Jeta Dedja: Një lolo mbi piramidë

902
Sigal

Edi Rama ndërtoi kultin e tij. Përdorimi i imazhit të bunkerit, si për të banuar ashtu edhe si atraksion turistik, e ngjiti këtë njeri në majë të piramidës, brenda së cilës ishte ende shpirti i diktatorit.

Personazhi kryesor i dramës shqiptare është vetë kryeministri aktual Edi Rama, i cili më në fund e tregoi hapur se është një aktor i dobët i skenës së përbaltur artistike. Por a mund ta cilësojmë pjesë të garipllëkut pjesëmarrjen e kryeministrit në një film që tallet me traditat krahinore, zakonet, gjuhën e kulturën kombëtare.

Me marifet doli kandidat për Tiranën dhe si një vizatues me diplomë, arriti të përvijojë autoportretin e një vizionari dhe dashnori të flaktë të Tiranës, me slogane e këngë, ndërkohë që në kapilarë i gurgullonte gjaku i matrapazit, i cili së shpejti do njihej me nofkën “20 përqindshi”.

Nga Jeta Dedja

Kur politika nuk ecën mirë dhe ka probleme qeverisjeje, regjisorët e propagandës merren me skalitjen e personazheve të dramës që servirin çdo ditë si shfaqje, në dukje falas, por me një çmim tepër të lartë për publikun. Personazhi kryesor i dramës shqiptare është vetë kryeministri aktual Edi Rama, i cili më në fund e tregoi hapur se është një aktor i dobët i skenës së përbaltur artistike.

Ngritja dhe rënia e kultit të udhëheqësit

Ky aktor e ka nisur herët karrierën e tij publike. Si biri i atit, por jo i shpirtit të shenjtë, Edvini i ri shfaqej nëpër podiume apo salla leksionesh me bojën e njeriut modern, anti-konformistit që rebelohej ndaj atit dhe etërve të tij për të fituar popullaritet ndër rioshët e artit. Mes ca syresh ia arriti të zinte një vend në memorie për t’u kujtuar me nostalgji pas disa vitesh, kur Edvini ende i ri të kthehej nga Parisi. Ky kthim u shoqërua me një ndryshim zyrtar identiteti. Edvini do t’ia paraqiste kredencialet e tij kryeministrit të asaj kohe, si Edi Rama.

Kështu u shfaq njeriu i ri, i cili la pas historitë e vjetra me ikona dhe thonj paprerë të Parisit, për t’iu dedikuar Rinisë, Kulturës, Sportit as më pak e as më shumë por si një Ministër. Shumë shpejt do të binte në sy të gazetarëve si zyrtari ndryshe, me gjuhën shpatë, por të ligë. “Cinik e psikopat” do t’i vinin epitete disa reporterë të asaj kohe kur ankoroheshin pas konferencave nëpër redaksitë e lajmeve. “I paparë” do t’i thoshin disa të tjerë, të verbuar nga shkëlqimi i njeriut “modern”.  Në të vërtetë, ky njeri kishte disa truke nën mëngë. I mësuar me dredhitë e basketbollit, “njeriu modern” diti të triblonte njerëzit përreth duke shfrytëzuar e vlerësuar mirë pozicionet e tyre në lojë. Me marifet doli kandidat për Tiranën dhe si një vizatues me diplomë, arriti të përvijojë autoportretin e një vizionari dhe dashnori të flaktë të Tiranës, me slogane e këngë, ndërkohë që në kapilarë i gurgullonte gjaku i matrapazit, i cili së shpejti do njihej me nofkën “20 përqindshi”. Betonizimi i Tiranës i garantoi këtij njeriu mbrojtje dhe vazhdimësi të pushtetit. Oligarkët e donin në krye njeriun që ishte i gatshëm të shiste gjithçka. Kështu Kryetari i Bashkisë më të madhe të vendit siguroi fronin duke u bërë njeriu më i fuqishëm në politikë, me historinë më të gjatë në qeverisje pas diktatorit Hoxha. Sepse njëlloj si ky paraardhës, Edi Rama ndërtoi kultin e tij. Përdorimi i imazhit të bunkerit, si për të banuar ashtu edhe si atraksion turistik, e ngjiti këtë njeri në majë të piramidës, brenda së cilës ishte ende shpirti i diktatorit. Nën këtë frymëzim, me intriga e puçe spastroi një ngë një kundërshtarët dhe themeluesit e partisë së vjetër (përveç salamandrave Ruçiste) për të ndërtuar imazhin e partisë së re “Rilindjes”. Duke thirrur nën armë çuna e goca të papërvojë, por të etur për t’i shërbyer me besnikëri shefit ai ndërtoi kultin brenda partisë “Çfarë do shefi, ajo bëhet”. Por një tjetër kult i nevojitej udhëheqësit rilindas njëlloj si paraardhësi i tij. Kulti i njeriut popullor që s’çan kokë për asgjë. Për këtë Edit iu deshën disa sakrifica, si për shembull të ulej gju më gju me popullin, me “katnarët” që i kishte përçmuar gjithë jetën. Për t’u dukur sa më i besueshëm, filloi të identifikohej me ta me batutën “Edhe unë katundar Surreli jam”. Por Edi Rama nuk milte asnjë lopë (në kuptimin e parë të fjalës), as punonte tokë, e as jetonte në kasolle. Nejse, njerëzit qeshnin dhe mediat e përcillnin këtë fragment si të rëndësishëm në përmbajtjen e lajmit. Të njëjtën rëndësi i jepnin edhe sekuencave të mirëmenduara të puthjes së duarve të nënokeve të varfra, edhe pse në fakt merakliu puthte dorën e vet. Zyra e kultit të Ramës kishte arritur të identifikonte disa tipare bizarre të udhëheqësit dhe me dinakëri filloi t’i përdorte ato në shërbim të tij. “Përmes të keqes le të kapim të mirën” është motoja. Dhe kështu kameramanët do të porositeshin të fokusonin çorapet e kuqe dhe kollaret e personalizuara të udhëheqësit, si dhe atletet në ditë festash kombëtare, ditë votimesh apo takime ndërkombëtare. Më tej lidhur me të folurin e tij, të cilët ekpertët e komunikimit do ta quanin mikroagresion, racizëm, paragjykim, apo bullizëm, propaganda do të përdorte si eufemizëm fjalët “garip”, apo “batutaxhi”.

Por a mund ta cilësojmë pjesë të garipllëkut pjesëmarrjen e kryeministrit në një film që tallet me traditat krahinore, zakonet, gjuhën e kulturën kombëtare? Neni 59, pika g e Kushtetutës së RSH parashikon se “shteti synon mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe”. Tropoja në film është përdorur në cilësinë e qytetit konkret ekzistues shqiptar. Që do të thotë është pjesë e trashëgimisë, kulturës dhe gjuhës shqipe. Ndryshe do të ishte nëse emri do të ishte transformuar psh ‘Tripojo” dhe ta quanim fiction. Kryeministri i vendit, në cilësinë e personit që ka lexuar skenarin para se të bëhet aktor, ka qenë në dijeni se ky film do të përdhoste kulturën e vendit që ai udhëheq. Si rrjedhojë, me vetëdije të plotë ai është bërë jo mbrojtës, por dhunues i kulturës krahinore e kombëtare.

Thonë se salla e kinemasë nuk ishte plot dhe zërat kritikë janë shtuar. Kulti i Edit është rrënuar. Tani Edi i kudotalentuar, kudo marketuar, kudo paguar, si një lolo i ngecur mbi piramidë, ndoshta ka nevojë për një kalë a litar të zbresë e kalojë lumin. E këtu nuk e kam fjalën për ata Centaur që hidhen në lumë sapo dëgjojnë apo lexojnë mendime kritike ndaj udhëheqësit të tyre, duke e mbrojtur me fanatizëm e madje duke i dalë për zot edhe brekusheve të tij. E kam fjalën gjetiu…!