Vrasja e Pjerin Xhuvanit, PD: Ja si mashtruan institucionet për ngjarjen në Elbasan

235
Sigal

Partia Demokratike ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka treguar sipas saj me fakte si se u mbrojt ajo që ata e konsiderojnë si “masakra zgjedhore Rama-Doshi”.

Ish-deputeti Enelejd Alibeaj u shpreh se para zgjedhjeve prokurori i ngjarjes së Elbasanit, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, tha se nuk kishte asnjë provë për krime zgjedhore në makinat e ndaluara nga Struktura për Mbrojtjen e Votës së PD-së.

Mirëpo sipas Alibeajt, pas zgjedhjeve ka ndodhur e kundërta, ku prokurori në gjykatë ka thënë se janë gjetur para dhe karta identiteti në makinë. PD paralajmëron të tjera fakte dhe të dhëna në ditët në vijim dhe thuhet se “do të luftojmë me gjithë fuqinë dhe besimin që qytetarët na dhanë në këto zgjedhje, në mënyrë që të rrëzojmë regjimin Rama-Doshi”.

Deklarata e plotë e PD-së:

Te dashur qytetarë, sot po luftojmë për demokracinë në vendin tonë.

Çdo ditë dalin në pah fakte, prova dhe dëshmi të akteve të Ramës –Doshit dhe bandave të pushtetit për të vjedhur zgjedhjet.

Në video që do të ndjekim tani, të gjithë do të shihni dhe dëgjoni se si prokurori para zgjedhjeve thotë se nuk kishte asnjë provë në makinat e bandave të Elbasanit.

Ndërsa pas zgjedhjeve, prokurori deklaron të kundërtën. Ai thotë se policia gjeti para dhe karta identiteti në makinë.

Ja si po mbrohet masakra elektorale Rama-Doshi. Kjo që shihni këtu është vetëm maja e ajsbergut.

Të gjithë shqiptarët janë të vetëdijshëm se se si kanë vepruar Rama-Doshi dhe banditët e pushtetit për të vjedhur dhe blerë rezultatet e zgjedhjeve. Të tjera fakte dhe të dhëna do të publikohen në ditët në vijim.

Një gjë është e sigurt. Ne do të luftojmë me gjithë fuqinë dhe besimin që qytetarët na dhanë në këto zgjedhje, në mënyrë që të rrëzojmë regjimin Rama-Doshi.