Prof. Dr. Lush SUSAJ/ Faleminderit Kosovë, na zbardhe faqen

572
Sigal

Këto zgjedhje do të shënojnë fundin e një epoke të mbushur me dhunime e manipulime të proceseve zgjedhore

Faleminderit Kosovë e betejave për demokraci dhe ndryshime epokale! 

Zgjedhjet në Kosovë, rrezatuan qytetari, ligjshmëri dhe shpresë të madhe për të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve në Rajon

Prof. Dr. Lush SUSAJ

Në Kosovë sapo janë zhvilluar zgjedhjet parlamentare të parakohshme të datës 6 Tetor 2019. Këto zgjedhje, për nga ligjshmëria e zhvillimit të gjithë procesit zgjedhorë, për nga masiviteti i pjesëmarrjes në votime dhe për nga programet dhe ekipet e reja të shpalosura në fushatë, do të shënojnë fundin e një epoke të mbushur me dhunime e manipulime të proceseve zgjedhore në Kosovë dhe në Shqipëri. Zgjedhjet e sotme në Kosovë do të bëhen dritë dhe frymëzim për të shënuar fundin e qeverisjeve me nepotizëm, me hajdutë, me injorantë e me kriminelë të rritur me vulgaritetin e mëhallave të izoluara dhe të freskuar e të etioluar nën hijen e patriotizmit dhe sjelljeve primitive. Zgjedhjet e sotme në Kosove janë drita që do të ndriçojë sjelljen dhe mendjen e çdo shqiptari që ëndërron e që do të bëhet i dobishëm për lirinë dhe përparimin e vendit e të popullit të tij. Këto zgjedhje treguan forcën e madhe të ndryshimit të një populli që beson tek vlerat dhe liria.

Pjesëmarrja e lartë në zgjedhje, si dhe zhvillimi i tyre pa incidente ka surprizuar e gëzuar aq shumë edhe partneret strategjik të Kosovës dhe të gjithë dashamirët dhe vendet mike të shqiptarëve në rajon. Duke folur për zgjedhjet e 6 Tetorit në Kosovë dhe rëndësinë që ato kanë për të ardhmen e Kosovës, ambasadori amerikan Philip Kosnett, është shprehur: “Çfarë ditë e shkëlqyeshme, i lumtur kur shikon kaq shumë prej jush duke gjetur kohë për të votuar, kjo dëshmon përkushtimin tuaj të fortë për të ardhmen e Kosovës”

Për të gjithë botën shqiptare, këto zgjedhje janë shembulli dhe dëshmia më e mirë për mënyrën se si mund dhe si duhet të fitohet beteja me dhunuesit e zgjedhjeve, me blerësit e votave, me kriminelet në politikë, me varfëruesit dhe me shkatërruesit e jetëve tona, me hajdutët dhe shkatërruesit e territorit, me ata që na i dëbuan fëmijët në azil, me ata që shkatërruan arsimin, bujqësinë, drejtësinë, kulturën e çdo gjë tjetër të ngritur me aq shumë sakrifica në këto 100 vite. Zgjedhjet në Kosovë, për shkak të ligjshmërisë dhe pjesëmarrjes së lartë të qytetarëve, duket që e kanë bërë ndryshimin e shumëpritur. Është fjala për ndryshimin e thelbit të qeverisjes dhe sjelljes së administratës dhe institucioneve politike ndaj jetës dhe fateve të vendit e që shkon përtej arritjeve apo një gjykimi të thjeshtë të procesi të rregullt e pa incidente. Shembulli i këtyre zgjedhjeve për botën shqiptare do të ndriçojë e frymëzojë për t’i dhënë fund sa më parë modelit të sundimit të gjatë të Kosovës dhe Shqipërisë me feudalë e bejlerë e injorantë, apo me barkderra e me kriminelë ordinerë e politikë. Unë mendoj që sot është një ditë e madhe. Është dita e lindjes së një shembulli e shprese për një ndarje serioze e përfundimtare të botës shqiptare nga modeli otoman e komunist i sundimit dhe zhvillimit kaotik, shkombëtarizues e vetë-diskreditues. Nga zgjedhjet e 6 Tetorit 2019, shqiptarët do të mund të kuptojnë më mirë vlerën dhe forcën e votës së tyre. Shoqëria jonë do të maturohet më shumë duke e kuptuar e besuar rëndësinë e reagimit demokratik ndajë së keqes me anë të zgjedhjeve të lira dhe pjesëmarrjes masive në to. Shqiptarët mund ta bëjnë krahasimin e zgjedhjeve aktuale në Kosovë me zgjedhjet e këtyre 20 viteve që ta kuptojnë më mirë se sa e rëndësishme është shprehja e lirë e vullnetit të një populli përmes votës që nuk shitet, nuk shantazhohet dhe nuk tjetërsohet. Është koha që të bëjmë krahasimin për të kuptuar edhe nevojën e rritjes së kapaciteteve tona politike e administrative, përmes një qeverisje ligjore, gjithëpërfshirëse. Unë besoj që këto zgjedhje do të hapin një kapitull e model të ri në qeverisjen dhe jetën tonë shoqërore e politike. Besoj që në Kosovë (në një ditë jo shumë të largët edhe në Shqipëri) do të marrë fund periudha varfëruese e shkombëtarizuese e qeverisjeve nepotike e abuziviste dhe të fillojë qeverisja me njerëz të ditur e të ndershëm, me njerëz pa të shkuar komuniste e kriminale, me njerëz të nderit e të fjalës së mbajtur dhe me njerëz që nuk shantazhohen me dosjet e tyre të vjedhjeve, të spiunllëkut dhe korrupsionit. Nga këto zgjedhje, Kosova bëhet edhe më e sigurt, edhe më e unifikuar, edhe më elitare, edhe më e stabilizuar, edhe më e respektuar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kështu Kosova do të bëhet më e banueshme për rininë dhe popullin e saj dhe akoma më e besueshme dhe atraktive për investitorët, turistet, negociatorët, kompromiset e qëndrueshme dhe vendimmarrjet politike rajonale e ndërkombëtare. Me këtë rast, Shqipëria do të mund të shohë më nga afër mundësinë dhe rrugën e vetme të shpëtimit nga rruga e gabuar dhe humnera e thellë e varfërisë, e shpopullimit, e përçarjes kombëtare dhe e instalimit të një diktature tinëzare, sofiste e kriminale të pashembullt për rajonin e Ballkanit dhe gjithë Evropën. Zgjedhjet në Kosovë, rrezatuan qytetari, ligjshmëri dhe shpresë të madhe për të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve në rajon. Është momenti për reflektim, falënderim dhe mirënjohje ndaj Kosovës së betejave për liri, demokraci dhe ndryshime epokale.