekte: politike, mjedisore, shëndetësore,
financiare dhe, mbi të gjitha, kërkonte përkrahjen popullore. As dje dhe as sot
nuk ka qenë dhe nuk është krejt e qartë se çfarë ishin ato arme siriane kimike
(?), lëndë helmuese kimike (?), rreziqet e vërteta, ato mjedisore dhe pasojat
shëndetësore etj. Akademia e Shkencave të Shqipërisë duhet të ishte ajo që të
thoshte fjalën e parë dhe të fundit, të thoshte fjalën shkencore dhe me
profesionalizëm, për statusin që ka dhe anëtarët më të kualifikuar: mjekë të
njohur, studiues të shkencave të natyrore etj. , të cilët duhet të kenë edhe
integritetin e duhur qytetar. Por është për të ardhur keq që Akademia jonë e
Shkencave nuk e mori këtë përgjegjësi, ajo zgjodhi heshtjen dimërore dhe u vu
në pozitën e sehirxhiut. Kur u njoftua se Shqipëria nuk do të përfshihej në
aksionin për shkatërrimin e lëndëve helmuese luftarake të Asadit, pa dyshim
qytetarët e gjithë hapësirës shqiptare me të drejtë pyetën: Po Akademia e
Shqipërisë, ku ishte? Pse heshti? Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk duhet
të jetë në këtë nivel papërgjegjësie kombëtare dhe qytetare. Ajo duhet të “reformohet
mbi parime bashkëkohore morale demokratike dhe kombëtare, që të përligjë nderin
dhe statusin e privilegjuar e të veçantë intelektual e shoqëror. Le të kthehemi
tek tematika dhe strategjia kërkimore e Akademisë sonë të Shkencave për
problemet tona kombëtare. Nga botimet dhe punimet e botuara nuk duket ndonjë
vepër cilësore që të shpjerë përpara arritjet dhe trashëgiminë e gjuhëtarëve të
shquar si Eqrem Çabej, Selman Riza, Androkli Kostallari, Mahir Domi etj. Fati i
gjuhës shqipe është reduktuar në çështjen e përdorimit të “ë”-së dhe
drejtshkrimin e disa fjalëve. Ka përpjekje për ndryshimin e vendimeve të
Kongresit të Drejtshkrimit për gjuhën e njësuar shqipe me anë të ca sloganeve
bajate politike. Historia e Shqipërisë, sfida për rishikim kapitujsh, për
vlerësimin e figurave të harruara, ose të keqtrajtuara është kthyer në një
“grindje politike”. Edhe Konferenca shkencore për 70-vjetorin e Luftës
antifashiste Nacional-çlirimtare nuk e kapërceu dot këtë “grindje politike” dhe
me theks partiak, që u shfaq në kumtesat e mbajtura. Botimi i Fjalorit
enciklopedik nga Akademia e Shkencave provoi se ishte botim shokësh e miqsh, pa
ndonjë vlerë dhe kontribut, duke lënë jashtë figura të njohura dhe me prurje të
njohura shkencore, publike dhe shoqërore, pra një botim me kritere kaotike.
Akademia e Shkencave nuk ka bërë asnjë përpjekje serioze shkencore për një
botim kritik rreth letërsisë së krijuar në periudhën e sistemit totalitar, e
njohur si letërsia e realizmit socialist. Nuk ka zbuluar rolin negativ që ka
luajtur estetika marksiste si kodi normativ i vlerave krijuese dhe i kritikës
për letërsinë dhe artet. Estetika marksiste sovjetike ka qenë ushqimi
shpirtëror i mjaft studiuesve, krijuesve dhe kritikëve, disa prej tyre ende nuk
janë shkëputur nga këto koncepte. Gjatë këtyre 26 viteve ka lindur edhe është
zhvilluar një letërsi e re në përmbajtje dhe që synon të pasqyrojë dinamikën e
shoqërisë së tranzicionit dhe kontradiktave të saj. Ende nuk ka ndonjë studim
serioz për proceset e reja letrare, me anët e mira dhe të dobëta. Traditat
kulturore, ky thesar kombëtar, vazhdojnë të trajtohen herë-herë me kriteret e
estetikës moniste, ose edhe në mënyrë të thjeshtëzuar komerciale. Ka disa muaj
që në masmedia diskutohet për disa çështje të etnokulturës dhe specifikisht për
të kënduarit shumë-zërash, që është nderuar edhe nga UNESCO si pasuri gojore
botërore, por ende nuk ka ndonjë tryezë shkencore për të shpënë përpara
zgjidhjen shkencore të shqetësimeve që shprehen në këto debate dhe shkrime.
Rilindja e Akademisë së Shkencave mund të arrihet vetëm mbi një bazë të re, atë
të filozofisë perëndimore-amerikane. Mendimet e shprehura nga disa akademikë në
masmedia, se ndreqja e punëve në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë bëhet duke
gjetur një strukturë tjetër, ose duke ribashkuar disa institute etj. , pa
mohuar edhe riorganizime të caktuara, janë qasje që nuk ndryshojnë dot status
kuonë e këtij institucioni kaq të rëndësishëm për vendin tonë. Varianti më i
përshtatshëm për kushtet e vendit tonë do të ishte jo krijimi i një
institucioni gjithëpërfshirës, por atij specifik të veçantë, pra i një Akademie
të Shkencave Albanologjike që të përfshijë fushat: gjuhë shqipe, histori
shqiptare, letërsi, kulture popullore, arkeologji, monumentet e kulturës.
Ndërsa degë të tjera të shkencave të përfshihen në njësi mësimore universitare,
ose edhe në ndonjë institut të veçantë. Akademia e Shkencave të Shqipërisë do
të kishte dobi po të arrinte të kapërcente frikën e “njollosjes” nga mendimet
dhe debatet që bëhen, qofshin këto edhe kritike e ndonjëherë të tejskajshme.
Reagimi i ish-Sekretarit Shkencor të Akademisë, zotit Bushati, si dhe “Sqarimi
i Këshillit Ekzekutiv të Akademisë së Shkencave…” (2 shtator 20 16) pikërisht
këtë tregoi, “mbrojtjen” e institucionit nga opinionet e shprehura dhe jo
ndonjë argument serioz për përmirësimin e punëve në këtë institucion. Akademisë
së Shkencave të Shqipërisë i ka munguar dëshira e bashkëpunimit me Akademinë
Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve në Nju Jork, që do të sillte një
përfitim të dyanshëm. Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka
pasur dhe ka studiues, specialistë të njohur të fushave të ndryshme të kulturës
dhe të gjuhës shqipe. Aty jetuan edhe punuan personalitetet e mëdha të kombit
shqiptar Fan Noli dhe Faik Konica, por ka pasur edhe ka edhe mjaft
personalitete të shquara si Prof. Peter Prifti, Arshi Pipa, Stavro Skëndi etj.
dhe sot si biologun e njohur dhe njëherazi albanolog Nelson R. Çabej, vepra
madhore e të cilit Epigenetic Principles of Evolution është vlerësuar nga
katedra të njohura në Amerikë dhe është botuar sërish, doktor Adem Harxhin,
autorin e mjaft botimeve serioze shkencore dhe publicistike, skenografin e
përkushtuar Astrit Tota, Illo Foton, studiues dhe publicist. Akademia
Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve, nën drejtimit e psikiatrit të
njohur Prof. Dr. Skënder Kodra, ka krijuar lidhje bashkëpunimi me Akademinë e
Shkencave të Kosovës, në radhët e saj ka edhe studiues nga Kosova. Madje ka në
radhët e saj akademikë shqiptarë nga Maqedonia. Akademia Shqiptaro-Amerikane e
Shkencave dhe Arteve në Nju Jork ka organizuar edhe konferenca të mirëfillta
shkencore si ajo për 600-vjetorin e lindjes së Heroit tonë kombëtar, Gjergj
Kastriot Skënderbeut, që u vlerësua gjerësisht nga masmedia shqiptare dhe ajo
amerikane. Një nder i veçante i takon këtij institucioni edhe për organizimin
pas një pune përgatitore 2-vjeçare të Konferencës shkencore kushtuar
70-vjetorit të shkrimtarit të madh, Ismail Kadaresë. Më e rëndësishmja është se
tashmë në Amerikë, në shekullin e XXI, ka lindur dhe është krijuar një shtresë
intelektuale shqiptare nga fushat e ndryshme të shkencës dhe kulturës, që kanë
fituar me punë tituj e grada shkencore dhe që nderohen. Ky do të ishte një
kontingjent me vlerë edhe për Akademinë tonë të Shkencave në Tiranë, po t’i
njihte dhe t’i vlerësonte. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës funksionon shoqata
e mjekëve shqiptarë, që shërben si tribunë e afrimit kombëtar, por mbi të
gjitha atij profesional. Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Nju
Jork ka në gjirin e vet mjaft talente, që kanë botuar nga disa libra etj.
Studiues të shquar, padyshim, ka edhe në diasporat e reja shqiptare në Itali,
Greqi, Gjermani, Zvicër, Belgjikë etj. Akademia e Shkencave e Shqipërisë duhet
të bëhet qendra e të gjithë këtij brezi studiues të kësaj diaspore
europiane-amerikane, por ajo, në radhë të parë të dalë nga përgjumja, që të
meritojë nderimin si institucion i mirëfilltë shkencor kombëtar.