Zagoll Gjoni
Kryetari i Shoqatës AK “Tomorri”, dega Tiranë
Humbja e dervishit të Teqesë së “Baba Aliut” Baba Hekuran Nikollarit ishte një lajm tejet i trishtë, pasi për ne besimtarët iku një Shenjt i madh, me fuqi vepre e fjalë hyjnore. Kujtoj si sot takimin tonë të parë në vitin 2007 me sugjerimet e miqve që nuk rreshtnin së foluri për vlerat, devotshmërinë dhe përkushtimin e tij ndaj besimtarëve.
Prej asaj dite që shkela, kuptova realitetin dhe u bëra dëshmitar i vlerave të një njeriu fisnik si Baba Hekuran Nikollari, që zotëronte bujarinë dhe zgjuarsinë. Teqenë e vizitoja rreth 2-3 herë çdo vit, dhe gjithmonë sytë më hasnin radhë të gjata njerëzish, që vinin nga çdo krahinë e Shqipërisë. Baba Hekuran Nikollari ishte gjithmonë i gatshëm të ofronte këshilla dhe mbështetje, duke udhëzuar besimtarët me dashuri dhe mençuri.
Ai ishte një figurë që udhëhoqi besimtarët dhe përjetësoi vlerat e bektashizmit me inicativën e tij, ku shkoi në Alipostivan, dhe ringriti Teqenë e Baba Aliut. Baba Hekurani u nda shpejt nga kjo botë! Edhe pse në moshë të re kleriku bektashian u bë idhull për gjithë duke përhapur shpresë e besim. Trashëgimia e tij shpirtërore do të mbetet e paharruar, dhe kujtimi për të do të jetojë në zemrat e të gjithëve.
Lamtumirë kleriku i shtrenjtë Baba Hekuran Nikollari!