Veliaj: Rruga “Don Bosko” me trotuare sipas të gjitha standardeve, jo më tela e kabllo të varur nëpër rrugë

457
Sigal

Banorët e zonës së Don Boskos në kryeqytet kanë tashmë një rrugë më të mirë,
që ofron vendqëndrime të kushtuata për mjetet e transportit urban dhe makineritë
e pastrimit, duke mos u bërë më pengesë më për qarkullimin e automjeteve. Bashkia
e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të trotuareve të rrugës “Don
Bosko”, ndërsa ka bërë zgjerimin e saj në disa pika që më parë ishin kthyer në
problematike për trafikun e mjeteve. Përfundimi i këtij investimi u ndoq nga
kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se kjo rrugë do
jetë një nga rrugët kryesore të Tiranës, jo vetëm për shkak të numrit të madh të
banorëve që e përdorin atë, por edhe për standardet që ajo ofron.

 

“Rruga “Don Bosko” është një ndër rrugët ikonë të kryeqytetit. Ka qenë
kryesisht ikonë për çështje të banorëve, pra sasisë të banorëve që kanë banuar
këtu, ndërkohë që sot besoj se është ikonë edhe për çështje të cilësisë. Më në
fund, kemi një rrugë me trotuare të bollshme, është e para rrugë në Tiranë ku
janë zhdukur totalisht telat e varur, pra kemi çliruar rrugën e parë. Mbi 230
shtylla janë eliminuar, janë vendosur nën tokë”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Nisur nga puna e mirë e bërë në këtë rrugë edhe për shmangien e shërbimeve të
telefonisë dhe internetit nëpërmjet linjave kabllore të varura në ajër, Veliaj i
bëri thirrje kompanive që operojnë në këtë fushë që të bashkëpunojnë me bashkinë
për të shtrirë linjat nëntokësore në çdo rrugë të re. 

 

“Apeli që u bëjmë kompanive të cilat ofrojnë shërbimin internetit apo
shërbime kabllore është që në rrugët e reja ku po investon bashkia, të
bashkëpunojnë për të eliminuar të gjitha shtyllat, pengesat e mobilerinë urbane,
e cila shkakton shumë stres në qytet, që të sjellim në këtë standard të gjitha
rrugët e qytetit”, tha ai. Gjithashtu, ai bëri të ditur se punimet në këtë rrugë
kanë përfshirë edhe sistemimin e vendeve të kazanëve e plehrave. Ndaj, ai
shfrytëzoi edhe një herë rastin që t’i bëjë thirrje qytetarëve edhe të kësaj
zone që mbështesin Bashkinë e Tiranës në projektin e saj të diferencimit të
mbetjeve në kazanët përkatëse.

 

“Do të jetë një ndër rrugët kryesore, e cila do të bëhet pjesë e projektit
të transformimit të pastrimit të qytetit. Të gjithë qytetarët këtu do të kenë
dy kosha: një kosh do të jetë blu, për mbeturinat organike, ndërsa për të
riciklueshmet do të jetë një kosh i gjelbër. Ndaj, u bëj thirrje qytetarëve, e kemi
filluar nga fëmijët, por na duhen edhe të rriturit të bashkëpunojnë, që të
mbajmë një qytet të pastër dhe të respektojmë ndarjen e mbeturinave në burim”,
tha Veliaj. Kryetari i Bashkisë bëri të ditur gjithashtu se, i njëjti standard
i realizuar në këtë investim do të zbatohet edhe në çdo rrugë tjetër ku do të
ndërhyjë Bashkia e Tiranës.

 

“Shpresoj që standardin që kemi ngritur këtu, në njësinë 9, ta transferojmë
edhe në rrugët e tjera. Do të kujdesemi gjithnjë e më shumë që të respektojmë
të njëjtën hapësirë si për këmbësorët, ashtu edhe për makinat. Në qoftë se
makinat kanë 4-5 metra për të kaluar, atëherë edhe këmbësorët duhet të kenë 4-5
metra. Ky nuk është qytet vetëm i pronarëve të makinave që janë vetëm 17%; ky
është një qytet edhe i 83% të tjerëve që ndoshta nuk kanë makinë, por kanë po
aq të drejta për të pasur hapësirë publike, siç është modeli këtu tek ‘Don
Bosko’”, u shpreh Veliaj. Ndërkohë, ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës nuk
do të lejojë më ndërhyrjet pa kriter në hapësirat publike, duke u bërë në të njëjtën
kohë jo vetëm shqetësim, por edhe rrezik për jetën dhe pronën e qytetarëve.

 

“Janë planifikuar disa prishje të ndërtimeve mbi kolektorë, situata të
paktën në pjesën kryesore të rrugës “Don Bosko” ka qenë më e mirë nga
përmbytjet, falë pastrimeve; po shfrytëzojmë diellin, vazhdojmë me pastrimin,
por na duhet bashkëpunim nga të gjithë. Ata që kanë ndërtuar mbi kolektorë do
transferohen, do u ofrojmë një mundësi tjetër banimi, por nuk do lejohen më mbi
kolektorë. Të tjerët, ju lutem jo qese në kanalizime! Siç e pamë kësaj here,
brenda 30 minutave uji u shkarkua. Sigurisht, kur prurjet janë të mëdha, do
presim të shkarkohet, por fakti që kjo ndodhi më shpejt, do të thotë që kur bashkëpunojmë
të gjithë bashkë, edhe qyteti e përballon më mirë çdo krizë dhe situatë të
vështirë”, theksoi Veliaj.

 

Në rrugën “Don Bosko”, janë bërë punime në të dyja krahët e trotuareve,
duke përfshirë shtrirjen e të gjithë linjave rezervë për telefoninë dhe
internetin, si dhe është pajisur me puseta dhe sinjalistikën e duhur.
Gjithashtu, me përmirësimin e projektit janë krijuar 4 vendqëndrime për autobusët
dhe vendgrumbullimet e plehrave në të dy anët e rrugës, si dhe u bë zgjerimi i
rrugës në krahun e majtë në dalje të kryqëzimit me
unazën.