Nikol Merizaj dhe Kledi Kadiu sjellin notin shqiptar në “Tokio 2020”

528
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Trajneri Arjan Fetishaj: Jam i bindur se do të japin më të mirën e tyre dhe do ta na emocionojnë me garat që do të zhvillojnë në Lojërat Olimpike!

Nikol Merizaj, në 50 metra stil i lirë dhe Kledi Kadiu, në 100 metra stil i lirë. Këta janë përfaqësuesit e notit shqiptar në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të cilët, së bashku me trajnerin Arjan Fetishaj, janë nisur të hënën në mëngjes për t’iu bashkuar grupit të kuqezinjve në kryeqytetin japonez. Si Merizaj, ashtu dhe Kadiu kanë kohë që përgatiten për këto Lojëra Olimpike. Madje me objektiva të qarta, sepse Merizaj ka vite që përgatitet e stërvitet në Selanik të Greqisë, kurse Kadiu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje tanimë janë vendosur dhe datat e konkurrimit në Lojërat Olimpike, të cilat janë 27 korrik Kledi Kadiu në 50 metra stil i lirë dhe, më 30 korrik, Nikol Merizaj në 100 metra stil i lirë.

Historia e pjesëmarrjes së notit në lojërat Olimpike

Noti shqiptar ka një histori të gjerë pjesëmarrjeje në Lojërat Olimpike, sepse së bashku me peshëngritjen, atletikën dhe qitjen, janë sportet e zakonshme që Shqipëria është përfaqësuar. 29 vjet më parë në “Barcelonë 1992”, noti shqiptar është përfaqësuar për herë të parë në Lojërat Olimpike me Franc Leskaj. Kreshnik Gjata dhe Rovena Marku përfaqësuan Shqipërinë nëAthinë 2004”, ndërsa Sidni Hoxha dhe Rovena Marku, notuan në pishinat olimpike të Pekin 2008”. Në kryeqytetin e Anglisë, në “Londër 2012” garuan Noel Borshi dhe Sidni Hoxha.Brazil 2016mbrojtën ngjyrat kuqezi notarët Sidni Hoxha dhe Nikol Merizaj. E tanimë radha e Kledi Kadiut dhe Nikol Merizajt, kjo e fundit që merr pjesë për herë të dytë në Lojërat Olimpike.

Fetishaj i bindur në suksesin e notarëve

“Dy notarët më të mirë për momentin në Shqipëri, shkojnë në Olimpiadë me rezultate të përmirësuara vit pas viti. Kanë qëndrueshmëri në rezultate, seriozitet në stërvitje, por edhe objektiva personale. Ata kanë qenë të suksesshëm në garat ndërkombëtare, ku dhe kanë marrë pjesë. Në Lojërat Olimpike të Japonisë, do të marrin pjesë “më të mëdhenjtë e më të mëdhenjve”, nga e gjithë bota. Të garosh kundër tyre edhe në bateritë kualifikuese, është një arritje e madhe, pasi rivaliteti me ta, eksperienca që fiton, është shumë e rëndësishme t’u transmetohet jo vetëm notarëve tanë në garë, por edhe një përvojë që do t’u përcillet më të rinjve.

Pjesëmarrja në Lojërat Olimpike është një ëndërr për çdo sportist. Dhe kështu po e përjetojnë Nikola dhe Kledi në “Tokio 2020”. Jam i bindur se do të japin më të mirën e tyre dhe do ta na emocionojnë me garat që do të zhvillojnë në Lojërat Olimpike”, ka shpjeguar përpara nisjes për në Tokio, trajneri i kuqezinjve, Arjan Fetishaj.

Merizaj dhe Kadiu kërkojnë rekorde

Si Nikol Merizaj, ashtu dhe Kledi Kadiu, të cilët ishin dhe sportistët më të mirë të kampionatit kombëtar për të rinj dhe të rritur, që u zhvillua në kompleksin e pishinave të Akuadromit në Tiranë, kanë premtuar përmirësimin e rezultateve. “Kam kohë që përgatitem për Lojërat Olimpike – shpjegon përpara nisjes për në Tokio, Merizaj – sigurisht që kërkoj të përmirësoj rezultatin tim e pse jo, dhe të kemi një rezultat që të mund të lërë shenjë, mes më të mirëve të botës”. “Unë do të kërkoj – shpjegon Kadiu – të realizoj objektivin që kam vendosur me trajnerin. Pra, që është thyerja e rekordit kombëtar, në 100 metra stil i lirë”. Kështu pra, notarët tanimë janë gati për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Presidenti Agim Çiraku: Shpresojmë në përmirësimin e rezultateve të tyre

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, e ka ndjekur hap pas hapi përgatitjen e dy notarëve që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020″. ” Ata janë përgatitur dhe kanë marrë dhe mbështetjen e duhur nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, për t’u stërvitur në vendet ku ishin. Pra, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqi. Dhe tanimë kanë mundësinë të tregojnë veten e tyre në kampionatin kombëtar, kjo përpara se të shkojnë në “Tokio 2020″. Ne besojmë se kanë të gjitha aftësitë për të përmirësuar rezultatet e tyre dhe për të dhënë rekorde të reja në 50 metra stil i lirë dhe 100 metra stil i lirë, rekorde që më pas, do të jenë shtysë për notarët e tjerë për t’u rritur në perfomancë. Kemi nevojë që nga Merizaj dhe Kadiu, si pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, të marrin shtysë të tjerët dhe ta masivizojmë më shumë këtë sport. Ndaj besoj në performancën e tyre të mirë”, ka nënvizuar i pari i notit shqiptar, Agim Çiraku, për gazetën “Telegraf”.