Letrat anonime, ja kujtimet e gazetarit Bashkim Trenova

599
Sigal

Si i larguan nga TVSH-ja Alfons Gurashin dhe Kiço Fotiadhin, dy ikonat e televizionit për “njolla në biografi”. Në letrën për Kiçon thuhej se babai i tij kishte qënë anëtar i Partisë Fashiste, ndërsa për babanë e Alfonsit, ka qënë federal fashist . Ja historia e plotë

 

  • Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit të Radio-Tiranës dhe ‘RD’-së
  • Si i larguan nga RTSH-ja Alfons Gurashin dhe Kiço Fotiadhin, dy ikonat e televizionit, pas letrave anonime
  • -Letra anonime: Babai i Kiços kishte qenë anëtar i Partisë Fashiste.
  • -Letra anonime ndaj Gurashit: Babai i Alfonsit ka qenë federal fashist gjatë viteve ‘40-të

Nga Bashkim Trenova

Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studjuesit, shkrimtarit, dramatugut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, në gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shëmbjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjeve reaksionare’ etj, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al

Gjithashtu mund të lexoni në vayhdim të shkriomit:

Dëshmia e familjarëve: “Kur Enveri i shkoi në shtëpi për vdekjen e të vëllait që e helmoi Sigurimi, Panajoti i tha…”/ Historia e panjohur që nxiti arratisjen e ministrit pa portofol në ’57-ën!

“Shoku Hrushov, unë u detyrova të arratisem dhe të vendosem në Beograd, pasi Enver Hoxha më…”/ Historia e panjohur e ministrit që denoncoi krimet e Enverit dhe nepotizmin e ‘Bllokut’!

Armiqtë e popullit

 Kiço Fotiadhi, një zë i talentuar i Radio-Televizionit Shqiptar me “njollë në biografi”!

Një tjetër zë i talentuar i Radio Televizionit Shqiptar ka qenë edhe Kiço Fotiadhi. I qetë, i qeshur, optimist, ai ndoqi traditën e leximit të krijuar nga Haki Bejleri dhe e çoi më tej atë. Kiço Fotiadhi ishte i të njëjtit brez me mua. Në vitin 1966, pasi mbaroi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, ai u emërua si spiker kryesor në Radio-Televizionin Shqiptar. Bashkëpunimin me Radio Tiranën e kishte nisur që nga viti 1959. Ndërsa ishte ende nxënës në Liceun Artistik, ai filloi të flasë si bashkëpunëtor i jashtëm në mikrofonin e Radio Tiranës. Në atë kohë, Radio Difuzioni Shqiptar transmetonte me orë të reduktuara, në 06-08 e mëngjesit, në 12.00 – 18.00 dhe pastaj në orët 20.00-22.00 në mbrëmje. Në vitin 1960 nisi transmetimet televizioni eksperimental shqiptar. Edhe këto ishin mjaft të reduktuara, filluan me një orë transmetim dy herë në javë, vetëm për kryeqytetin, Tiranën. Me 13 mars 1963, ndërsa studionte për aktor në Institutin e Lartë të Arteve, Kiço Fotiadhi jep emisionin e parë të lajmeve në televizionin eksperimental shqiptar. “Në vitin 1963’, do të thotë ai, ‘Stoli Beli më propozon mua për të dhënë lajmet në Televizion. Unë shkova dhe fillova të punoja me kamerën. Bëra një javë praktikë. Studioja ishte një sallë e thjeshtë 5 x 6 metro, një tavolinë e thjeshtë dhe një stol i vogël”. Në atë kohë e gjithë Tirana, duke përjashtuar ‘Bllokun’ ku banonin udhëheqësit e lartë partiakë e shtetërorë, mund të kishte nja 15-30 copë televizorë bardhë e zi. Me kalimin e viteve Kiço e zgjeroi shumë gamën e punës së tij në Radio-Televizion, gjë që rriti gjithashtu edhe personalitetin e tij. Përveç leximit të lajmeve, ai u mor edhe me bisedat politike, shoqërore, ato historiko-kulturore, me paraqitjen e spektakleve, por edhe me telereportazhin. Kiço Fotiadhi karakterizohej nga një forcë e shëndoshë në leximin logjik të tekstit dhe për diksionin e tij të pastër. Ai dinte ta përdorte gjuhën amtare në mënyrën më të përkryer.

Nuk qe e thënë edhe për Kiçon të vazhdonte gjatë në Radio-Televizionin Shqiptar. “Radiologët” politikë zbuluan se edhe ai ishte me “njollë në biografi”. Në një letër anonime të dërguar nga fshati, nga e kishin origjinën prindërit e tij, thuhej se babai i Kiços kishte qenë anëtar i Partisë Fashiste. Anëtarë të Partisë Fashiste, sipas një urdhri zyrtar, ishin automatikisht në atë kohë, të gjithë ata që punonin në administratë. Ky “rregull” e përcaktonte të tillë edhe babanë e Kiços. Më tej në letër shkruhej se: nëna e Kiços kishte kushërira të para, të dyta, të treta të arratisura në Greqi. Në atë kohë, të kishe një të afërm të arratisur nga Shqipëria ose jo të arratisur, por thjesht të larguar, madje para Luftës së Dytë Botërore, si emigrant ekonomik, ishte e mjaftueshme që të ishe politikisht i dyshimtë për diktaturën. Pasojat nuk mungonin. Kështu, më 1 korrik 1974 edhe Kiçon e larguan nga Radio Televizioni dhe e degdisën, së bashku me gruan, punëtor në një fermë ku duhej të mbërthente me thumba arkat me kastravecë apo domate të përgatitura për treg.

Mbas dy vjetësh e çojnë për dy vjet të tjera të punojë në zonën malore të Lurës në veri të Shqipërisë dhe më pas rikthehet në Tiranë si drejtor i Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”. Ndërkohë u hoqën nga arkivi i Radios emisionet speciale që ishin bërë me zërin e Kiços dhe u hoqën nga Televizioni kronikat e tij. Kiço trokiti lart deri tek disa të njohur të babait të tij në Byronë Politike, por trokitja binte në vesh të shurdhër. Vetëm në vitin 1980, atij iu bë e mundur të rifillojë bashkëpunimin me Radio-Televizionin Shqiptar. “Atëhere filloi restaurimi im biografik”, do të thotë Kiço. Siç duket, u “sqarua” se diagnostikimi kishte qenë i gabuar, pra “njolla” nuk ishte e vërtetë ose, së paku, nuk paraqiste rrezikshmëri. Për tërë këto vite stresi, diskriminimi dhe denigrimi as që mendohej se dikush duhej të mbante përgjegjësi. Vetë Kiço dhe familja e tij duhet, madje, t’ua dinin për nder Partisë së Punës dhe diktatorit e shokëve të tij, që u treguan “objektivë” dhe e panë me zemër në dorë problemin e tij.

Letrat anonime ndaj Alfon Gurashit, mjeshtrit të gazetarisë telvizive!

Lista e atyre që u larguan apo që prisnin të largohen, në ato vite dhe më pas nga Radio Televizioni, është shumë e gjatë. Ishte koha e letrave anonime, e shpifarakëve, hakmarrësve dhe larësve të llogarive. Kjo ushtri aktive e regjimit ishte shpatë mbi kokat e të gjithëve, pavarësisht meritave në punë, stazhit, pavarësisht edhe devotshmërisë që mund të kishe treguar duke i shërbyer diktaturës, për një arsye apo një tjetër. Një letër e tillë u dërgua në Drejtorinë e Përgjithshme të Radio-Televizionit edhe kundër Alfons Gurashit, njërit prej radio kronistëve dhe tele kronistëve më të mirë, më të aftë e të talentuar që ka patur ky institucion, një gazetar i lindur. U përgatit largimi i tij nga puna, sepse në këtë letër pohohej se babai i Alfonsit kishte qenë federal fashist gjatë viteve ‘40-të. Babai i Alfonsit, Kola, ashtu si edhe babai i Kiços, ishte në ato vite një mësues i nderuar dhe i respektuar.Të tjera letra që kërkonin largimin e Alfonsit nga Radio-Televizioni Shqiptar “kujtonin” se ai kishte një xhaxha, Rrok Gurashin, klerik katolik, të burgosur nga pushteti popullor. Të tjera “kujtonin” se ai kishte një vëlla për babë të arratisur në Australi etj.

Ironia është se figura të tilla si Kiço Fotiadhi apo Alfons Gurashi, në shënjestër të spastrimeve të mëdha që u bënë në Radio- Televizionin Shqiptar gjatë diktaturës, u larguan prej andej ose u zhvendosën nga ekrani edhe pas përmbysjes së diktaturës, pas vitit 1992. Kiço Fotiadhin e larguan, sepse kishte lexuar dikur në mikrofon dhe në kamera fjalime të Enver Hoxhës, pra, sepse i kishte shërbyer me besnikëri monizmit! Pas kësaj fillon për Kiçon një periudhë e re e vështirë, sidomos pasi mbyllet edhe Pallati i Kulturës Ali Kelmendi ku ai vazhdonte të ishte drejtor i saj. Për të jetuar ai shërben si përkthyes për disa tregtarë, i papunë shkon edhe tek fëmijët e tij emigrantë në Greqi. Në vitin 1997 do të kthehet nga Greqia dhe do të rifillojë bashkëpunimin me Televizionin Shqiptar.

Alfons Gurashin e larguan nga Televizioni shqiptar, sepse kishte bërë radio kronika dhe tele kronika nga vizitat e ndryshme të diktatorit në Shqipëri! Portreti i tij nuk duhej të ishte më i pranishëm në ekranet e televizionit! Ai kaloi në Radio Tirana për të vazhduar punën atje ku e nisi ditën e parë. Në Radio Alfonsi ndërtoi një emision në bazë të të cilit ishte bashkëbisedimi direkt me dëgjuesit. Edhe këtu nuk iu ndanë “anonimët”. Një ditë në bisedë në telefon i del dikush që fillon t’i “kujtojë” Alfonsit biografinë e tij. Pasi e dëgjon pa e ndërprerë, Alfonsi i thotë: “More se harrova, e nuk të pyeta. Nga ishe ti?” Nga telefoni personi në linjë i përgjigjet: “Nga Kruzha”. “Shumë mirë, shton Alfonsi. Ti duhet ta dish se në Kruzhë ka një fjalë të urtë që thotë se: “çdo fis e ka një pis.” Kruzhaku nuk e zgjati më tej bisedën, u largua nga linja. Disa kohë më pas u largua edhe Alfonsi nga Radioja.

Ndryshe nga Kiçon, që e njoha në Radio Tirana, Alfonsin e kisha njohur që fëmijë. Të dy kemi qenë në rrethet e pionierëve në Pallatin e Kulturës Ali Kelmendi. Unë isha në rrethin e korit, Alfonsi ishte në rrethin e Teatrit. Ai edhe recitonte shumë bukur. Ishte këmbëngulës dhe donte të arrinte me çdo mënyrë atë që synonte. Më kujtohet se si në vitin 1956, u mblodh Kongresi i III i Partisë së Punës të Shqipërisë. Pionierët e Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi” u zgjodhën për të përshëndetur këtë Kongres. Mua më caktuan të isha në treshen e parë të pionierëve që do të hynin në sallën e Kongresit. Bëmë disa herë prova se si do të hynim e si do të dilnim nga salla. Në momentin e fundit, para hyrjes, më dhanë edhe një trombë pionierësh në dorë dhe më thanë se duhet t’i bija asaj si sinjal se pionierët arritën. Bëra një provë, por tingulli nuk dilte ai që duhej. Pa humbur kohë, Alfonsi ma merr nga dora trombën, i bie asaj ashtu siç duhej. Ai zuri vend në treshen e parë dhe unë u zhvendosa diku andej nga fundi.

E takova sërish më pas Alfonsin në «Shkollën e Kuqe», në gjimnazin “Çajupi” dhe në Fakultetin Histori-Filologji. Ai ishte gjithnjë i qeshur, gjithnjë i gatshëm për të marrë pjesë në shakatë më të papritura si ajo e një mbrëmjeje të viteve të gjimnazit, kur po zhvillonim mësimin e përgatitjes ushtarake. Në fushën e sportit të Shkollës së Bashkuar “Enver Hoxha”, që përgatiste oficerë për ushtrinë shqiptare, ndërsa në errësirë instruktori ushtarak po na jepte shpjegimet e rastit, Alfonsi bashkë me një tjetër, që nuk më kujtohet, i afrohen dhe nga pas urinojnë mbi pallton e tij!

Alfonsi mbaroi studimet një vit para meje dhe filloi punë në Radio Tirana në vitin 1965, pra një vit më parë nga unë. Po në këtë vit filloi punë në këtë institucion edhe Agron Çobani. Ashtu si kur kujtojmë folësit e emisionit të lajmeve e nuk mund të përmendim Haki Bejlerin, pa kujtuar njëkohësisht edhe Vera Zhejin ose e kundërta, edhe kur flasim për kronikanët e kohës, nuk mund të flasim për Alfonsin, pa kujtuar Agronin apo e kundërta. Të dy këta i dhanë një hov të dukshëm radio kronikës duke mbuluar problemet politike, ekonomike dhe sociale në Redaksinë e Informacionit. Falë atyre, mund të thuash pa gabuar, u krijua edhe shkolla e radio kronikës shqiptare.

Në më shumë se 30 vjet punë në Radio-Televizionin Shqiptar, Alfonsi realizoi, gjithnjë me sukses, kronika, intervista, reportazhe të panumërta. Ishte ai, Alfonsi, që nisi së pari të fuste në kronikat e tij lëvizjen studentore kundër regjimit, ishte ai sërish që na dha të ekranizuar rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës, që njoftoi mbi krijimin e partisë së parë opozitare, Partisë Demokratike.

Bashkëpunimi im i parë me Alfons Gurashin.

Unë kam patur vetëm në një rast, një “bashkëpunim” të vogël me të si radio kronist. Alfonsi kishte regjistruar një bisedë me një kryetar kooperative bujqësore. Kur po afrohej ora e transmetimit, në kohën e montazhit në studio, ai kuptoi se regjistrimi ishte dëmtuar, ishte i patransmetueshëm teknikisht. Më thërret mua dhe më kërkon që të bëj rolin e kryetarit të kooperativës. Unë pranova. Ai më bëri disa pyetje dhe unë iu përgjigja atyre ashtu siç më thoshte Alfonsi. Në fund e pyeta se mos i krijohej ndonjë problem meqë kryetari do të kuptonte se nuk ishte zëri i tij. Alfonsi më siguroi se, në një rast të tillë, ai do t’i shpjegonte kryetarit se në mikrofon zëri pësonte njëlloj ndryshimi, pra nuk ishte besnik i origjinalit! Sidoqoftë, më tha Alfonsi, kryetari do të gëzohet që doli në një emision të lajmeve të Radio Tiranës.

 

Nesër do lexoni:

– Si fillova staznin në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit

-Tri ditë në javë do punoja në Radio Tirana si gazetar siç isha

– Atëhere përdorej shumë parulla: “Komunisti është ushtar i Partisë”, pra bindje e verbër ndaj komandës

– Puna në repartin e bateristëve ishte me rrezik të madh

– Furra e shkrirjes së plumbit ishte pothuajse e hapur

– Nga kazani i saj avujt e plumbit qarkullonin lirisht në hapësirën e repartit dhe “ngopnin” mushkëritë e gjakun e punëtorëve

-Ne ngopeshim me elme dhe ai pak qumësht që na jepnin e çonim në shtëpi

– Si e gënjeva drejtorin e OAN-it, për punëtorin që çonte qumështin në shtëpi!