Xhevat Mustafa: Po sikur divorci politik të trajtohet si ai në çift?

778
Sigal

Gjendja politike në parlament dhe jashtë tij, prej rreth një viti, sherret dhe konfliktet që po përjetojmë në sheshe protestash, salla gjykatash dhe jehona e tyre shqetësuese e dëmtuese jo vetëm në imazh në Bruksel, Uashington, Berlin, Paris, Amsterdam, Vjenë…, padyshim kanë doza të larta e të forta depresioni, skepticizmi dhe pesimizmi mbarë qytetar në vendin tonë. Të mirëkuptohemi, me shumë gjasa këto ndjesi janë të sinqerta e të ndërgjegjshme tek shumica e qytetarëve të thjeshtë, që dëshirojnë më gjithë shpirt e zemër qetësi, stabilitet, normalitet, integrim, rritje të vërtetë ekonomike dhe mirëqenieje, ulje të taksave, të çmimeve në përgjithësi të artikujve të ushqimit bazë jetësor, përfshirë edhe të biletave të avionëve… Thashë tek “shumica e qytetarëve”, sepse kam opinionin, deri në bindje, se jo pak të majtë të përjetshëm, konservatorë deri në enverizëm, vetëmohim dhe sakrifikim të së sotmes e të ardhmes së fëmijëve të vet, deri në skllavëri të vullnetshme dhe urrejtje klasore e histerike ndaj kundërshtarëve politikë, dëshirojnë, mbështesin dhe votojnë ruajtjen, mundësisht të përjetshme të kësaj status kuoje apo të mbretërimit sa më të gjatë të partisë dhe kryetarit të tyre të zemrës. Duke u zhgënjyer dhe revoltuar shumë më tepër se ata prej afro një viti dhjetëra mijëra qytetarë opozitarë, të pavarur, nga shoqëria civile, kanë dalë në protesta shesheve, sidomos në Tiranë, udhëhequr nga partitë e koalicionit opozitar dhe individualisht, nga Lulëzim Basha Monika Kryemadhi, Fatmir Mediu, Agron Duka, Nard Ndoka, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule… Protestat e deri tanishme kanë qenë në masivizim të vazhdueshëm, duke u bërë përherë dhe më e qartë dukuria e mbizotërimit në masën e protestuesve e moshave te reja, e femrave dhe intelektualëve, sidomos nga fusha e kulturës dhe kontingjenti i inteligjencës…Disa kanë pasur edhe akte dhune reciproke, nga qytetarët e nga forcat e rendit, dukuri që shikohet rëndom edhe nëpër sheshet e Parisit, Romës, Athinës, New Yorkut, Brukselit, Barcelonës, Bukureshtit, Varshavës, Pragës, Moskës, Karakasit… Apo që është parë edhe në kohën e demonstratave të PS-së, kur ishte në opozitë, me kulm atë të 21 janarit 2011. Shkaqet, arsyet, argumentet se përse opozita kaloi në kundërvënie ekstreme, radikale, në braktisjen e mandateve të deputetëve dhe të parlamentit, ose në mënyrë figurative, në ndërprerjen e bashkëjetesës parlamentare, mund të kërkohen dhe gjenden tek të dy palët, ashtu siç bëhet në gjykata për çdo divorc bashkëshortor, duke nënkuptuar edhe përpjekjet për ripajtim dhe ribashko jetesë.Edhe për “divorcin politik e parlamentar” pozitë-opozitë, (një paralelizëm jo 100 i barasvlershëm) do të ishte më e këshillueshme, më e drejtë dhe më njerëzore që, së pari të dëgjohen dhe analizohen ankesat, shqetësimet, pretendimet, kërkesat e palës më “të dobët”(gruas), figurativisht të opozitës, që e ka kërkuar dhe po tregon këmbëngulje për të mos u tërhequr nga vendimi i saj. Sipas saj, të dy palët kanë humbur me kohë “dashurinë”, harmoninë, mirëkuptimin, respektin, perspektivën dhe shanset e qetësimit, të rigjetjes së gjuhës së pajtimit, të konsensusit reciprok, për shtyrjen apo zgjatjen e bashkëjetesës, për hir të fëmijëve (shumicës së qytetarëve) dhe imazhit të familjes, për hir të integrimit në BE. Në vijim, “viktima” jep me bollëk fakte se është “tradhtuar”, dhunuar shumë herë, me shkelma e grushte, me kartonë, arrogancë, arbitraritet, me shkopinj gome, gazra helmues, arrestime, me shpifje të trasha tek “komshinjtë” dhe tek të huajt për “imoralitet” apo “prostitucion politik”…Se ka qenë viktimë e mungesës së ndershmërisë, të transparencës dhe të dhembshurisë në përdorimin dhe administrimin e lekëve të buxhetit familjar (shtetëror), duke shtuar depozitat bankare individuale si dhe shpenzimet për luks e qejfe personale në vend e në botë, me “dashnore” shqiptare e të huaja, duke gënjyer me çmimet dhe faturat e suitave nëpër hotele tejet luksoze dhe të mallrave që blenë për vete dhe për “të gjithë familjen”…Se “burri” është i paedukatë, i patakt, i dhunshëm edhe në trajtimin e fëmijëve (qytetarëve), të cilët gjithashtu i mashtron me premtime që nuk ua përmbush…Se ai po i keqedukon “fëmijët”, duke i bërë gënjeshtarë, mashtrues, të pasinqertë, të pandershëm, të dhunshëm, kultivues, trafikantë dhe përdorues drogash, disa edhe hajdutë apartamentesh dhe vilash deri në Spanjë, Angli, Skoci… Se ai nuk e vret mendjen dhe nuk bën përpjekje për t’i punësuar dhe mbajtur pranë “familjes”…Se i trajton disa si të “babës” e të tjerët si “të njerkut”, kur unë nuk e bëj këtë… Për të gjitha këto arsye ajo nuk ka më nerva, durim, shpresë, besim, dëshirë të bashkëjetojë edhe një ditë më shumë me një “burrë” të tillë, agresiv, të dhunshëm, mashtrues, të lidhur me lloj lloj njerëzish të brumit të keq. Kam bindjen se në çdo gjykatë të Shqipërisë dhe të botës, që të shkonte një çift i tillë, edhe nën ndikimin e presionit nga shoqatat e shoqërisë civile në mbrojtje të drejtave dhe të lirive të grave, shumica absolute e gjyqtarëve, sidomos e atyre femra, që edhe mund të mos përmbanin lotët, do të ishin në favor të “gruas”, viktimës, domethënë në rastin konkret politik shqiptar, të opozitës. Ata apo ato nuk do të mendoheshin gjatë e do të vendosnin me bindje të plotë divorcin midis këtij çifti problematik e pa asnjë shans minimal për “rilindje” të dashurisë, respektit, mirëkuptimit, konsensusit e të harmonisë në të ardhmen. Por,çuditërisht, në Tiranë dhe në disa kryeqytete ndërkombëtare, ka “gjyqtarë” dhe “gjyqtare”, që edhe pse e kanë dëgjuar me veshët e tyre dhe e kanë parë me sytë e tyre të vërtetën, edhe pse kanë një dosje voluminoze me sherret mes këtij çifti dhe me faktet e paraqitura edhe në media nga “viktima”, përsëri bëjnë absurden, të pabesueshmen, të pajustifikueshmen, duke mbajtur anën e të akuzuarit, e fajtorit, e të dhunshmit, mashtruesit, të abuzuesit, të të pandershmit…Sipas tyre, “viktima” i zmadhon vuajtjet dhe hallet e saj, sepse “partneri”, i akuzuari prej saj, nuk është kaq i keq dhe i padurueshëm. Se ai, për ata, është penduar dhe me shpresë tek Perëndia në qiell mund të tjetërsohet apo “rilindë” shpejt për mirë. Moralizimi mund të vazhdojë edhe edhe me premtimin se ata do nuk do të reshtin përpjekjet, këshillat dhe deklaratat (me kulaç e kërbaç njëherazi), që ai të fillojë të reflektojë, të bëhet më pak arrogant dhe më pak autoritarist, më pak agresiv dhe më pak i dhunshëm, më shumë i përgjegjshëm dhe i sinqertë me atë si “grua” dhe me “fëmijët. Edhe kur “gruaja” tregohet skeptike dhe mosbesuese për “mrekullinë e engjëllizimit” të ish-partnerit të saj, vazhdon t’i kundërshtojë se shpresat e tyre janë thjeshtë iluzione dhe humbje kohe, ata këmbëngulin se deklaratat e tyre do të bëjnë tek ai efektin e dozave të larta qetësuese, ndërgjegjësuese, reflektuese…”Prandaj, po sipas atyre “viktimës” i bie për detyrë që për hir të “fëmijëve”, të imazhit të familjes në pallat, lagje, qytet, vend, botë…t’ia falë dhe harrojë të gjitha ”partnerit”, i cili për ne është akoma i pëlqyeshëm, i dobishëm, mirënjohës… Natyrshëm e logjikshëm, nga shumë qytetarë, sidomos nga pala femërore, mund të shtrohet pyetja: nëse do t’u kishte rënë fati, krevati, familja të kishin si bashkëshort një “burrë të tillë” Mogherini, Vlahutini, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz… do ta duronin kaq shumë e kaq gjatë, për hir të një “qetësie të pasinqertë, të brishtë dhe jetëshkurtër në lagje (rajon)”? Me shumë gjasa, JO!