Krimi ka pushtuar vendin, gazetari Ergys Alushi: Po rrisim monstra!

537
Sigal

Gazetari Ergys Alushi përmes një analize shpreh shqetësimin e tij se si krimi ka pushtuar vendin. Ndër të tjera gazetari shprehet se ngjarja është tragjike për jetën e humbur dhe familjen, por nxjerr në dritë dhe një tragjedi sociale për shoqërinë tonë!

Ja postimi i plotë:

Ngjarja

Vritet me thikë në zemër 25 vjeçari në Vlorë!
Policia zbulon dhe kap autorin e krimit.
Më datë 18.06.2020, rreth orës 22:50, në Spitalin Rajonal Vlorë ka shkuar i dëmtuar nga një mjet prerës, shtetasi A. P., 25 vjeç, banues në Vlorë, i cili ka ndërruar jetë pak orë më vonë.
Menjëherë pas ngjarjes, Policia nisi hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e saj dhe falë veprimeve të shpejta, hetimore dhe profesionale u bë identifikimi në kohë rekord, kapja dhe prangosja e autorit, shtetasit G. T., 15 vjeç, banues në Vlorë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “24 Maji” Vlorë, pranë vendit të quajtur “Ish-ushqimores”, ku pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi G. T. ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin A. P., i cili ndërroi jetë rreth 4 orë më vonë në ambientet e spitalit.

Analiza

“I kanë zënë pritë 10-15 veta me dy makina… Pasi e kanë sharë dhe goditur disa herë e kanë qëlluar me thikë…”

Duket si copëz e shkëputur nga ndonjë skenar filmi diku gjetkë, larg nesh, por ka ndodhur natën e djeshme në Vlorë!

Kur një 25 vjeçar është goditur me thikë nga një bandë, me shumicë adoleshentë!

Ngjarja është tragjike për jetën e humbur dhe familjen, por nxjerr në dritë dhe një tragjedi sociale për shoqërinë tonë!

Banda të tilla janë të shumta në qytet.
Lëvizin në grup.
I dallon kushdo me sy të lirë.
Janë të moshave 14, 15 deri në 20 vjeç.
Çdo lagje ka bandën e saj të këtyre moshave.
Rivaliteti midis këtyre bandave është i madh dhe shpesh zihen me njëra tjetrën me egërsinë më të madhe.
Disa, i njohin edhe nëpër shkollat 9 vjeçare e të mesme.
Edhe shkollat kanë bandat e tyre.
Njihen nga mësuesit, por nuk kanë se çfarë t’u bëjnë.
Shumë prej tyre janë fëmijë që e kanë babin ose mamin me lekë ose vëllanë më të madh!
Në shumicën e rasteve nuk e kanë frikë policinë dhe e urrejnë atë!

Shoqëria jonë sot, po rrit monstra!
Po, po, monstra!

Deri tani po qahemi kot për çfarë kemi kaluar e po kalojmë!

E qara e sotme do të na duket lule nesër, kur bandat e adoleshentëve të sotëm do të rriten nesër e do të jenë pjesë e jetës publike!

Mos e harroni këtë!
Mos e konsideroni si të ekzagjeruar!
Është duke ndodhur.
Janë duke ardhur!

I kanë të gjitha të këqijat e shoqërisë shqiptare të deritanishme!

Ruani fëmijët!
Mbroni veten!