Qeveria tallet me qytetarët/ Pacientëve me Covid-19, që trajtohen në shtëpi do t’u rimbursohet vetëm 20 % e shpenzimeve të ilaçeve

367
Sigal

 

Qeveria ka miratuar dje, vendimin mbi rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë për personat e diagnostikuar me COVID-19. Paketa e barnave përbëhet nga dy skema trajtimi. Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën e parë të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1650 lekë. Ndërsa vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën e dytë të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 lekë. Mjeku i familjes do të lëshojë recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Shumat që Qeveria ka vendosur të rimbursojë paketat e barnave janë shumë herë më të vogla se ato të denoncuara deri më tani publikisht nga qytetarë apo edhe opozita. Sipas denoncimeve publike, kostot për 1 pacient me Covid-19 që trajtohet në banesë arrin deri në 1200 euro, ndërkohë që Qeveria rimburson 12 deri në 90 euro. Nuk dihet se mbi çfarë llogarish janë përcaktuar paketat e kurimit të pacientëve, ndërkohë që nuk ka një protokoll të unifikuar lidhur me trajtimin e pacientëve me Covid-19.

270 pacientë ikën jashtë për kurim ndaj Covid-19, shifrat deri në 50 mijë euro

Përballimi i situatës së Covid-19 nuk ka qenë i njëjtë për të gjithë të prekurit. Disa prej pacientëve kanë zgjedhur të kurohen jashtë vendit si një mënyrë për të marrë shërbim shëndetësor më të specializuar.

Mësohet se që prej fillimit të pandemisë, 270 persona të infektuar me koronavirus, kryesisht në gjendje të rënduar janë nisur me avionë “Charter” privat nga aeroporti ‘Nënë Tereza’ për kurim jashtë vendit.

Dërgimi i një të infektuari me Covid-19 jashtë vendit nuk është i përballueshëm nga çdokush. Shpenzimet për të kryer këtë fluturim me charter privat kapin shifra marramendëse me çmime që variojnë nga 25 mijë deri në 50 mijë euro, përfshirë këtu edhe kurimin spitalor.

– Rreth 300 euro shifra reale e kostos të pacientit për fazën e parë të trajtimit. Qeveria rimburson 1650 lekë

– Rreth 600 euro shifra reale e kostos të pacientit për fazën e e dytë të trajtimit. Qeveria rimburson 10 900 lekë

– Rreth 1200 euro shifra reale e kostos të pacientit për fazën e tretë të trajtimit. Qeveria rimburson 12 deri në 90 euro

Nga fillimi i pandemisë u importuan 137 milionë euro ilaçe

Janë rreth 7000 të prekur  në nevojë për ilaçe, kosto sipas llogarive të qeverisë, një person 110 mijë shpenzon për ilaçe, pra për 7000 të sëmurë arrin rreth 1 milionë dollarë . Shifrat zyrtare  që prej nisjes së pandemisë në mesin e muajit Mars, e deri në fund të muajit të kaluar, Shqipëria ka importuar  në total 17 miliardë lekë, ose 137.2 milionë euro, rreth 1 miliardë lekë në krahasim me një vit më parë. Përhapja e virusit ka gjatë kësaj periudhe ka shtuar ndjeshëm kërkesën për antibiotikë, vitamina kryesisht për atë C dhe D, teksa konsum në rritje ka pasur edhe për medikamente të tjera si kortizonikët apo antikoagoulantët që përdoren masivisht nga të prekurit me Covid-19. Sa i takon vendeve drejt të cilave Shqipëria ka eksportuar më shumë medikamente gjatë muajit të kaluar, Italia kryeson listën me një rritje prej 14%, veçanërisht për vitaminat. Shuma që qeveria ka vënë në dispozicion për rimbursimin e qytetarëve është qesharake dhe nuk justifikon shpenzimet, pasi nuk përfshihet as nevoja që kanë qytetarët e prekur për injeksione dhe serume. Nga ana tjetër, Banka Botërore ka dhënë një bonus prej 15 mln eurosh ndihmë për pandeminë në Shqipëri për pajisje mjekësore . Kjo sasi lekësh nuk lëvrohet dhe ka mbetur peng në Kuvend që mbi 3 muaj, pasi nuk miratohet marrëveshja e Bankës Botërore me Shqipërinë.

VENDIMI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: Rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë për personat e diagnostikuar me COVID-19 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1 650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë. Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 (dhjetë mijë e nëntëqind) lekë. Mjeku i familjes, për personat e testuar pozitiv për Sars-Cov-2 (të konfirmuar nga institucionet shëndetësore publike përgjegjëse), në përputhje me formën e sëmundjes dhe indikacionet e përcaktuara në udhëzuesin e miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, lëshon recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Për diagnozën COVID-19, e gjithë popullata konsiderohet përfituese nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke u regjistruar dhe identifikuar si e siguruar. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.