Vdekja e dy elektriçistëve gjatë punës në Fier, në pranga drejtori i OST dhe inxhinieri

261
Sigal

Policia e Fierit ka vënë në pranga drejtorin e OST-së në Fier, Andi Prifti dhe si dhe inxhinierin e OST-së Eriseld Lala për “Shpërdorim detyre”, pas humbjes së jetës të dy elektriçistëve një ditë më pare.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Prifti dhe Lala dyshohet se kanë urdhëruar punonjësit e tyre të kryejnë punime në mënyrë të kundërligjshme në linjën 110 KV në Jagodinë, Fier, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Finanaciar në DVP Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shpërdorim detyre” shtetasit:A. P., 38 vjeç, banues në Fier, me detyrë Drejtor pranë OST, Njësia Operative Fier.E. L., 38 vjeç, banues në Fier, me detyrë Inxhinier pranë OST, Njësia Operative Fier.

Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë urdhëruar punonjësit e tyre të kryejnë punime në mënyrë të kundraligjshme në linjën 110 KV në Jagodinë, Fier, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen gjatë punimeve shtetasit Gj. D., 50 vjeç dhe B. S., 64 vjeç, punonjës të Njësisë Operative Fier.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për hetime të mëtejshme.

Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë, ku dy elektricistët kanë qenë duke punuar për të shtrirë një rrjet elektrik të tensionit të lartë në këtë shtyllë.

Shtylla elektrike ka qenë me probleme pasi nga erozioni ishte kalbur dhe është thyer në dysh nga pesha e elektricistëve dhe së bashku me shtyllën janë rrezuar në tokë, ku gjetën vdekjen.