Alqi NAQELLARI:  G-15-ta  e Lindjes së Largët  sfidon SHBA -BE

579
Sigal

Marrëveshja RCEP, ose ASEAN +1.

Në 15 nëntor 2020 në Hanoi të Vietnamit midis 15 vendeve të Lindjes së Largët, ASEAN+1 u nënshkrua marrëveshja RCEP (Regional Comprehensive Economic Partnership=Partneriteti Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal). Materiali ishte draftuar në Bali të Indonezisë që në 19 nëntor 2011.

Dhjetë Shtete Anëtare të ASEAN (Brunei, Indonesia, Malajzia, Tailanda, Singapori, Filipinet, Kamboxhia, Myanmari, Laosi dhe Vietnami) nënëshkruan, së bashku me pesë partnerë të tjerë tregtarë – Japoninë, Republikën Popullore të Kinës, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re – Partneritetin Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal (RCEP). Këto vende realizojnë rreth 30% të GDP-së së globit, përfaqësojnë rreth 30% të popullsisë së botës, dhe gati 28% të tregtisë globale, duke e bërë atë marrëveshjen më të madhe të tregtisë së lirë në botë. Disa tregues të vendeve të RCEP, sipërfaqja 22.5 milion km2, popullsia 2.262 miliardë,  GDP nominal 24.3 trilion $, GDP/frymë, mesatare 15807$, GDP në bazë të paritetit të fuqisë blerëse (PPP) 41.8 trilion $, PPP/frymë, mesatare 27416$. Pesë anëtarë nënshkrues të Marrëveshjes janë anëtarë të fuqishëm të G20.

 

U deshën mëse 31 raunde negociatash për tetë vjet me rradhë, takime të shumta ministrore dhe tre Samite të Liderëve për të realizuar “një marrëveshje tregtare të paparë mega rajonale që përfshin një përzierje të larmishme të ekonomive të zhvilluara, dhe ekonomive më pak të zhvilluara të rajonit”.

Nënshkrimi i Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal (RCEP) ka krijuar zonën më të madhe në botë të tregtisë së lirë që shtrihet nga kufiri i Kazakistanit deri në Paqësorin e Jugut. Është korniza e parë e tregtisë së lirë të Japonisë me partnerët e saj jetikë tregtarë, Kinën dhe Korenë e Jugut, por që marrëveshjet tregtare rrallë kanë të bëjnë vetëm me tregtinë: ato gjithashtu kanë degëzime më të gjera politike.

Sipas shumë ekonomistëve kjo marrëveshje do të ndihmojë rajonin e Azi-Paqësorit të marrë rolin udhëheqës në rikuperimin nga pandemia COVID-19 dhe t’i rezistojë hegjemonisë së SHBA-së në rajon.

            Lidhja e kësaj marrëveshje ka sjellë shumë diskutime, analiza e shkrime në shtyp për madhësinë e saj, rolin e dukshëm të Kinës dhe faktin që SHBA dhe India nuk janë palë. Marrëveshja, e sheh Kinën të bashkohet për herë të parë, me një pakt rajonal tregtar multilateral. Ajo nuk përfshin SHBA të udhëhequra nga Trump, që u tërhoq nga Partneriteti Trans-Paqësor (RPP) në 2017.

Në këtë megamarrëveshje mungon edhe India, e cila u tërhoq nga negociatat vitin e kaluar për shkak të shqetësimeve mbi industrinë e saj të brendshme dhe potencialit të zgjerimit të deficiteve tregtare me vendet anëtare, veçanërisht me Kinën.

Sipas ‘AXIOS’ (‘Axios’ është një ëebfaqe amerikane e lajmeve, me seli në Arlington County, Virginia), “kjo është hera e parë kur SHBA nuk është në qendër të një marrëveshje të madhe globale të tregtisë së lirë”.

Kjo është një sfidë që i bëhet SHBA-ve dhe Bashkimit Europian. Është një sfidë që i bëhet Takimeve të G20, G28 pavarësisht nga natyra dhe karakteri tyre, një sfidë që i bëhet Manifestimit të Davosit. Lindja e Largët edhe një herë tregoi se çfarë është e aftë të bëjë kur gjen gjuhën e përbashkët. Forcimi ekonomik i Kinës ka qënë një nga arsyet kryesore të arritjes së kësaj Marrëveshje sepse në 10 vjetët e fundit Kina ka pasur një ritëm rritjeje prej mbi 6% duke arritur në vendin e Dytë në madhësinë e GDP-së, nominale pas SHBA-ve dhe në vendin e Parë duke u nisur nga Pariteti fuqisë blerëse.

Çfarë përmban në esencë kjo marrëveshje?

– RCEP do të promovojë, lehtësojë dhe mbrojë klimën e investimeve të vendeve pjesëmarrëse brenda rajonit.

– Kjo gjithashtu përfshin shkëmbimin e informacionit dhe promovimin e masave të transparencës për të lehtësuar biznesin dhe investimet brenda zonës së RCEP.

– Marrëveshja do të përmirësojë tregtinë dhe investimet ndër-rajonale, do të forcojë zinxhirët rajonalë të vlerës, si dhe do të lehtësojë transparencën, ndarjen e informacionit dhe harmonizimin e rregullave dhe standardeve teknike.

-Pritet të formësojë ekonominë dhe politikën globale.

– RCEP ka për qëllim të lehtësojë tregtinë ndërkombëtare duke ulur tarifat dhe kërkesat administrative midis vendeve anëtare.

RCEP ndër të tjera rregullon:

-Shërbimet e telekomunikacionit, përfshirë TIK, mbikëqyrjen rregullatore dhe licencimin, si dhe alokimin e spektrit.

-Pronën intelektuale që përcakton listën e traktateve ndërkombëtare që vendet anëtare të RCEP do të ratifikojnë ose aderojnë, si dhe rregulloret mbi markat tregtare, treguesit gjeografikë dhe patentat.

-Ngritjen e mekanizmave të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në lidhje me pronën intelektuale, RCEP shprehet që vendet anëtare, në lidhje me sistemin e tyre të menaxhimit të emrave të domain-eve të nivelit të lartë të kodit të vendit (TLD), do të vendosin në dispozicion një procedurë të përshtatshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, bazuar, ose modeluar në të njëjtën linjë me, parimet e vendosura në Politikën e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve për Emrin e Njëjtë të Domenit, të miratuar nga Korporata e Internetit për Emrat dhe Numrat e Caktuar.

-Tregtinë elektronike. Kjo përfshin vërtetimet elektronike dhe nënshkrimet, mbrojtjen e konsumatorit në internet dhe mbrojtjen e të dhënave personale, lehtësimin e tregtisë elektronike ndërkufitare, si dhe sigurinë kibernetike.

Çfarë do të thotë marrëveshja për industrinë e veshjeve dhe tekstilit.

Më poshtë po japim interpretimin e të dhënave nga Dr. Sheng Lu, Profesor i studimeve të modës dhe veshjeve në Universitetin e Delaëare.

Dr. Sheng Lu Profesor, shpjegon rëndësinë e RCEP për sektorët e tekstilit dhe veshjeve. Sipas statistikave në vitin 2019, nga këto vende janë importuar 139 miliardë dollarë amerikanë (ose 20% e pjesës botërore)

“Anëtarët e RCEP shërbejnë si baza kryesore e burimit të veshjeve për shumë marka të modës në SHBA.  Për shembull, në 2019, afër 60% e importeve të veshjeve në SHBA erdhën nga anëtarët e RCEP, nga 45% në 2005. Po kështu, po atë vit 32% e importeve të veshjeve të BE erdhën nga anëtarët e RCEP, nga 28.1% në 2005

Përqindja  e importeve të veshjeve nga anëtarët e RCEP

Tregu Importit të veshjeve/vjetor 2005 2010 2015 2016 2017 2018 2019
Bota 44.6 53.5 52 50.2 49.7 49.2 48.2
US 45.7 63.3 62.4 61.5 61.4 61 59.2
EU 28.1 37.5 34.4 32.8 32.8 32.4 32

Anëtarët e RCEP kanë zhvilluar dhe formuar një zinxhir rajonal të furnizimit me tekstil dhe veshje. Brenda këtij zinxhiri rajonal të furnizimit, anëtarët më të përparuar ekonomikisht të RCEP (të tilla si Japonia, Koreja e Jugut dhe Kina) furnizojnë lëndë të parë tekstile në vendet më pak të zhvilluara ekonomikisht në rajon.Vendet më pak të zhvilluara me pagat bazë të ulta ose relativisht më të ulëta, zakonisht ndërmarrin proceset më intensive të punës së prodhimit të veshjeve, pastaj eksportojnë veshje të përfunduara në tregjet kryesore të konsumit në të gjithë botën.

Si pasqyrim i një zinxhiri furnizimi rajonal gjithnjë e më të integruar, deri në 72.8% të importeve të tekstilit të anëtarëve të RCEP në 2019 erdhën nga anëtarët e tjerë të RCEP – një rritje e konsiderueshme nga vetëm 57.6% në 2005. Pothuajse 46% e eksporteve të tekstilit të anëtarëve të RCEP gjithashtu shkoi tek anëtarët e tjerë të RCEP në 2019, nga 31.9% në 2005.

Struktura rajonale të tregtisë së tekstilit dhe veshjeve ndërmjet anëtarëve të RCEP në %

Mallrat 2005 2010 2015 2016 2017 2018 2019
% e importit të tekstileve nga RCEP 57.6 63.6 66.5 67.5 70.9 71.6 72.8
% e importit të veshjeve prej RCEP 82.7 84.5 78.7 77.4 77.9 77.7 75.6
% e eksportit të tekstileve nga RCEP 31.9 32 36.3 37.6 38.1 38.1 38.5
% e eksportit të veshjeve prej RCEP 24.6 21 23.5 22.9 23.3 24.5 24.8

Zbatimi i RCEP do të forcojë më tej zinxhirin rajonal të furnizimit me tekstil dhe veshje midis anëtarëve të tij. Konkretisht:

– Anëtarët e RCEP janë zotuar të ulin nivelet e tarifave në zero për shumicën e tekstileve dhe veshjeve të tregtuara ndërmjet tyre në ditën e parë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

– Në përgjithësi, RCEP miratoi rregulla shumë liberale të origjinës për produktet e veshjeve – anëtarëve të RCEP u lejohet të marrin fije dhe pëlhura nga kudo në botë, dhe veshjet e përfunduara përsëri do të kualifikohen për përfitime pa taksa. Me fjalë të tjera, shumica e fabrikave të veshjeve në vendet anëtare të RCEP mund të gëzojnë menjëherë përfitimet pa pasur nevojë të rregullojnë zinxhirët e tyre aktualë të furnizimit.

– Ndërkohë, RCEP do të zgjerojë gjithashtu rolin e ASEAN si prodhuesi kryesor i veshjeve në rajon. Siç u tha, plani i detajuar i fazës së tarifave – koha që norma e tarifave të arrijë zero – është shumë e ndërlikuar.

Jo vetëm që çdo anëtar i RCEP përcakton planin e tij të ndërprerjes së tarifave, i cili mund të zgjasë disa vite (të tilla si Japonia), por programi i ndërprerjes mund të jetë specifik për vendin (për shembull, Koreja e Jugut vendos programe të ndryshme të fazave tarifore për tekstil dhe produktet e veshjeve nga ASEAN, Kina, Australia, Japonia dhe Zelanda e Re). Kompanitë e interesuara për të përfituar nga përfitimet pa taksa nën RCEP, duhet të studiojnë “rregullat e lojës” në detaje.

RCEP gjithashtu do të ketë efekte të ndryshme që prekin anëtarët dhe jo anëtarët e RCEP.

– Si një bllok tregtar, RCEP mund ta bëjë edhe më të vështirë për joanëtarët e RCEP të përfshihen në zinxhirin e furnizimit rajonal me tekstile dhe veshje.

– Nënshkrimi i paktit mund të përshpejtojë negociatat mbi marrëveshjet e tjera tregtare në rajonin Azi-Paqësor, të tilla si Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Kinë-Koreja e Jugut-Japonia.

– Shumë thonë se RCEP mund të krijojë presion të ri për administratën e re të Biden për të forcuar lidhjet ekonomike të SHBA me vendet në rajonin Azi-Paqësor, të tilla si ribashkimi i CPTPP (Marrëveshje Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor) ose fillimi i bisedimeve mbi marrëveshjet e reja bilaterale të tregtisë”.

Qëndrimi Kinës ndaj Marrëveshjes. Në përgjithësi ekspertët ekonomikë kinezë e quajnë një fitore historike për multilateralizmin që do të ndihmonte ekonomitë rajonale dhe globale të përballen me pandeminë COVID-19 dhe proteksionizmin në rritje.

Kryeministri kinez Li Keqiang e ka konsideruar jo vetëm një arritje të një rëndësie historike në bashkëpunimin rajonal të Azisë Lindore, por gjithashtu një fitore të multilateralizmit dhe tregtisë së lirë.

“Nënshkruar pas tetë vjet negociatash, RCEP lejon njerëzit të shohin shkëlqimin dhe shpresën në hije, duke provuar se multilateralizmi dhe tregtia e lirë mbeten kursi kryesor dhe i drejtë, si dhe drejtimi i duhur për ekonominë globale dhe njerëzimin,” theksoi Li.

Ekonomistët kinezë kanë theksuar se pakti pasqyron rolin kryesor të Kinës në nxitjen e bashkëpunimit shumëpalësh, i cili është në kontrast të ashpër me aktet e qeverisë amerikane që synojnë një shkëputje ekonomike jo vetëm midis SHBA dhe Kinës, por edhe midis ekonomive të tjera.

Bao Jianyun, profesor i Shkollës së Studimeve Ndërkombëtare dhe drejtor i Qendrës për Studime Ndërkombëtare të Ekonomisë Politike në Universitetin Renmin të Kinës, i tha ‘Global Times’ “Nënshkrimi i RCEP tregon se Kina, e cila luajti një rol shumë aktiv në nxitjen e marrëveshjes, ka udhëhequr rrugën në liberalizimin e tregtisë dhe promovimin e një rendi me treg global të bazuar në konkurrencën e lirë. Kjo tregon se Kina i ofron botës një model kinez dhe një zgjidhje kineze në platformën e hapur, ku i shërben botës ”.

Liu Kuikui, një konsulent me qendër në Pekin për transportin dhe tregtinë ndërkombëtare, i tha ‘Global Times’ se pjesëmarrja e disa aleatëve të SHBA-së si Japonia dhe Australia në RCEP gjithashtu tregoi se ‘proteksionizmi dhe hegjemonia ekonomike e SHBA-së po humbet gjithnjë e më shumë mbështetës  edhe në mes të vendeve që ishin “miq” historikë. “Kjo sinjalizon që SHBA po bëhet gjithnjë e më e margjinalizuar në Azi dhe se në të vërtetë, ajo ka humbur fuqinë e ligjërimit mbi çështjet ekonomike aziatike”, komentoi Liu.

Chen Fengying, studiues në Institutet Kineze të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Bashkëkohore, gjithashtu vuri në dukje në ‘Global Times’, se nënshkrimi i marrëveshjes është një korrigjim i kursit proteksionist të disa viteve të fundit, kur lufta tregtare Kinë -SHBA ngriti pikëpyetje në lidhje me bashkëpunimin global. “Por nënshkrimi i RCEP është një sinjal se bashkëpunimi funksionon, i cili mendoj se është edhe më i rëndësishëm sesa ngritja që i jep rritjes së PBB-së së vendeve të veçanta” .

Qëndrimi Europianëve ndaj RCEP. Europianët e shikojnë këtë marrëveshje si një marrëveshje që do të ndihmojë tregëtinë rajonale, ndërsa BE priret të ketë marrëdhënie ambicioze me të gjitha vendet e RCEP. Europa ndjek me vëmendje aksionet strategjike të tyre, sepse vetë rajoni Indo-Paqësorit është strategjik për Europën. Lidhjet e Europës me vendet e ASEAN-it janë të forta. BE ka qenë për një periudhë të gjatë investuesi kryesor me fluksin më të madh të IHD (Investimeve të Huaja Neto) dhe një nga partnerët më të mëdhenj tregëtarë. BE ka marrëveshje kyçe të tregëtisë me Vietnamin, Singaporin, Japoninë dhe Korenë. Ka marëdhënie në zhvillim me Indonezinë, Australinë dhe Zelandën e Re. Në këtë mënyrë BE e konsideron ASEAN-in si partnerin e saj natyror dhe me të njëjtat mendime për multilateralizmin dhe integrimin rajonal. Europianët duhet të jenë proaktivë në Indo-Paqësor dhe të kenë një pozicion ndaj Kinës, që është e vendosur por edhe e hapur, ashtu si Japonia, një nënshkruese e RCEP dhe një nga aleatët kryesorë.

Europianët dhe amerikanët e kanë të qartë se Indo-Paqësori do të jetë rajoni më dinamik në botë dhe qendra e rritjes për dekadat e ardhshme. Suksesi i rajonit në trajtimin e pandemisë COVID-19, i krahasuar me Europën dhe SHBA, e kanë përforcuar më tej këtë realitet objektiv, këtë trend aktual.

Globalizimi nuk ka vdekur. Aziatikët po i tregojnë SHBA-së dhe BE-së se ata mund t’i përshtaten atij dhe ta formësojnë atë, përmes multilateralizmit.

Qëndrimi amerikanëve ndaj RCEP. SHBA dhe India janë lënë jashtë paktit tregtar. SHBA nën Presidentin  Donald Trump, ka bërë presion për marrëveshje dypalëshe, sesa marrëveshje shumëpëlëshe.

Problemi qëndron  te “natyra e rendit rajonal”,  sepse regullat e dakordësuara midis vendeve i bëjnë shtetet më të sigurta, njerëzit më të lirë dhe kompanitë e huaja më të sigurta për të investuar.

Shumë vite më parë, në Shkurt 2015, Presidenti Obama tha kur nënshkroi Partneritetin Trans-Paqësor, se marrëveshje si këto na lejojnë “të shkruajmë rregullat e rrugës në shekullin 21”. Por historia mori një kthesë tjetër kur Presidenti Trump u tërhoq nga TPP (Trans-Pacific Partnership), në ditët e tij të para në detyrë (i cili përfundimisht vazhdoi gjithsesi, pa SHBA dhe u bë CPTPP (Comprehensive and Progressive Agreement for Trans-Pacific Partnership).

Tani, gati katër vjet më vonë dhe në fund të mandatit të Presidentit Trump në detyrë, SHBA e gjen veten përsëri jashtë, ndërsa të tjerët përfundojnë një tjetër marrëveshje mega tregtare. Shumë kanë komentuar mbi degëzimet më të gjera të këtyre vendimeve. Në të vërtetë një studim nga Instituti Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare ka sugjeruar që, “Daljet e Indisë dhe SHBA-së pasqyrojnë motive të ngjashme në të dy vendet, duke përfshirë politikat nacionaliste nga njëra anë, dhe frikën e humbjes së terrenit ndaj Kinës në konkurrencën ekonomike dhe strategjike nga ana tjetër. ”

Si e vlerëson Diane Desierto(Associate Professor of Human Rights Laë and Global Affairs, Keough School, University of Notre Dame)RCEP. “Aty ku pjesa tjetër e botës po përpiqet të arrijë një transparencë më të madhe, një hapje më të madhe ndaj palëve të treta dhe shoqërisë civile dhe të adresojë më shumë mbrojtje mjedisore dhe sociale ndaj ndikimeve të aktiviteteve ekonomike si tregtia, investimet e huaja, pronësia intelektuale, tregtia elektronike, etj, RCEP duket se drejtohet në drejtim të kundërt. RCEP na kthen në një ringjallje të interesave ekonomike, tregtare, të investimeve dhe të tjera ekonomike. interpretohet aq ngushtë, sa për të përjashtuar shqetësime të supozuara “jo-tregtare” siç janë të drejtat e njeriut”. Ekonomistë të tjerëamerikanë kanë shprehur dyshime se: “zhvillimi domethënës i Azisë Juglindore nuk mund të lejojë të dyzohet midis shqetësimeve të rritjes ekonomike dhe ndikimevetë qëndrueshme dhe sfidave të globalizimit në shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe demokracisë”.

Marrëveshjes RCEP do ketë ndikim në Kontinentet e tjera. Shfaqja e kësaj zone gjigante aziatike të tregtisë së lirë duhet të jetë gjithashtu një nxitje vendimtare për Afrikën dhe Amerikën Latine për të përshpejtuar planet e tyre të integrimit rajonal.Pa dyshim, madhësia e tregut dhe rregullat e përbashkëta të vendosura nga RCEP kanë një efekt të drejtpërdrejtë në klimën e investimeve në ekonomitë në zhvillim. Afrika dhe Amerika Latine duhet të bëjnë gjithçka brenda mundësive të tyre për t’u përshtatur me një peizazh të ri konkurrues.

      Lufta për drejtimin e botës po bëhet midis dy blloqeve brenda SHBA-së, por duket sikur bëhet midis SHBA-së dhe Kinës. Presidenti kinez Xi Jinping pas marëveshjes RCEP, kërkoi forcimin ushtarak për stërvitje si në kushtet e një lufte të vërtetë rajonale. Ai propozon përdorimin e një kodi QR global për normalizimin e lëvizjeve. Modeli ekonomik i Pekinit bazohet në centralizimin e plotë të pushtetit politik dhe kontrollin e plotë të popullsisë vendase. Siç i themi shqip “matrikulimin e popullsisë= damkosjen e popullsisë= tatuazh kuantik me gjuhë moderne”. Përsa i përket përdorimit të kodit QR, Kina ka eksperimentuar në qytetin e Shenzhenit.Të gjitha pagesat në këtë qytet bëhen vetëm nëpërmjet skanimit të një kodi QR nëpërmjet aparatit celular. Tatuazhi kuantik apo mikrochipi me radio-frekuenca që mund të implementohet në trupin e njeriut janë dy prej alternativave të mundshme.
            A do pranojë USA drejtimin e botës nga Kina? Joe Biden theksoi se USA do jetë forca kryesore udhëheqëse e botës. Shekulli XXI është shekulli i Amerikës. A mundet USA ta realizojë këtë mision pas marrëveshjes RCEP dhe fuqizimit ushtarak të Kinës. A do ta pranojë ajo udhëheqjen e qeverisë kineze që me veprimet e saj kërkon të matrikulojë me tatuazh kuantik popullin kinez, duke u bërë precedent për qeveritë e vendeve të tjera të botës? Të shikojmë veprimet e tyre sepse bota pas Tramp do të ndryshojë dukshëm.