Dilaver Goxhaj: Akt-akuza e Gjykatës Speciale ndaj UÇK-së është e turpshme

522
Sigal

Gjykata Speciale kundër UÇK-së është e njëanshme, si dhe një rast i paprecedent në historinë e drejtësisë dhe të së drejtës botërore

 

Dilaver Goxhaj

Ish-anëtar i SHP të UÇK-së

 Ne, qytetarët e Republikës së Shqipërisë që na nxiti dashuria për gjysmën tjetër të kombit tonë dhe u shkuam në ndihmë vëllezërve të një gjaku në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, për të dhënë ndihmesën tonë për t’u çliruar nga pushtimi gati një shekullor nga Serbia, krahas dhimbjes, pezmatimit dhe pakënaqësisë që ndjejmë për dërgimin në Hagë, të një pjese të drejtuesve kryesorë të UÇK-së, si fillim, në pritje të dërgimit të të gjithë hierakisë së së saj, (sipas pikës 35 të akt-akuzës së Gjykatës Speciale), të akuzuar “për krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, por na kanë gëzuar edhe diçka tjetër. Kjo që na ka gëzuar është fakti që, pothuajse shumica e mediave në Tiranë kanë shprehur indinjatë për këtë padrejtësi që i bëhet jo veç Ushtirisë Çlirimtare të Kosovës, por gjithë kombit shqiptar, ngaqë në UÇK u reshtuan vullnetarë nga të gjitha trevat e tjera shqiptare jashtë Kosove.

Por, qëllimi i këtij shkrimi është për të vënë në dukje se këto dy javë, si autoritetet shtetërore edhe shumica e mediave të Tiranës, kanë dalë në mbrojtje të luftës çlirimtare në Kosovë dhe të UÇK-së! Dhe interesantja është se, si mediat edhe qeveria janë në unison, njësoj si në 1998-1999 edhe sot. Por me një ndryshim të vogël: Qeveria e asaj kohe i “tradhëtoi” mediat kur u angazhua NATO-ja në luftë, u bë me UÇK-në. Ndërsa sot janë në unison, përkrah UÇK-së.

Por që të jemi sa më të drejtë, duhet të pranojmë, se i vetmi institucion mediatik në Tiranë, që ka mbajtur të njëjtin pozicionim ndaj Luftës në Kosovë, në përkrahje të UÇK-së, si në ato vite edhe sot, është Radio Televizioni Shtetëror Shqiptar. Për këtë i kemi qenë dhe i jemi mirënjohës. Kjo na nderon shumë edhe si shtet.

Që kjo Gjykatë Speciale kundër UÇK-së është e njëanshme, si dhe një rast i paprecedent në historinë e drejtësisë dhe të së drejtës botërore, këtë e ka pohuar edhe ish-Prokurori i kësaj Gjykate Speciale, profesori amerikan i së drejtës ndërkombëtare, Paul R. Uilliams. Ky ish- Prokuror i Gjykatës Speciale për “krimet e kryera nga UÇK-ja”, para disa ditësh, kur u intervistua nga TV ‘FaxNëes’, midis të tjerave na tha, se  më 30 prill të vitit 2019, në dokumentin që ai i ka dorëzuar  Kongresit Amerikan , pat theksuar se është me rëndësi që komuniteti ndërkombëtar të mos lejohet ta shtrembërojë juridiksionin e Gjykatës Speciale, pasi ajo gjykatë “nuk duhej që të kufizohej në ndjekje penale të anëtarëve të një grupi të caktuar etnik dhe ta vendosë ngushtë fokusin në një klasë të shqiptarëve dhe në UÇK”. Sipas tij, kjo do të ishte kundër parimeve themelore të së drejtës dhe drejtësisë së barabartë.

Megjithatë, ne, ish-vullnetarët e Luftës në Kosovë, sot u jemi mirënjohës të gjitha mediave që i kanë dalë në mbrojtje UÇK-së, por, të mos u ngelet hatri që u themi se janë shumë të vonuar. Pse them se janë shumë të vonuara? Ky sensibilitet i opinionit publik shqiptar duhej të ishte bërë, së pari, gjatë viteve 1998-1999, për të shkuar si komb në atë luftë. Por ajo iku dhe shkoi e nuk kthehet prapa. Së dyti, këta politikanë e institucione dhe këto media nuk i dolën në mbrojtje UÇK-së  në periudhën Prill – Korrik 2015, kur Parlamentit të Kosovës i bëhej presion për miratimin e kësaj Gjykate kundër UÇK-së.

Pse them: në atë periudhë katër mujore? Sepse në atë periudhë zhvillohej debati i ashpër në Parlamentin e Kosovës. Në muajin prill të atij viti, Hashim Thaçi, që në atë kohë ishte Kryeministër dhe njëkohësisht edhe Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), (më pas President i Kosovës deri në 4 nëntor 2020), së bashku me gjithë deputetët e saj, (për fat të keq shumica e tyre ish-pjestarë të UÇK-së), si dhe në unitet të pa parë më herët me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) me të gjithë deputetët e saj si dhe ata serbë, po bënin presion ndaj pjesës tjetër të Parlamentit që të miratohej Gjykata Speciale, e kërkuar nga Asambleja e Parlamentit Europian. Dhe më e bukura ishte dhe është se kjo Gjykatë kërkohej të përbëhej me personel krejtësishtë të huaj, asnjë shqiptar, dhe përsëri të quhej Gjykatë Speciale e Kosovës. A ka tradhëti më të madhe? Së dyti, kjo Gjykatë të ketë të drejtën të gjykojë jo thjesht veç disa anëtarë, por, sikundër thuhet edhe në pikën 35 të Akt-Akuzës edhe “udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ministra dhe zëvendësministra të QPK-së, komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave, komandantë të brigadave dhe njësiteve, komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së, ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së, si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇKsë dhe QPK-së.” Ky formulim është më se i qartë për secilin shqiptar, dashamir e dashakeq të UÇK-së, se është një Gjykatë kundër gjithë strukturës komanduese të UÇK dhe të njësive e reparteve të saj, deri te cdo komandant toge, e që do të thotë, kundër gjithë UÇK-së.

Kur këto dy qëllime të jashtëzakonshme të Gjykatës Speciale u kundërshtuan në seancën e prillit 2015 nga shumica e deputetëve të Parlamentit të Kosovës me në krye Lëvizjen Vetëvendosje! Dhe më interesantja është, se të gjithë këta u kauzuan nga z.Hashim Thaçi: “Ju jini armiqt e Kosovës!”

Po pse u tha Thaçi “armiq të Kosovës” parlamentarëve të kosovarë shqiptarë ngaqë nuk ishin dakort me deputetët e PDK dhe të LDK për këtë lloj Gjykate Speciale? Këtë nuk e ka shpjeguar Thaçi. Por fakti të çon, pse ata e kundërshtuan ngritjen e kësaj Gjykate Speciale për të arrestuar e gjykuar të gjithë ata shqiptarë që kishin guxuar të luftonin kundër oficerave dhe ushtarëve  të ardhur nga Serbia në shtëpinë  “Kosovë” e që vranë 11.840 shqiptarë, prej të cilëve 1.392 fëmijë deri në 18 vjeç;  296 fëmijë deri në 5 vjeç;  1.739 femra;  1.882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare dhe 5081 të moshave 19-64 vjeçë, prej të cilëve 1.450 ende janë të pagjetur;  20.400 femra të dhunuara shqiptare; dogjën dhe shkatërruan 100 mijë e 589 shtëpi, banesa e objekte të ngjashme; 358 shkolla; 71 zyra institucionesh; 30 shtëpi kulture; 93 biblioteka publike dhe shkollore; 123 objekte shëndetësore; 215 objekte fetare (xhami, teqe, tyrbe); 5 kisha katolike; 88.101 objekte ekonomike shtetërore e private ndihmëse; asgjësuan dhe grabitën 70 % të gjësë së gjallë si dhe tërhoqën të gjitha evidencat e detyrimeve pensionare etj. Dhe absurditeti më i madh i ngritjes së kësaj Gjykate është se nuk duhet të gjykohet asnjë serb i Kosovës dhe asnjë vullnetar sllav që iu bashkua krimeve serbe në Kosovë, edhe pse kryen gjithë këto krime që cituam më lart. Me sa duket, atyre që vranë shqiptarë dhe dogjën Kosovën duhet t’u jetë marrë parasysh sakrificat që kanë bërë. Dhe Asambleja Parlamentare e Evropës dhe deputetët e PDK dhe të LDK bashkë me ata serbë janë lodhur e munduar, ngaqë erdhën nga Beogradi e Ukraina me tanke, autoblinda, makina, trena dhe avionë dhe si mund të gjykohen e dënohen për atë lodhje të madhe dhe “sakrificë” duke vrarë shqiptarë muslimanë, duke i groposur në varre masive dhe duke djegur shtëpitë e tyre.

Mirëpo, këta të UÇK-së nuk duhej t’i pengonin kur ardhacakët po u vrisnin familjarët e tyre dhe u digjnin shtëpitë. Për këtë gjë, UÇK-ja do gjykohet. Pavarësisht, se edhe kafshët më të ndrojtura, kur nuk kanë rrugë tjetër, hyjnë në luftë për vetëmbrojtje, por shqiptarëve në Kosovë kjo gjë nuk u lejohej, ata duhej të rrinin e të bënin sehir se si u vriteshin e digjeshin prindërit, vëllezërit dhe shtëpitë dhe se si u përdhunoheshin nënat dhe motrat. Ky është krimi i tyre kundër njerëzimit, që nuk i lanë të qetë sllavët të zhduknin shqiptarët.

Ku ishin atëhere këta pushtetarë, politikanë e analistë gjatë periudhës prill-korrik 2015, që sot bëjnë patriotin, dhe atëherë nuk u ngritën kur Hashim Thaçit, Veselit e Mustafës që u thoshnin deputetëve: “Kush nuk e miraton këtë gjykatë kundër shqiptarëve që mbrojtën familjet, është armik i Kosovës”, dhe t’u thoshnin: Ndal!. Nëse do të kishin bërë këtë veprim do të shpëtuar edhe vetë Hashimin. Por, përkundrazi, e prisnin dhe e përcillnin me tamtara e lëvdata atë dhe bashkëvotuesit e tij.

Pse nuk e shpallën këto institucione shtetërorë të Tiranës Hashim Thaçin qysh ato ditë të prillit 2015 person “Non Grata” për të hyrë në Shqipëri, si dhe gjithë politikanët e tjerë të Kosovës që ishin për ngritjen e asaj Gjykate antishqiptare, por, përkundrazi, bënë të kundërtën, anatemonin dhe arrestojnë edhe sot anëtarët e Lëvizjen Vetëvendosje pse ajo ishte kundër asaj Gjykate! Nëse institucionet shtetërore të Tiranës do të kishin ndaluar qysh në prillin e vitit 2015 hyrjen në Shqipëri të Hashimit dhe deputetëve të tjerë që ishin për atë Gjykatëte, do ishte ngritur në këmbë I gjithë populli në Kosovë, madje kam bindjen se do ishte ngritur edhe anëtarësia e LDK-së që qe kundër UÇK-së gajtë luftës, dhe nuk do ta kishin lejuar Parlamentin e Kosovës që ta miratonte në 3 Gusht 2015 këtë Gjykatë.

Pse nuk e mblodhën këta patriotët e sotëm  në atë periudhën prill-Korrik 2015 Parlamentin e Tiranës, dhe të bënin një rezolutë kundër përpjekjeve të Hashimit, Mustafës e Veselit, si dhe kundër Asamblesë të Parlamentit Europian, por sot që ai dhe anëtarët e tjerë të SH janë arrestuar u “digjet zemra”. Kjo është hipokrizi dhe asgjë tjetër.  Kjo dhembshuri e tyre s’është gjë tjetër, veçse lotë krokodili.