Prof.Dr.Alqi Naqellari: Gorilla 800 paun e Azisë përballë kapitalizmit të kaubojsëve

206
Sigal

Gorilla 800 Paund e Azisë përball kapitalizmit të kaubojsëve

Alqi NAQELLARI

Pasojat e pandemisë së koronavirusit Covid-19 u shfaqën në infektimin dhe mortalitetin e popullsisë botërore, në rënjen e ekonomisë reale dhe në tronditjen e tregjeve financiare, u ndjenë njëkohësisht në kërkesën dhe ofertën agregate.

Kjo pandemi nuk ngjason me murtajën e 1666 në Londër, me kolerën e 1710, me pandeminë e Marsejës 1720-1723, me pandeminë e parë të kolerës aziatike 1817–1824, me gripin Spanjoll 1918-1920, etj. Pandemia e fundit, kishte disa karakteristika që nuk i kishin të tjerat. Së pari, u përhap vetëm në një qytet, në Ëuhan të provincës Hubej të Kinës, së dyti, u përhap shumë shpejt, në një kohë rekord thuajse u përhap në gjithë botën, së treti, u përhap në vendet me të cilat Kina kishte lidhje ekonomike, si Italia, SHBA, UK, Kore e Jugut, Iran etj, së katërti, preku vendet më të mëdha dhe më të zhvilluara të botës, së pesti, pasojat e saj negative u shtrinë  njëkohësisht në kërkesë dhe ofertë. Pasojat e saj janë shumë më të rënda në ekonomi sesa mbi popullsinë në raport me pandemitë e mëparëshme. Shkalla e pasojave të tyre mbi ekonominë reale u diktua nga qëndrimet e qeverive të vendeve që u prekën.

Pasojat sociale dhe ekonomike, u përballuan në mënyra të ndryshme nga vende të ndryshme. Dallojmë dy grupe vendesh, grupi vendeve të ekonomisë së tregut ku përfshihet SHBA, BE etj dhe grupi i ish-vendeve socialiste me ekonomi mikse si Kina, Rusia, Kuba etj. Vendet me ekonomi mikse  e përballuan me më pak humbje në njerëz dhe në ekonomi, me masa jo të njëjta si vendet perëndimore. Dallimi ishte në masat që morri secili grup.Grupi ekonomive mikse u përqëndrua kryesisht në masa që shfrytëzonin centralizimin e ekonomisë dhe mënyrën e organizimit të sistemit monetar. Grupi i ekonomive të tregut u përqëndrua kryesisht në stimulimin e konsumit si pjesë e kërkesës agregate si dhe në lehtësimin e masave fiskale nga ana e qeverisë. Dallimi midis këtyre masave ishte pasojë e organizimit dhe sistemit ekonomik që kanë këto grupe. Pasojat e tyre u reflektuan në popullatë dhe në ekonomi. Jo vetëm në ekonomitë e këtyre vendeve por nëpërmjet tyre në ekonomitë thuajse të pjesës më të madhe të ekonomive të botës.

Ky fenomen ndodhi në mënyrë objektive, sepse ekonomia botërore tashmë është e globalizuar. Bota në saj të ekonomisë tregut, tregëtisë së lirë, produkteve të vogla dhe të teletransportit është bërë shumë e vogël. Tani po e kuptojmë sesa e vogël është bota dhe sa i madh mund të jetë universi. Në këto kushte bota është e para, dhe shtetet si pjesë e saj janë si apartamentet e një ndërtese.Po ra zjarr në një shkallë merr flakë gjithë pallati, po ra gripi në një shkallë bie gripi në gjithë pallatin. Kështu të gjithë duhet të përgjigjen për ndërtesën, pavarësisht sesa të mëdha i kanë apartamentet, kanë nga një guzhinë si Shqipëria e vogël apo nga 20 kate si USA dhe Kina. Flaka në pallat nuk pyet për të bardh a të zi, për të vogël a të madh, për të pasur a të varfër, ajo i djeg, i vret të gjithë pa bërë dallim. Tashmë ka ikur koha e deklarimeve të tilla, Amerika e para, Kina e para, Rusia e para, ka ikur koha kur thuhej se “kur teshtin Amerika plevitoset bota”, ka ardhur koha të thuhet se edhe kur teshtin BE-ja, kur teshtin Kina, India plevitoset bota, ka ardhur koha që supershtetet ta shikojnë njëri -tjetrin me objektivitet, ta pranojnë realitetin e ri ekonomik, të heqin mijra miliardat nga armët bërthamore, nga investimet joprodhuese dhe t’i investojnë për njerëzimin, për mirëqënien e tij, sepse ata që kanë lindur kanë të drejtë të jetojnë si njerëz, të barabartë dhe jo të diferencuar mbi bazën e pasurisë, ngjyrës e fesë. Ka ardhur koha të kuptojnë që një Covod-19, një kolerë apo një grip nëse nuk merr masa, të bën gjëmën, të sfidon pa dallim, më shumë se një apo 100 mbushje atomike.

Perëndimi i është drejtuar Kinës duke e akuzuar si përgjegjëse për koronavirusin. Pyetja është pse pikërisht Kinës dhe jo një vendi tjetër të fuqishëm, kush është Kina? Përgjigja është e thjeshtë Kina është vendi me produktet më të ndërkombëtarizuara në botë, aq sa kur blen një mall në Kinë, nuk e mendon që ky mall mund të jetë kino-amerikano-koreano-gjerman, pavarësisht se lexon Made in China. Kina ka ritmin e rritjes më të lartë në botë të PBB-së, me synim kalimin e PBB-së Amerikane. Ja si është shprehur udhëheqësi saj historik Mao Ce Dun.   “ Kina e prapambetur, e përçmuar dhe e zhytur në fatkeqësi për mëse 100 -vjet, do ta ndryshojë pamjen krejtësisht dhe përveç kësaj do të arrijë shtetin më të fuqishëm kapitalist të botës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës”: “kalimi i SHBA-ve është jo vetëm i mundshëm, por edhe i nevojshëm…”. Mao e quan mision historik që Kina të bëhet shteti më i fuqishëm ekonomik në botë.

Kush e bëri Kinën superfuqi botërore ekonomike, nga një shtet biçikletash, në një shtet që prodhon numrin më të madh të automjeteve në botë? Kush e bëri Kinën superfuqi të teknologjisë së informacionit, të G5? Kush e bëri Kinën superfuqi në fushën e kërkimeve planetare, që e çoi raketën në anën e padukshme të hënës? Kush e bëri superfuqi në fushën e militarizimit, etj, etj?

“Gorillën 800 Paund të Azisë”, (ky përcaktim dhe “kapitalizmi kaubojsave” -janë marrë nga A.Greenspan, “Epoka e Trazirave”) dragoin e Azisë e shndëruan në një përbindësh ekonomik faktorët e brendshëm dhe faktorët e jashtëm. Në faktorët e brendshëm përmendim, efikasitetin e politikës që u ndoq në Kinë që nga vitit 1949, duke filluar me shtetëzimet, bashkëjetesën e formave të pronësisë, lulëzimin e 100 luleve dhe shkollave, të Kryetarit Mao Ce Dun, deri te socializmi kinez me tipare të ekonomisë së tregut të Ji Xinpingut. E bëri puna dhe zgjuarsia e popullit kinez, tradita e tij, kulturat që u futën në Kinë gjatë shekujve.

Kinën moderne, superfuqi ekonomiko-financiare e bëri me duart e tij kapitali Perëndimor, për llogari të maksimizimit të fitimit. Etja për fitim e kapitalit privat nuk pyet se çfarë shteti je, ai futet atje ku ka më shumë fitim duke haruar që futja e kapitalit eksporton në atë vend edhe kulturën shoqërore, kulturën ekonomike, kulturën e tregut, kulturën juridike, duke nxitur progresin shoqëror dhe ekonomik. Këto vende kthehen në shtete me ekonomi hibride, me kombinim të tipareve të një ekonomie të centralizuar dhe ekonomisë me tipare të tregut të lirë. Shartesa e ekonomisë së centralizuar Kineze me mbi shartesën Perëndimore të ekonomisë së Tregut, krijuan Hibridin e superfuqishëm Kinez, centralin ekonomik botëror, me tipare të dy sistemeve, që ka marrë anët më të mira të tyre. Globalizimi, përcolli shpërndarjen e burimeve, rritjen ekonomike por jo me të njëjtën forcë demokracinë e tipit perëndimor. Kjo krijesë, ky super shtet nuk kishte diskutim që do ti tekalonte krijuesit e tyre, si dikur SHBA-të që kaluan mëmën e tyre Anglinë. Ai arriti me tej të bashkëjetojë edhe me Hong Kongun, nën moton- një Shtet dy Sisteme, që askush nuk do ta mendonte këtë bashkëjetesë kaq gjatë. Ky hibrid ekonomik, kjo ekonomi mikes, “socializëm me tipare të tregut”, sfidoi ekonomitë perëndimore të tregut, sfidoi “kapitalizmin e kaubojsëve”,  në përballimin e pasojave negative të pandemisë koronavirusit Covid-19.

Po a është normale që ky shtet të luftohet për t’u dobësuar ekonomikisht me masa proteksioniste, me tarifa dhe kuota, me izolime dhe tërheqje të firmave prej saj dhe stimulimi për vendosjen në vende të tjera? Kjo zgjidhje që po provojnë të zbatojnë Amerikanët, Japonezët apo Europianët  tregoi se është një zgjidhje jo efektive. Nuk është kjo rruga e frenimit të rritjes së saj, e internacionalizimit të produkteve të saj, përkundrazi kjo rrugë më shumë dëm do tju sejelli vendeve që do ta aplikojnë këtë rrugë, sesa vetë ekonomisë Kineze. Ekonomia kineze pavarësisht këtyre masave, ju është përgjigjur me të njëjtën monedhë duke mos ulur ritmin e rritjes ekonomike, përkundrazi duke mbajtur një ritëm më të lartë se 6%.

Konsideratat e Ish Kryetarit të FED-së  Alen Greenspan, për raportet SHBA-Kinë

Këtu do përmend disa përcaktime të Alen Greenspan nga libri i tij “Epoka e Trazirave”, -një përkthim brilant i Profesor Aristotel Panos, për marrëdhëniet e SHBA me Kinën. Greenspan është një nga ekonomistët më të mëdhenj bashkëkohorë. Z. Greenspan është përshkruar nga G.Broën, si  “udhëheqësi më i madh ekonomik në botë i brezit tonë”, dhe që ka shërbyer “mandatin më të suksesshëm në histori” si kreu i Rezervës Federale. Ai ka qenë Kryetar i Rezervës Federale(Fed), për rreth 19 -vjet. Pikërisht ky gjigand i mendimit ekonomik botëror ka bërë disa përcaktime shumë profesionale në lidhje me qëndrimin e SHBA ndaj Kinës. Po citoj disa prej tyre. “Vendosja e tarifave tregtare me Kinën do të ishte e gabuar dhe do të vinte të ardhmen e ekonomisë amerikane  në rrezik “,  – Greenspan, duke dëshmuar në Komitetin e Financave të Senatit së bashku me Sekretarin e Thesarit John Snoë, paralajmëroi çdo përpjekje për të përdorur sanksione, për të nxitur Kinën në rivlerësimin e monedhës së saj do të dëmtonte ekonominë amerikane. “Disa vëzhgues gabimisht besojnë se një rritje e dukshme e vlerës së këmbimit të renminbit kinez në raport me dollarin amerikan do të rrisë ndjeshëm veprimtarinë prodhuese dhe vendet e punës në Shtetet e Bashkuara,” -tha Greenspan në tekstin e dëshmisë së tij. “Unë jam i vetëdijshëm për asnjë provë të besueshme që mbështet një përfundim të tillë”.  “… rivlerësimi i monedhës kineze thjesht do të ishte “tregtia e ridrejtuar” brenda Azisë dhe “do të kishte pasoja të kufizuara për importet e përgjithshme të SHBA-së si dhe eksportet e SHBA-së, që konkurrojnë me produktet kineze”. “Çdo ngritje e konsiderueshme e tarifave që zvogëlon në mënyrë të konsiderueshme importet tona të përgjithshme, duke mbajtur mallra me çmime konkurruese, do të ulte materialisht standardin tonë të jetesës,. …”pak, nëse ka ndonjë” “feë, if any”  punët amerikane do të mbroheshin me tarifë për mallrat kineze”.

“Çdo efekt i tregtisë me Kinën në punësimin në Sh.B.A,  ka të ngjarë të jetë shumë i vogël në krahasim me shkallën e krijimit të vendeve të punës dhe humbjen e vendeve të punës në ekonominë tonë,…”- tha ai. “Një politikë për të çmontuar sistemin global të tregtisë në një përpjekje të gabuar për të mbrojtur vendet e punës nga konkurrenca do të shpjerë në dëm eventual të të gjithë personave amerikanë që kërkojnë punë, si dhe miliona konsumatorëve amerikanë”. Ndërsa Sekretari Senatit Xhon Snoë,  ka theksuar në Komitetin e Financave të Senatit se: “Kina tani është e gatshme dhe duhet të lëvizë pa vonesë në një mënyrë dhe madhësi që është mjaftueshëm reflektuese e kushteve themelore të tregut, ”. ” Zbatimi i sanksioneve tregtare do të çonte në politika hakmarrëse ndaj eksporteve tona, duke dëmtuar SHBA-në dhe ekonominë globale”. ”Forcimi i Kinës për të miratuar një monedhë më të lartë duke kërcënuar sanksionet tregtare do të ishte “kundërproduktive” dhe ka të ngjarë të vonojë një ndryshim nga qeveria kineze, -Snoë i tha komitetit. “Pasojat e paqëllimta do të ishin shtyrja e hapave konkrete për reformën e monedhës që Kina duhet të ndërmarrë për hir të vetes dhe për hir të ekonomisë globale”.

Greenspan flet me konsideratë për ekonomistët kinezë dhe për një pjesë të udhëheqësve të saj. Ja disa nga konsideratat e tij.  Për ish Kryeministrin Kinez Zhu Rongji: “Më bëri përshtypje gjithashtu niveli i sofistikuar i analizës së tij, i pa zakontë edhe për udhëheqësit e rangut botëror.”. Ten Hsiao Pin që e çoi Kinën nga epoka e biçikletave, në epokën e automjeteve, Presidenti Deng, “aq pragmatist, sa dhe marksist filloi transformimin e Kinës nga një vend me ekonomi të izoluar agrare të planifikimit të centralizuar, në një vend me një prani me peshë të veçantë në skenën e ekonomisë botërore. Marshimi i vendit drejt tregjeve  filloi në 1978,”.  Kalimi i Kinës në shinat e konkurencës së tregut u vesh prej udhëheqësve dhe ekonomistëve kinëze me eufemizma të tillë si, socializmi tregut”, “socializëm me karakteristika kineze” etj.

Nga këto konsiderata shihet qartë se Greenspan nuk është për masa frenuese dhe me pasoja negative për ekonominë e SHBA-së dhe të botës. Ekonomia kineze do tërheqë kapitalin e huaj derisa fuqia punëtore kineze të bëhet jo tërheqëse për kapitalin perëndimor. Kur çmimi saj të barazojë çmimin e fuqisë punëtore në vendet e afërta atëhere kapitali perëndimor do tërhiqet dhe do vendoset në zona të tjera të globit.

Po Kina është bërë në saj të këtij kapitali një vend që importon dhe eksporton kapital masiv. Tentakulat e oktapodit të investimeve të saj janë shtrirë thuajse në të gjithë botën që nga Gjermania, Franca, Italia, Greqia, SHBA-të e deri në Brazil e Afrikën e Jugut. Kina ka investimin e katërt më të madh të drejtpërdrejtë të huaj dhe zë vendin e njëmbëdhjetë për investimet e huaja direkte të jashtme. Investimet Kineze jashtë teritorit të saj, kanë dy veçori, e para Kina eksporton kapital shtetëror jashtë vendit të saj, e dyta blen kompani të fuqishme prodhuese strategjike. Në këtë mënyrë është e vështirë të përballesh me Kompanitë Kineze sepse nuk janë thjeshtë kompani private, por janë shtetërore dhe duhet të përballesh me qeverinë dhe shtetin Kinez, i cili mbron interesat  jo të privatit, por të shtetit.

Disa arritje të ekonomisë Kineze

GDP-i nga 1211 mld $ në vitin 2000, në 2017 ka qenë 12238 mld ose e rritur me 10 herë. Në 2019 ka qenë 14140 mld.  53.6% llogaritet nga shpenzimet e konsumit,  44.4% nga shpenzimet për investime dhe  2% eksport neto.

GDP-i për frymë, nga 1073$ në 2000,  në 2017 ishte 7150$, ose u rrit me 4.1 herë në 2019 ka qënë 10099 $. Në vitin 2002, Kina kontribuoi 23% të rritjes së PBB-së botërore, në vitin 2019 Kina kontribuoi rreth 38% të rritjes botërore.  Në vitin 2019, kërkesa për naftë e Kinës ishte 13.9 ml fuçi/ditë ose 14% e tregut botëror, kundrejt 5,6 ml fuçi/ditë në vitin 2003 që barazonte me 7% të kërkesës botërore.