Prof. Dr. Andonaq Londo:Përmbysja e raporteve meshkuj-femra tek Inxhinieria Mekanike dhe rëndësia e anglishtes për diplomën

893
Sigal

INTERVISTA/Flet dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike Prof. Dr. Andonaq Londo

Vite më parë Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike mbizotërohet nga studentët meshkuj, ndërsa në ditët e sotme ky raport ka ndryshuar. Kjo për faktin se, janë hapur dhe degë të reja në këtë fakultet dhe ka ndryshuar edhe mentaliteti, pasi dikur femrat ishin shumë të pakta në këtë fakultet, ndërsa sot numri i tyre ka ndryshuar shumë. Për këto ndryshime dhe probleme të tjera ka folur në një intervistë për “Telegraf”, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike Prof. Dr. Andonaq Londo. Po ashtu një tjetër çështje me rëndësi në arsimin e lartë është dhe ligji që i detyron studentët që të mbrojnë anglishten para se të futen në provimin e diplomës.

 -Zoti Londo, cilat janë problemet aktuale të fakultetit tuaj dhe a ka marrë një zgjidhje problemi i ambienteve?

-Problem kryesor për ne mbeten ambientet, kjo dhe për faktin se, është rritur numri i studentëve. Pra mbetet një problem më vetë hapësira duke pasur parasysh numrin e studentëve me sipërfaqen për metër katror. Megjithatë, rektorati ka marrë masa për ta përmirësuar punën me ambientet, jo për ta zgjidhur përfundimisht nëpërmjet një pjesë të mirë të të ardhurave dhe një pjese të mirë të Buxhetit të Shtetit. Është aprovuar projekti për t’u bërë një shtesë, prapa Universitetit Politeknik, e cila do të lehtësojë disi punën dhe puna për këtë shtesë me aq informacione sa kam unë do të fillojë brenda këtij tremujori ose përpara se të përfundojë ky vi shkollor. Dhe mendoj që brenda një viti e pak do të jetë gati për studentët edhe godina e re shtesë që do të bëhet. Por mendoj që, qeveria mund të gjejë edhe zgjedhje të tjera, nëse ka godina publike që kanë ngelur të tjera të na i vënë në dispozicion, natyrisht këto godina të jenë të përshtatshme për mësim. Ka pasur shumë godina që u janë dhënë universiteteve private, por mendoj që duhen parë me përparësi edhe universitetet publike.

 -Më parë ka pasur më shumë meshkuj në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, si është sot ky raport?

-Në lidhje me raportet meshkuj femra në fakultetin e inxhinierisë mekanike, unë do të thoja që ato kanë ndryshuar dhe madje do të thoja që janë përmbysur. Unë gjej rastin të them që nëse shumë vite me parë këtu mbizotëronin meshkujt, sepse edhe degët ishin të tilla, tani mund të them që mund të ketë më shumë femra. Sepse kemi dy degë që janë mjaft të preferueshme nga femrat si është inxhinieria ekonomike që është degë e re dhe që rreth 60-70% janë femra. Po ashtu është edhe inxhinieria e tekstilit që ka rreth 80% femra dhe këto e ndryshojnë raportin dhe kjo është një gjë pozitive në vendosjen e raporteve dhe ekuilibrave tregues.

 -A është plotësuar stafi juaj me Pedagogë, a ka probleme në këtë drejtim?

-Në lidhje me pedagogët e rinj unë do të thoja që ne vazhdimisht kemi marrë pedagogë të rinj dhe nuk kemi pasur pengesa. Buxheti i shtetit i mbështet këto. Preferohet që të merren si pedagogë studentë që kanë mbaruar jashtë, sepse tani është koha kur një brez studentësh që kanë ikur në vitet 2000 jashtë kanë kryer ciklet e plota të studimit që mund të jenë Bachelor, Master dhe doktoratura, sepse jemi në vitin 2013 dhe ne mund tua ofrojmë vendin e punës si pedagogë në fakultetin tonë. Jo më vonë se para dy javësh ne morëm një pedagoge të re në Inxhinierinë Ekonomike. Po kështu, kemi marrë edhe para dy tre muajsh një pedagoge tjetër po në Inxhinierinë Ekonomike që kishte përfunduar studimet jashtë shtetit. Po kështu, në këtë drejtim nuk kemi asnjë lloj vështirësie, e rëndësishme është që të gjenden kualitetet e duhura. Duhet të jenë kualitete që i përgjigjen nivelit të shkollës, të kenë rezultate të larta atje ku kanë përfunduar dhe të kenë vullnetin ose dëshirën e tyre për të punuar në stafet akademike.

 -Si po ecën procesi i aplikimit për doktoraturat dhe kush ka më shumë përparësi?

-Ne na erdhi vendimi i Këshillit të Ministrave për sistemin e doktoraturës. Për Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, janë 11 kuota, ku ndër to 10 janë për studentët brenda Shqipërisë dhe një kuotë është për trojet. Përparësi ashti siç e thotë edhe këshilli i ministrave u jepet pedagogëve të brendshëm. Vështirësia qëndron në përcaktimin e udhëheqjes, sepse pedagogët duhet të jenë me tituj, si Profesorë të Asociuar, ose doktorë që të kenë mbaruar jashtë shtetit. Numri i personave që futen në shkollën e doktoraturës rritet, ndërsa numri i pedagogëve që i kanë këto tituj nuk vjen në rritje dhe kështu kemi vështirësi në udhëheqjen e tyre. Por kemi gjetur mundësinë me kotutelë (bashkëpunim me një profesor të asociuar të huaj), nëpërmjet kolegëve tanë që janë jashtë shtetit dhe mund ti udhëheqin së bashku me ne. Pra, në një farë mënyrë, do të ketë dy udhëheqës një brenda vendit dhe  një jashtë vendit në fusha të interesit të përbashkët. Po ashtu na ndihmon dhe fakti që Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike ka lidhje të mira dhe me fakultete jashtë vendit, kështu që na ndihmon dhe kjo mundësi për të pasur kotutelë me pedagogë të huaj të udhëheqin doktorantë tanë. Është një ide që mbështetet nga strukturat drejtuese, jam i bindur që mbështetet dhe nga qeveria, apo dhe nga projekte të ndryshme.  Udhëheqësit mund të jenë edhe nga vende të rajonit si: nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, apo dhe nga Greqia.

 -Është vendosur një kriter që studentët e Masterit, duhet që të mbrojnë anglishten pastaj të futen në provimin e Diplomës. Si po shkojnë përgatitjet në Fakultetin tuaj?

-Po, kriteri i mbrojtjes së anglishtes, është shumë i qartë. Pasi është një vendim edhe në ligjin e arsimit të lartë që: Studentët që mbarojnë studimet Master të të gjitha llojeve duhet të japin provimin e anglishtes, sipas niveleve që përcakton institucioni përkatës. Me këtë rast unë desha të falënderoj rektoratin që ka bërë të gjitha përpjekjet e duhura për ngritjen e stafeve të përcaktuara për ta ndjekur këtë problem për studentët. Ne kemi një departament të gjuhëve të huaja në universitetin Politeknik. Dhe të gjithë studentët që do të mbrojnë diplomën në mars ose në sezonet që do të vijnë pas muajit mars, janë të detyruar që ta japin këtë provim.

Procedurat për mbrojtjen e gjuhës angleze

-Pa dhënë këtë provim asnjë student nuk mund të diplomohet. Pasi ky është një kriter që është vendosur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe duhet të zbatohet nga të gjitha universitetet publike në vend. Nuk e di nëse është për universitetet private kjo, por për universitetet publike është në ligj. Dhe jam i bindur studentët tanë e mirëpresin këtë, sepse janë studentë që presin të punësohen jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe në tregun rajonal dhe dihet që gjuha angleze është A-ja që duhet për t’u ballafaquar me botën e jashtme. Për mua studentët e kanë mirëpritur dhe ky është një provim që njihet ndërkombëtarisht. Por studenti mund ta japi kudo provimin dhe nuk është e thënë që ta japi vetëm në departamentin tonë të anglishtes.