Viti i ri akademik dhe auditorët bosh

195
Sigal

Protesta, sot pedagogët vazhdojnë bojkotin në universitete, shpopullimi ul numrin e studentëve, mbyllen dhjetëra degë në Tiranë dhe rrethe. Lëvizja Studentore: Do organizohemi në protesta për tarifat e shkollës dhe konviktet.

Për shkak të mungesës së studentëve në Elbasan janë mbyllur Gazetaria, Gazetari-Anglisht dhe Ekonomia. Po ashtu në Vlorë është evidentuar mungesa në staf akademik, ku disa prej degëve rrezikojnë mbylljen.

 Viti i ri akademik ka nisur mes protestash. Pas një prezantimi me studentët e viteve të para, pedagogët kanë dalë nga auditorët dhe po protestojnë ndaj kushteve ku punojnë dhe pagave që marrin. Një tjetër problem serioz që vihet re këtë vit është reduktimi i numrit të studentëve të arsimit të lartë. Për shkak të mungesës së studentëve në Elbasan janë mbyllur Gazetaria, Gazetari-Anglisht dhe Ekonomia. Po ashtu në Vlorë është evidentuar mungesa në staf akademik, ku disa prej degëve rrezikojnë mbylljen.

Pedagogët kanë kërkuar nga Qeveria një takim për të rënë dakord për rritje pagash. Ata kanë bërë një listë me 9 kërkesa për të cilën thonë se afati për të negociuar tashmë ka kaluar. Një nga pikat që këmbëngulin më tepër është rritja e pagës me 30% këtë vit dhe 20% vitin tjetër.

Ndërkohë, shumica e universiteteve të vendit i janë bashkuar protestës së nisur nga stafi akademik i Tiranës.

Kërkesës së pedagogëve të Tiranës për bojkot i janë bashkuar një pjesë e pedagogëve të Elbasanit. Disa kanë zgjedhur të dalin në protestë, duke mos zhvilluar mësim e të tjerë kanë vijuar normalisht mësimin. Pedagogu Eljro Vila, ka deklaruar për mediat se kërkesat që ata kanë nuk janë luks, por janë për të vendosur dinjitetin e tyre.

“Rëndësi ka kauza për të cilën protestojmë jo numri i pedagogëve në protestë. Kemi edhe studentët që mbështesin protestën e pedagogëve. Kërkesat e pedagogëve nuk janë për luks, por janë për të vendosur dinjitetin. Jemi këtu në respekt të sindikatës”, u shpreh ai.

Gjithashtu bojkotit i janë përgjigjur edhe pedagogët e Shkodrës. Rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Suzana Golemi ka dalë pro kësaj proteste. Për mediat, Golemi ka deklaruar se është në mbrojtje të kërkesave të pedagogëve dhe se nuk do të ketë asnjë masë ndaj pedagogëve, që janë në protestë.

“950 studentë të rinj të regjistruar në sistemin bachelor. Të gjitha degët e hapura. Në total janë rreth 5000 studentë. Trendi i regjistrimeve njësoj si vitin e kaluar. Jam në mbrojtje të kërkesave të pedagogëve, shpresoj që të arrijmë aty ku duhet me qeverinë. Të lëmë një ditë tjetër bojkotin. Nuk do të ketë asnjë masë ndaj pedagogëve në protestë, i mbështesim”, tha Golemi.

Ndërkohë edhe stafi akademik i Universitetit të Gjirokastrës “Eqrem Çabej” ka vendosur që të bojkotojë mësimin e djeshëm dhe të dalin në protestë. Sindikata e pedagogëve kanë kërkuar që të plotësohen kërkesat e tyre për rritje page si dhe për rritje të mbështetjes për kërkime shkencore.

Po ashtu edhe pedagogët e Universitetit të Durrësit janë ngritur  në protestë, ku kërkojnë rritje të pagave. Pedagogu Mentor Beqja është shprehur se kërkojnë që pagat e tyre të rriten nga buxheti i shtetit dhe jo nga tarifat që paguajnë studentët.

Vijon bojkoti

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi deklaroi se pedagogët e universiteteve bojkotuan mësimin gjatë nisjes së vitit të ri akademik. Ai sqaroi se bojkoti do të ishte total dhe se pedagogët e universitetit të Tiranës do të mblidheshin para politeknikut, ndërsa ata të rretheve të mblidhen para universiteteve të tyre ditën e nesërme.“Pedagogët iu përgjigjën kërkesave tona. Nesër të gjithë pedagogët e Tiranës do të jenë të qendërzuar në universitetin Politeknik. Ndërsa universitetet e rretheve në qendrat e tyre. Ajo që dua të theksoj është se bojkotimi është total nga ora 08:00 ndërsa në 10:00 do jetë takimi”-tha Kovaçi.

Shpopullimi boshatis auditorët

Të rinjtë sipas raporteve janë të destinuar të largohen jashtë vendit, si pasojë e varfërisë. Ky vit i ri akademik duket se është i destinuar të jetë problematik, por edhe shqetësues për shifrat e regjistruara deri më tani. Degët më problematike duket se janë ato të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku gjithsej janë regjistruar 105 studentë gjithsej. Fizika ka vetëm 10 studentë, kimia ka 12, matematika ka 25 studentë dhe biologjia 55 studentë.

Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë ka mungesa të theksuara të studentëve. Kjo pasi me dy fazat e para të regjistrimit të studentëve janë vetëm mbushur rreth 55% të kuotave. Edhe pse ka disa ditë kohë që të mbyllet faza e tretë e regjistrimit, ky vit ka shënuar mesataren më të ulët të studentëve të regjistruar më parë. Për shkak të mungesës së studentëve disa degë rrezikojnë që të mbyllen. Por në Universitetin e Vlorës nuk ka vetëm mungesë studentësh por edhe pedagogësh, në disa degë.

Po ashtu, ndryshe nga vitet e kaluara, universitetit i Elbasanit, ka më pak studentë. 1138 studentë të regjistruar për herë të parë, ndërsa kuota të lira janë 1435 ose e shprehur në përqindje 55.7 %. Mungesa e studentëve dhe kërkesa në rënie ka çuar në mbylljen e tre degëve në Elbasan: Gazetaria, Gazetari-Anglisht dhe Ekonomia. Ndërkohë rreth 10 degë të mësuesisë janë hapur me numër minimal studentësh.

Në Universitetin e Gjirokastrës “Eqrem Çabej” do të ulen 350 studentë, shifër kjo e njëjtë krahasuar me një vit më parë. Universiteti i Gjirokastrës numëron në total 1500 studentë, numër ky shumë i ulët në raport me numrin e popullsisë.

Lëvizja Studentore: Do organizohemi në protesta. Qeveria po shtyn burokracinë universitare të rrisë shpenzimet për studentët

Lëvizja studentore ka deklaruar se do të nisin një protestë, për plotësimin e kushteve të tyre. Në një deklaratë për mediat, ata kanë theksuar se qeveria po shtyn burokracinë universitare të rrisë shpenzimet për studentët. Po ashtu ata kanë deklaruar se pedagogët duhet që të bëjnë një kërkesë të përbashkët që të përfshihen edhe ata në protestë dhe jo vetëm rritja e pagës së tyre.

“Dje studenti shqiptar ka gjithnjë e më pak kohë për të studiuar. Indiferenca qeveritare po shtyn mijëra të rinj drejt emigracionit. Qeveria po e shtyn burokracinë universitare të rrisë shpenzimet për studentët. Ne do luftojmë për një universitet, që nuk përjashton askënd për arsye ekonomike. Ata kanë harruar që duke u rritur paga e tyre na rriten edhe pagesat tona. Dje jemi vetëm për studentët. Organizimi duhet të jetë mes studentëve dhe pedagogëve. Se po rritën vetëm pagat e tyre do rriten tarifat tona. Pedagogët duhet të bëjnë një kërkesë më të plotë që të përfshihemi edhe ne. Që të mos dalin vetëm për rritjen e rrogave. Është penalizuese për çdo student që vjen çdo ditë dhe kërkon të marrë dije në universitet. Ne e kemi bërë publike përgjigjen që na kanë kthyer. Unë mendoj që kjo gjë kërkon organizim në të gjitha fakultetet”, thuhet në deklaratë.