U kap ‘mat’ duke vendosur tritol, arrestohet porositësi dhe autori në Vlorë

173
Sigal

Marlen Gutiçi dhe Bexhet Alliaj janë dy personat e arrestuar në Vlorë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Porositësi”.

“Parandalohet dhe zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 14.06.2020. Vihen në pranga porositësi dhe autori i tentativës për vënie të lëndës plasëse, të dy me precedentë të mëparshëm penal”, tha Policia.

Sekuestrohen armë zjarri, masa me lënde plasëse të montuara për shpërthim, doza me lëndë narkotike kokainë e heroinë dhe targa automjetesh të vjedhura.

“Në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, në të gjithë qytetin e Vlorës janë shtuar patrullimet nga agjentët e Policisë Kriminale.

Si rezultat i mbajtjes nën vëzhgim të personave të dyshuar për vendosje eksplozivi dhe falë informacioneve të marra në rrugë operative u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Porositësi”, në kuadër të të cilit u kap në flagrancë shtetasi M. G., 34 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ky shtetas, më datë 14.06.2020, në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë, ka tentuar të vendosë një sasi lënde plasëse në oborrin e banesës së shtetasit A. D., por falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë u parandalua shpërthimi i lëndës eksplozive, pasi autori u kap në flagrancë në momentin që po vendoste lëndën eksplozive.

Falë punës profesionale dhe hetimore u bë i mundur dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje, duke çuar në identifikimin, kapjen dhe arrestimin e porositësit, konkretisht shtetasit B. A., 50 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nga kontrolli i ushtruar në banesat e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një bazë materialesh, të listuara si më poshtë:

1 armë zjarri e llojit revolver me dy fishekë, 2 sasi lënde të dyshuara eksplozive të llojit tritol, të montuara me kapsollë detonatorë me fitil zjarrpërcjellës, 21 doza të dyshuara me lëndë narkotike të llojit kokainë, 1 dozë e dyshuar lëndë narkotike e llojit heroinë, 1 peshore elektronike për peshimin e lëndës narkotike, 3 automjete (njëri rezulton i vjedhur në shtetin grek), 3 aparate celularë, targa të vjedhura, biçikletë etj”-, sqarohet në njoftimin e Policisë.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Vlorës, në ngarkim të këtyre shtetasve, për veprime të mëtejshme.