Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, me hidhërim të thellë, njofton gjithë besimtarët, klerikët bektashian e dashamirësit të kudondodhur, se më datën 3 shkurt 2025, në teqenë e Alipostivanit-Përmet, kaloi nga jeta baba Hekuran Nikollari.
Pritja dhe homazhe bëhen në datat 4-5 shkurt 2025, në teqenë e Alipostivanit.Varrimi bëhet ditën e enjte, 6 shkurt 2025, ora 12.00, në teqenë e Alipostivanit, Përmet.
Në reagimin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane ndër të tjera u pasqyrua jetëshkrimi i Baba Hekuran Nikollarit, i cili u lind më 7 shtator 1963, në Seniçan të Përmetit. U rrit përmes halleve, por me dashurinë e madhe të prindërve, të cilët i dhanë ndershmërinë, mirësinë, arsimin, urtësinë dhe dashurinë për Shqipërinë. Më 04 prill 2002, pasi qëndroi pak kohë, pranë Selisë së Shenjtë në Tiranë, Haxhi Dede Reshat Bardhi, i veshi rrobën e bektashiut dhe u emërua dervish, në teqenë e Ali Horasanit të Alipostivanit, në Përmet. Në vitet 2007-2009, baba Hekurani emërohet dhe punon si dervish në teqenë e Frashërit, të cilën e ringriti, duke ruajtur origjinalitetin e monumentit të historisë dhe kulturës të kësaj teqeje të famshme, e cila sot është një mrekulli e vërtetë.
Disa vite, baba Hekurani, bëri shërbime në teqenë e Kulmakut Tomorr. Hekuran Fejzo Nikollarit, i cili me Dekretin e Shenjtë Nr. 7 datë 29.12.2009 të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, shenjtorit Haxhi Dede Reshat Bardhit, iu dha titulli ‘Baba’ dhe u emërua baba i teqesë së “Baba Nasibiut” të Frashërit, të teqesë së “Baba Aliut” në Alipostivan dhe të teqesë së “Baba Xhaferit” në qytetin e Përmetit. Baba Hekurani i teqesë së Frashërit, Alipostivanit dhe Përmetit çdo ceremoni e mbyllte me fjalët “Rroftë Shqipëria”! Baba Hekurani është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Këshilli i Bashkisë së Poliçanit; Titulli “Nderi i Frashërit”, nga Këshilli i Komunës së Frashërit, (Vendimi Nr. 19 datë 21.03.2015) dhe nga Presidenti i Republikës, me “Urdhrin Naim Frashëri i Artë”.