Gëzim Tushi: Të divorcuar si bashkëshortë, por jo si prindër!

Bashkëshortësia, divorci dhe prindërimi…

Gëzim Tushi, Sociolog, “Mjeshtër i Madh”

Sigal

 Padyshim, në kushtet e reja të jetës sociale moderne dhe gati postmoderne, është lehtësisht e vërtetuar se divorci është bërë gati si “minë” për ekzistencën dhe funksionimin e familjes tradicionale, lidhjes midis bashkëshortëve dhe raportet e tyre me fëmijët e përbashkët. Nga analiza sociologjike e pasojave të divorceve, përveç prishjes së bashkëjetesës martesore  kjo epidemi po shton në shoqëri “viktimat sociale”, sikurse janë fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Situata shpirtërore, materiale dhe personale e të cilëve përkeqësohet ekzistencialisht pas divorcit të çiftit. Sidomos turbulente bëhet situata, kur është fjala për raportin e ri të të divorcuarve me fëmijët e tyre. Gjëndja e fëmijëve të familjeve të divorcuara në shoqërinë tonë është keq dhe ka tendencë të përkeqësohet akoma më shumë. Në se vlerësojmë këtë plagë sociale që shkarkohet padrejtësisht mbi minorenët, kjo do të thotë që në këtë drejtim na duhet një revolucion human, një kontratë sociale serioze dhe kulturë e re e komportimit social të prindërve të divorcuar si kusht për të “rindërtuar” statusin e ri të lidhjeve dhe marrëdhënieve reciproke me fëmijët e tyre. Thelbi është të kuptojmë me përgjegjësi humane se divorci është një akt civil dhe individual, që “anulon” martesën dhe “pushon” kontratën e të qënurit çift, por asnjëherë dhe kurrë “detyrimin” e patjetërsueshëm të të qënit prind për fëmijët e përbashkët. Trajtimi i këtij problemi evident në shoqërinë tonë është imperative që diktohet nga fakti që një nga “plagët e mahisura” në shoqërinë tonë është pikërisht kontradiktat që vijnë pas divorcit, sidomos ato që janë të lidhura me kujdesin dhe përgjegjësinë prindërore. Qoftë emocionale, edukative apo financiare. Gjyqe pa fund për këtë sferë postdivorcit, nga që shumë shpesh (zakonisht burrat, por nuk përjashtohen edhe gratë në raste të veçanta), pasi bëjnë divorcin heqin dorë edhe nga përgjegjësia dhe detyrimet e prindërimit për fëmijët e përbashkët. Doemos divorci është një akt që ka pasoja dhe prek cilësinë e prindërimit bashkëshortor, si zgjidhje komplementare për të ndikuar pozitivisht në rritjen e shëndetshme, edukativisht normale të fëmijës në fazat e rritjes së tij. Padyshim sikurse shkruan psikologu dhe psikiatri amerikan Scott Peck “Divorci është kanosje për ndjenjat e sigurisë së fëmijëve dhe tingëllon aq frikësues, sa që ata nuk mund të parashohin asnjë perspektivë për veten e tyre”. S. Peck, “Rruga nëpër të cilën rrallë shkohet”, vëll I, f 53

Të gjejnë gjuhën e përbashkët

Prindërit e divorcuar duhet të kuptojnë se ata nuk kanë të drejtë as humane as ligjore që fëmijët e tyre t’i kthejnë në lojë ping-pongu në fushën e helmatisur të divorcit bashkëshortor. Gjithë problemi është që në situatën postdivorcit, ish bashkëshortët që janë edhe prind të fëmijës, në emër të dashurisë për të duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe me tolerancë, komunikim reciprok të bëjnë “rindërtimin” e stilit të ri të jetës së tyre dhe të rimarrjes në një platformë të re të “kuotave të ndryshuara prindërimit. Tashmë me statusin e bashkëshortëve të divorcuar, por kurrë si prindër të ndarë nga imperative i përbashkët dhe i pandryshuar i prindërimit.

Pavarësisht vuajtjeve emocionale që sjell divorci apo urrejtjes reciproke të bashkëshortëve, kjo nuk mund të përdoret si argument për të cënuar “unitetin e prindërimit”. Skizma e martesës nuk ka pse të shoqërohet me prishjen e “unitetit të prindërimit” apo braktisjen e njëanshme të saj: e cila ka pasoja të pallogaritshme në prishjen e “busullës” së orientimit dhe bazat e rritjes së shëndetshme të personalitetit të fëmijëve të përbashkët. Nëse prindërimi i fëmijëve bëhet me “stakato” dhe në situata të shfaqura konfliktuale të çiftit të divorcuar, pasojat për fëmijët, zhvillimin e tyre “invalid” me cene psikologjike e morale është pothuaj i pashmangshëm. Dhe në të gjitha rastet për këtë situatë nuk është përgjegjës fëmija, por prindërit e tij të divorcuar, që nuk duan apo nuk janë të aftë të rindërtojnë një stil të ri prindërimi, bazuar në kushtet e reja sociale dhe kontekstet e ndërlikuara të periudhës postdivorcit. Është evidente, dhe ka tregues, statistika sociale që vijnë nga shkolla, gjykatat dhe organet e policies, se shpesh fëmijët që janë me statusin e ndryshuar, për shkak të divorcit të prindërve, marrin rrugëtim individual problematik.

Ata bëhen agresivë, asocialë, përfshihen nga veset e bulizmit, alkoolit, drogës, jetës së parakohshme seksuale, futen më lehtë në rrugën e krimit minor, rekrutohen në struktura e banda kriminale. Shpesh situata e fëmijëve me prindër të divorcuar, pa kujdesin e duhur dhe vigjilencën prindërore, bëhen prehë dhe viktima të abuzimit fizik, emocional dhe sidomos seksual. Gjahtarët, manjakët e seksit dhe pedofilët e rafinuar, i kanë në objektivin e tyre pervers e kriminal fëmijët e pambrojtur apo me kujdes të paktë prindëror. Ideja e zëvendësimit të prindërve biologjikë me “prindër social” apo edhe me gjyshër kujdestarë alternative, nuk është mjeti adekuat që garanton rritjen e shëndetshme dhe kujdesin nga rreziqet eventuale.

Unë besoj se nuk është mirë që dukuria e prishjes së “bashkësisë prindërore” dhe e aleancës së prindërimit reciprok të fëmijës në situatë postdivorci, nuk po bëhet një kulturë e re, që duhet zhvilluar dhe përsosur. Jo vetëm pse kjo është rruga e prindërimit të sigurt edukativ, por kjo bëhet akoma më imperative nga ana social- psikologjike dhe edukativo-morale. Kjo është nevojë akoma më imperative sot, për shkak se jemi në kushtet kur në shoqërinë shqiptare të ditëve tona, numuri i divorceve është në rritje. Për pasojë edhe sasia e fëmijëve të mbetur me kujdesin e njëanshëm të një prindi, apo në rastin më të keq nën “suzerentietin” e njerëzve të tjerë biologjik apo social qofshin, po e bën situatën dhe statusin e kësaj kategorie fëmijësh shumë problematike. Nuk ka rrugë tjetër, përveç konceptimit me humanizëm dhe devocion prindëror të përgjegjësisë së përbashkët, si rruga kryesore, në mos e vetme për edukimin normal, rritjen e shëndetshme biologjike, sociale e kulturore të fëmijëve. Pikërisht të atyre që për shkak të divorcit të prindërve biologjikë, kanë status të veçantë vulnerabiliteti.

Mbajtja pranë fëmijës dhe kujdesi komplementar nga dy figurat prindërore, është konditë =e pazëvendësueshme, e pandryshueshme dhe pa alternativë të ngjajshme. Vazhdimësia e marrëdhënies së prindërve të divorcuar me fëmijët e tyre, është investim human dhe “historik,” me dimension moral dhe edukativ. Detyrë dhe përgjegjësi që nuk zgjidhet me mënyra e forma pragmatiste apo monetariste, në të cilën njëri nga prindërit, përgjithësisht babai e konsideron të kryer detyrën e prindit, vetëm duke qënë korekt me plotësimin e “detyrimit ushqimor” dhe që pastaj i “lan duar” nga përgjegjësia komplekse prindërore për fëmijën dhe nevojat e tij të vazhduara, të përshkallëzuara e të integruara. Sociologët e familjes dhe martesës, kanë vërtetuar se fëmija nuk ka nevojë për “baba çek” apo për “baba të fund javës”, por për prind që mban lidhje emocionale dhe tregon kujdes permanent. Ca më pak fëmijët që mbeten nën kujdestarinë e gjyshërve, nuk mund të ndihen të kënaqur edhe kur ata janë “gjyshër financiarë” për të plotësuar nevojat e fëmijëve, që kanë të divorcuar prindërit. Të gjitha këto perceptime, forma e metoda janë mënyra më mendjengushtë e prindërimit me fëmijët nga bashkëshortët e divorcuar. Nuk besoj se është ndonjë “martirizim” apo sakrificë ekstreme, në se bashkëshortët e divorcuar nuk harrojnë që pavarësisht statusit të “ri” të tyre, mbetet i pandryshuar “statusi i vjetër” i prindit, detyrimi absolut i prindërimit me çdo kusht, në mënyrë të pakushtëzuar. Lindja e fëmijëve nuk është kurrë e barabartë me një “akt të thjeshtë biologjik”. Ajo është së pari një lidhje sentimentale, që është e pandërprerë edhe nëse divorci ndodh.