Zbulohet kontrata/ Si gënjeu Rama për 137 fluturimet me çarter

67
Sigal

Deputetët e Rilindjes rrëzuan, në 12 janar, në një veprim të konsideruar të paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese, kërkesën për te hetuar shpenzimet e luksit të Edi Ramës në përdorimin e avionit të tij çarter, duke demostruar këmbënguljen kokëfortë të shefit të qeverisë për të bërë transparencë lidhur me udhëtimet e tij të luksit. Por sot kontrata mes drejtorisë së shërbimeve qeveritare dhe shoqërisë ajrore Air Albania, që ruhej si një sekret shtetëror është bërë së fundi publike.

Në dokumentin e siguruar shihet qartë se shefi i qeverisë ka gënjyer publikisht kur thoshte se udhëtimet e tij qenë me çmim promocional pasi ato bëheshin për të promovuar linjën e re ajrore me flamurin shqiptar. Në pesë fletët e kontratës rezulton se kreu i qeverisë nuk ka fluturuar me çarter për t’i bërë reklamë “Air Albania”, pasi nuk ekziston asnjë marrëveshje reklamimi mes tij dhe kompanisë që i përket avioni ‘Airbus A319-100’, me emrin Ismail, me të cilin është akuzuar nga opozita se ka shpenzuar të paktën 22 milionë euro udhëtime.

Në kërkesën e hedhur poshtë, të nënshkruar nga 35 deputetë opozitarë, kërkohej “verifikimi i ligjshmërisë së shpenzimeve të 137 udhëtimeve jashtë shtetit të kryeministrit Edi Rama nga data 10 shtator 2013 deri në 31 tetor 2022”. Por tani kuptohet më lehtë se përse Rama nuk donte t’i hapeshin këto letra, sepse ai ka gënjyer publikisht për marrëveshjen që ka për të përdorur çarterin privat.

Porsa plasi skandali i hakerave iranianë, që publikuan të gjitha të dhënat e fluturimeve të kryeministrit në sistemin TIMS, shefi i qeverisë humbi në labirinthin e alibive të pafundme.

Duke dhënë përgjigje pas zbulimit të listës të rjedhur nga sistemi TIMS, në vend që të jepte fatura dhe shpjegime zë për zë për udhëtimet që ka kryer, kryeministri që do pushtetin e politikanit, por ëndërron jetën e milionerit, u mor me sulme personale ndaj kundërshtarëve, kritikëve apo drejtësisë. Nga një sallë në Bulqizë ku dhjetra militantë trushpëlarë duartrokisnin çdo gjë që ai nxirrte nga goja, Rama tha:  “Që ta dijë hiena që është non grata, se hiena kur bëhet non grata është llahtar fare, apo hienë spiun, më keq akoma. Pastaj janë edhe ca hiena të tjera që kuisin në ekrane e portale gjithë ditën e natën, i bëjnë llogaritë me çarterat që marrin vetë, por janë gjëra që sidoqoftë do të sqarohen të gjitha. Në fund triumfon e vërteta, por do hash dynjanë, se e ke rrugën mbushur me hiena”, tha atëhere Rama. Ai e vazhdoi për disa ditë këtë taktikë mbrojtëse duke shkruar edhe në rrjetet e veta sociale: “Si të mos ndjesh neveri për rublaxhinjtë e opozitës dhe gjobaxhinjtë e ekraneve, përhapës gënjeshtrash e shpifjesh, katranë me bojë që tallen me publikun!”.

Ai fillimisht tha se marrëveshja shërbente si model i promovimit dhe reklamimit të linjës ajrore me flamur shqiptar. Pastaj nxorri shifra qesharake për kostot e këtyre udhëtimeve (faksimilja lart).

Natyrisht, kush ka dy pare mend nuk mund ta hajë se një udhëtim me avion personal kushton 600 mijë lekë të vjetra,  askush nuk e besonte se ne paskemi një kryeministër super star që shërbeka si maskot i kompanisë ajrore dhe fluturon me avion taksi për t’i bërë promocion asaj.