Zhgënjimet e një tankisti

1327
Sigal

Enver CAKAJ

Sa herë i zënë në gojë tanket, ai vjen e tjetërsohet. I çelet fytyra si ato lulet pas shiut të munguar. Dhe zë e të flet me orë të tëra për stërvitjet, për shokët,për studentët,që u jepte mësim, për komandantët e komisarët…Nuk e harron atë korrik të vitit 1965,kur mbaroi Shkollën e Bashkuar të oficerëve dhe u shpall oficer. Edhe pse i vunë një yll mbi supe,ai nuk i shikoi kurrë ata edhe kur i mbushën supet me yje. Nuk e kishte bërë shkollën për yje,po për të stërvitur ushtarë e student,që të bëheshin tankistë të vërtetë. Fillimisht e emëruan komandant toke në Batalionin e tankeve në Berat. Por ai,si të kishte lindur mbi tanke,gjashtë muaj më pas u ngjit në detyrën e komandantit të kompanisë. Kur një kuadër i ngjit vet shkallët e karrierës,do të thotë se i ka pesë para mend dhe nuk u gris xhaketat eprorëve për t’i bërë vend vetes. Ushtaraku,që i ka vënë detyrë vetes t’i shërbejë Atdheut me çdo çmim, nuk pyet ku e shpien, po ku i shpie ai aftësitë drejtuese. Myfit Metani nuk pyeti se ku e shpinte puna, po a kishte ushtarë e tanke atje ku vinte. E lëvizën nga Berati për në Vlorë, në një batalion tankesh,që e bënë vetë nga e para. Atje e ngritën në shef të shtabit të batalionit. E ngritën,apo u ngrit? Këtë gjykojeni ju kur të mbaroni së lexuari këtë shkrim. Por unë mësova një gjë prej tij, të gjitha detyrat që i caktuan vinin i realizoi duke punuar e djersitur Myfiti. Në mungesë të komandantit të batalionit, ai bëri dhe detyrën e tij, po mos kujtoni se iu shtua rroga. Rezultatet e larta në përgatitjen ushtarake dhe puna për ta ndërtuar atë repart me forcat e tyre, detyroi Ministrin e Mbrojtjes, Beqir Balluku ta vizitonte dhe vlerësonte punën e tyre. Shtypi ushtarak i bëri jehonë atij batalioni dhe në veçanti Myfit Metanit,i cili i mban ende ato shkrime si kujtim të asaj pune. Puna e Myfitit tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të lartë të ushtrisë. Komisari i Brigadës,Begator Kozeli dhe komandanti i tankeve, Abaz Fejzo, e bënë shembull tomorricarin Myfit Metani. Myfit Metani ka qenë një tip studiues dhe impulsiv për aq kohë sa ishte ushtarak në armën e tankeve.

Si kuadër që shikonte më larg se të rinjtë e tjerë, Myfitin e dërgojnë në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm. Ishte viti 1971 dhe ai ishte më i riu, vetëm 27-vjeç, kur të tjerët i kalonin të 35-vitet. Atje do të nxirrte të fshehtat e armës së tankeve, që nuk i kishte mësuar deri ato ditë. Ai ishte parapërgatitur për të vazhduar Akademinë Ushtarake, sepse lëndët histori-gjeografi i kishte dhënë me korrespondencë në Fakultetin Histori-Gjeografi në Universitetin e Tiranës. Ishte në natyrën e tij, që t’u paraprinte ngjarjeve në punë e në shkollë. Kjo e kishte bërë Myfitin aq të njohur për moshën që kishte. Me mbarimin e Akademisë Myfiti bëri një kërcim në karrierë. Kërkesa për t’u ngjitur kaq lart vajti te Ministri i Mbrojtjes nga komandanti i tankeve Abaz Fejzo, i cili nuk hezitoi ta emëronte Myfitin shef të shtabit në Brigadën e tankeve në Korçë, që sa ishte formuar. Po shef shtabi nuk e bëri as shkolla, as komandanti, as ministri, por aftësitë e tij profesionale. Në atë brigadë i derdhi të gjitha dijet e marra në Akademinë Ushtarake. I ngarkuan detyrë që të bënte poligonin e qitjes në fshatin Koritë. Kur në ushtri doli grupi puçist, ushtria pësoi një tronditje të rëndë. Karrieristët dhe cinikët i shfrytëzuan këto momente dhe u goditën padrejtësisht njerëzit e punës. Myfiti u konsultua me tankistin e vjetër, Jani Prifti, që kryente funksionet e sekretarit të byrosë së partisë në Brigadë dhe në tetor të vitit 1976 vendosi të shkojë pedagog për taktikën e tankeve në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Para se të largohej nga Korça, zoti Jani Prifti, që i dinte bërrylat që u përdorën për të, i tha Myfitit: “Unë do t’i lë pa shef shtabi për ca kohë, se kanë abuzuar me punën dhe sinqeritetin tënd. Dua të dëgjoj prej gojës së tyre, që të thërresin nëpër brigadë: “O Myfit, ku je!” Dhe ashtu ndodhi, servilët e treguan paaftësinë e tyre gjatë raportimeve që bënin. Vitin e Ri Myfiti e bëri në Korçë, sepse kishte familjen atje dhe për herë të parë vajtën e uruan për detyrën e re komisari dhe komandanti i Brigadës, të cilët edhe i kërkuan ndjesë për indiferentizmin që kishin treguar ndaj tij.

Puna e re nisi me metoda të reja. Myfiti krijoi metodika të reja në përshtatje me situatat, të cilat erdhën e u bënë funksionale. Ai ndërtoi një kabinet me skema e makete nga i cili mësuan edhe kolegët e Myfitit. Me këto metodika ua lehtësoi mësimin studentëve, që e falënderonin pedagogun e tyre. Studentët e Myfitit, që kanë dalë jashtë shtetit për specializim, e kanë mbrojtur me dinjitet vendin e tyre dhe kanë dalë nga ato shkolla pa kapur ndonjë për xhakete. Myfiti na përmend njërin prej tyre, Kadri Dautin, që u specializua në Gjermani. Për aftësitë e tij atë e vendosën në librin e nderit të Akademisë gjermane. Në debatet profesionale me pedagogët gjermanë, Kadriu i gozhdoi ata, aq sa shefi i tyre i tha pedagogut gjerman: “Të mundi shkolla shqiptare. Ai të mposhti me argumentin e fituesit të Luftës së Dytë botërore.” Myfiti kujton një stërvitje në Brigadën e Tankeve në Elbasan, me komandant Petref Kalemin, ku ishte caktuar ndërmjetës. Komandanti ishte shumë i shqetësuar sepse nuk e kishte aty shefin e shtabit. Ai nuk kishte dëshirë të na tregonte për ndihmën që i dha,po na tha vetëm kaq: “Komandanti më përqafoi kur mbaroi stërvitja me sukses.” Aftësitë profesionale të Myfitit i kishin shpërndarë në të gjitha repartet ushtarake të vendit studentët e tij. Edhe pse Myfiti e zotëronte mirë profesionin e tankistit, përpara tij në përmend tankistët Estref Musabelliu, Petref Kalemi, Loni Kristo, Vangjel Monosopi, Faik Pajo, Petrit Mançe, Demo Liço…Dhe po të mos e kishim ndaluar ne, do të vazhdonte vargu i gjatë i tankistëve. Ai na tregon: “Diskutimet me ta për artin e të luftuarit me tanke, ishte një aset i shtuar në CV-në time për thellimin e njohurive në përdorimin e tankeve në llojet e luftimeve.”

Myfiti nuk është më në punë, po nuk ndihet i qetë. Ky njeri që hartoi rregulloret e tankeve dhe bëri testimin e oficerëve në vitin 1993, e pa veten jashtë ushtrisë nga një farë reforme që diskreditoi të gjithë armatën e ushtrisë. Çfarë shpërblimi mori Myfiti nga reforma që shkatërroi ushtrinë duke e kthyer në partiake? Ku janë tanket, me të cilët ai bëri stërvitje e mësoi qindra ushtarakë? Në mend i ka mbetur vetëm një fjalë, pedagog! Ka qenë një ëndërr e tij e hershme, që aftësitë e tij t’i vinte në shërbim të atyre studentëve tankistë. Ai ndihet i zhgënjyer, sepse tanket e kohës së tij, që nuk u përdorën nëpër luftëra, i shpunë për skrap nëpër uzinat e gjitonëve tanë! Po a e dini çfarë shkrinë nëpër ato furra? Shkrinë djersën e mijëra ushtarakëve, mes të cilave edhe të Myfit Metanit.