Prof. Ilia Larti: Shteti kujtohet për fëmijët vetëm pas tragjedive, vetëm kur duhet të dalë para kamerave për të bërë premtime

Shteti kujtohet për fëmijët vetëm pas tragjedive, vetëm kur duhet të dalë para kamerave për të kërkuar falje apo për të bërë premtime

Ngjarja e Durrësit duhet të shërbejë si një moment reflektimi kombëtar për mënyrën se si trajtohen fëmijët në Shqipëri.

Sigal

– Dikur, ekzistonin kurse muzike, fizarmonike, baleti, atletike apo aktivitete artistike ku fëmijët merrnin pjesë falas.

– Shumë banorë e shohin këtë tragjedi si pasojë të drejtpërdrejtë të dështimit të institucioneve, të korrupsionit dhe të mungesës së shtetit në jetën e përditshme të qytetarëve.

-. Qytetarët besojnë se shumë persona me precedentë penalë apo shkelje të rënda lirohen lehtësisht përmes korrupsionit, ndërhyrjeve, apo tolerimeve të pakuptimta.

– Dhe kur drejtësia dështon, viktima bëhen njerëzit e pafajshëm.

– Ata u bënë viktima të një zinxhiri të gjatë neglizhence, heshtjeje dhe mungese përgjegjësie që prej vitesh rëndon mbi shoqërinë shqiptare.

Prof. As. Ilia Larti

Dy fëmijë të vrarë në rrugë, një shoqëri në bankën e të akuzuarve

Një tragjedi e rëndë ka tronditur Durrësin dhe mbarë opinionin publik shqiptar. Dy fëmijë të mitur humbën jetën në mënyrë tragjike teksa luanin me top pranë banesave të tyre në zonën e ish-Kënetës, pasi u përplasën nga një automjet që drejtohej nga një person në gjendje të dehur. Ngjarja e rëndë nuk solli vetëm dhimbje dhe revoltë, por edhe një debat të fortë mbi përgjegjësinë e institucioneve, sigurinë rrugore, mungesën e hapësirave për fëmijët dhe dështimin e shtetit për të mbrojtur jetën e tyre çdo ditë.

Tragjedia e rëndë e ndodhur në lagjen nr.15 të Durrësit, në zonën e ish-Kënetës, nuk është thjesht një aksident automobilistik. Është një kambanë alarmi për një shoqëri që prej vitesh po humbet ndjeshmërinë ndaj jetës së fëmijëve, ndaj sigurisë publike dhe ndaj përgjegjësisë institucionale. Dy fëmijë të pafajshëm, që po luanin me top në trotuar, humbën jetën nën rrotat e një automjeti të drejtuar nga një person në gjendje të dehur. Një ngjarje që ka tronditur Durrësin dhe gjithë Shqipërinë. Por zemërimi i qytetarëve nuk drejtohet vetëm ndaj autorit të aksidentit. Shumë banorë e shohin këtë tragjedi si pasojë të drejtpërdrejtë të dështimit të institucioneve, të korrupsionit dhe të mungesës së shtetit në jetën e përditshme të qytetarëve. “Ky person mund të ketë qenë shumë herë brenda dhe shumë herë ka dalë. Po të ishte në burg, sot tre fëmijë do të ishin gjallë”, – thotë një banor i zonës me zemërim dhe dhimbje. Në fakt, kjo është ndjesia që po përhapet gjithnjë e më shumë në opinionin publik: se në Shqipëri ligji shpesh nuk godet njësoj për të gjithë. Qytetarët besojnë se shumë persona me precedentë penalë apo shkelje të rënda lirohen lehtësisht përmes korrupsionit, ndërhyrjeve apo tolerimeve të pakuptimta. Dhe kur drejtësia dështon, viktima bëhen njerëzit e pafajshëm. Banorët e zonës tregojnë se rruga ku ndodhi tragjedia prej kohësh është kthyer në një pistë të rrezikshme ku automjetet lëvizin me shpejtësi të madhe, sidomos gjatë natës. Ata kërkojnë më shumë kontrolle policore, kamera sigurie, semaforë, barriera mbrojtëse dhe masa konkrete për të shmangur tragjedi të tjera.

Por drama shkon edhe më thellë.

Shumë prindër ngrenë shqetësimin se fëmijët sot nuk kanë hapësira të sigurta ku të luajnë. Në lagje të mbushura me pallate, betoni ka zënë vendin e lulishteve, fushave sportive dhe këndeve të lojërave. Fëmijët detyrohen të luajnë në trotuare, rrugica dhe pranë makinave, sepse nuk kanë alternativë tjetër. “Ka plot hapësira bosh mes pallateve që mund të ishin kthyer në fusha futbolli, volejbolli apo basketbolli. Por askush nuk mendon për fëmijët”, – shprehet një qytetar. Një tjetër problem i madh është mungesa e aktiviteteve sociale dhe kulturore për të rinjtë. Dikur, thonë qytetarët më të moshuar, ekzistonin kurse muzike, fizarmonike, baleti, atletike apo aktivitete artistike ku fëmijët merrnin pjesë falas. Ato jo vetëm i edukonin, por i largonin nga rruga dhe i mbanin të angazhuar në mënyrë të organizuar. “Në kohën tonë fëmijët ishin gjithë ditën në kurse, apo aktivitete sportive. Sot shumica rrinë rrugëve, me telefona në dorë ose pranë lokaleve. Askush nuk mendon për kohën e lirë të tyre”, – thotë një pensionist. Sipas shumë qytetarëve, shteti kujtohet për fëmijët vetëm pas tragjedive, vetëm kur duhet të dalë para kamerave për të kërkuar falje apo për të bërë premtime. Ndërsa përditshmëria e tyre mbetet e mbushur me mungesë sigurie, mungesë investimesh dhe mungesë kujdesi. Madje, shumë reagime kanë nxjerrë në pah edhe pabarazinë e thellë sociale. Viktima të këtyre neglizhencave, sipas tyre, janë zakonisht fëmijët e familjeve të thjeshta. “Fëmijët e të varfërve ecin në këmbë, luajnë në rrugë dhe ndonjëherë shkojnë pa ngrënë në shkollë. Ndërsa fëmijët e pushtetarëve shkojnë me makina luksoze dhe jetojnë në zona të mbrojtura. Këto tragjedi nuk i prekin ata”, – thotë një banor. Kjo tragjedi nuk duhet të mbetet vetëm një lajm që harrohet pas disa ditësh. Ajo duhet të shërbejë si një moment reflektimi kombëtar për mënyrën se si trajtohen fëmijët në Shqipëri. Për sigurinë rrugore. Për drejtësinë. Për korrupsionin. Për mungesën e hapësirave publike. Për edukimin dhe jetën sociale të brezit të ri. Sepse dy fëmijët e Durrësit nuk humbën jetën vetëm nga një shofer i dehur. Ata u bënë viktima të një zinxhiri të gjatë neglizhence, heshtjeje dhe mungese përgjegjësie që prej vitesh rëndon mbi shoqërinë shqiptare. Dhe pyetja që mbetet sot është e dhimbshme: a do të ndryshojë diçka pas kësaj tragjedie, apo do të presim viktimën tjetër për t’u kujtuar sërish se fëmijët kanë nevojë për mbrojtje, jo vetëm për lot dhe deklarata!

Si është në BE situata me hapësirat për fëmijë?

Në vendet e Bashkimit Europian aksidentet me fëmijë ndodhin shumë më rrallë dhe kur ndodhin, institucionet reagojnë menjëherë me masa të forta ligjore dhe parandaluese. Arsyeja kryesore lidhet me standardet e larta të sigurisë rrugore dhe kujdesin ndaj jetës së fëmijëve. Në shumicën e qyteteve europiane ka trotuare të mbrojtura, barriera sigurie, kamera, semaforë inteligjentë, kufizime të rrepta shpejtësie pranë zonave të banuara dhe mbi të gjitha shumë hapësira të dedikuara për lojërat e fëmijëve. Fëmijët në vendet e BE-së nuk detyrohen të luajnë në rrugë mes makinave, sepse kanë parqe, fusha sportive, kënde lojërash dhe qendra  komunitare të ndërtuara sipas standardeve moderne. Shteti investon vazhdimisht që koha e lirë e tyre të jetë e organizuar dhe e sigurt. Po aq e rëndësishme është edhe funksionimi i ligjit. Një person që kapet duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur përballet me masa shumë të ashpra: heqje patente, burg, gjoba të rënda dhe monitorim të vazhdueshëm. Është pothuajse e pamundur që një drejtues i dehur të përsërisë të njëjtën shkelje disa herë pa pasoja serioze ligjore. Sistemi vepron që në shkeljen e parë për të parandaluar tragjedi të tjera. Ndërsa në Shqipëri, shumë qytetarë besojnë se korrupsioni, tolerimi ndaj shkelësve dhe mungesa e kontrollit bëjnë që persona problematikë të rikthehen sërish në rrugë, duke rrezikuar jetën e të pafajshmëve. Dhe viktimat më të pambrojtura mbeten fëmijët.