Vdekja misterioze e 4 turistëve/ Prokuroria informon ambasadën ruse

208
Sigal

Prokuroria e Përgjithshme i ka përcjellë informacion të shkurtër Ambasadës së Rusisë në vendin tonë lidhur me humbjen e jetës së 4 turistëve në një hotel, në Qerret të Kavajës. Ndonëse në të nuk ka ende të dhëna mbi shkaqet e vdekjes, Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar një informacion zyrës diplomatike lidhur me veprimet hetimore deri në këtë fazë.

Një pjesë e ekspertimeve kërkojnë dhe asistencën ndërkombëtare, ndërsa këtë javë pritet dhe kryerja e eksperimentit hetimor. Prokurorët, në bashkëpunim me ekspertët e shëndetit publik, do të rikrijojnë të njëjtën situatë që ishte në resort më 15 tetor, duke hedhur sërish klor në pishinën e brendshme të hotelit.

Pas kësaj, do të merret sërish një provë ajri dhe uji të pishinës, për të konfirmuar apo hequr të gjitha dyshimet në lidhje me vdekjen e katër turistëve rusë. Nga ana tjetër, mjekësia ligjore ende nuk ka nxjerrë një raport paraprak, ndërsa ushqimet që ata kanë përdorur nuk janë ekzaminuar, pasi ISUV tha se nuk ka kompetencë ligjore në ekzaminimin e tyre.

Ndërkohë, në Institutin e Policisë Shkencore janë dërguar dy celularë të fikur, të cilët nuk janë hapur dot dhe do të dërgohen drejt Izraelit për të parë komunikimet e fundit që kanë pasur turistët.