Vetëm 1 në 2 gra të punësuara, shtëpiaket, numër më i lartë se studentet

479
Të dhënat e sapopublikuara të Institutit të Statistikave tregojnë se shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 1.1 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017.
Ndryshimi më pozitiv ka ardhur për gratë, ku kjo normë ka rënë me plot 1.4 pikë përqindje dhe fiksohet tashmë në 12,6%
Por nga ana tjetër, shifrat e punësimit tregojnë një situatë krejt tjetër, ku ndryshimi pozitiv është shumë më i ngadaltë.
Teksa në total shkalla e punësimit është rritur me 0.6 pikë përqindje, tek femrat është ulur me 0.3 pikë përqindje. Çka do të thotë se realisht nuk ka më tepër gra të punësuara, por ka më tepër që zgjedhin të mos punojnë.
Këtë e konfirmon shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, e cila për femrat është ulur me plot 1.2%. Vlen të përmendet se tremujori i tretë 2016 shënon një rekord në këtë indikator.
Numri i femrave që u janë përgjigjur anketës së INSTAT, si të dekurajuara për të gjetur një vend punë është shumë më i ulët në raport me meshkujt. Po ashtu i ulët është edhe numri i vajzave që janë ende në proces studimi. Pjesa dërrmuese, rreth 28% shprehen se janë duke përmbushur detyrat shtëpiake.
Pjesëmarrja në tregun e punës është edhe një nga treguesit ku Shqipëria performon më dobët në raportin e Forumit Global Ekonomik për Hendekun Gjinor. Nëse në total vendi ynë renditet i 38-ti nga 144 shtete, për këtë indikator Shqipëria zë vendin e 100-të.
Të ndara sipas grupmoshave, femrat 15-29 vjeç kanë edhe pjesëmarrjen më të ulët në forcat e punës, 35.9%, krahasuar me grupmoshën 20-64 vjeç, ku ka një shkallë pjesëmarrjeje në 67,7%. Në të dyja grupet ka rënie vjetore të pjesëmarrjes, ku grupmosha më e re ka dhe ndryshimin më të madh.
Sigal