Prof. Zaho Golemi: Mirënjohje jetës dhe veprës të burrit të madh të Prongjisë dhe familjes patriotike të Labërisë

513
Sigal

Ky libër  është çelësi depërtues në rrënjët familjare, në të “fshehtat” e xhanit

 (Në përkujtim të jetës dhe veprës së burrit të urtë të Prongjisë, Xhevat Majko Lluri, që edhe pse u shua, ai vjen i pavdekshëm në përjetësi me “Ditari i shpirtit, kujtime të jetës time”, (Ç’kam dëgjuar, ç’kam parë e ç’kam përjetuar)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Njerëzit në organizime të ndryshme mblidhen me por dhe pa prezencën fizike, dhe në këto raste nderimi dhe homazhi për burra të urtë e të mençur të Prongjisë, sikurse ishte Xhevat Lluri, vijnë kaq të natyrshme. Edhe kur shuhet e shkon në parajsë ai që kujtohet nuk harrohet kurrë. Me “Ditarin e shpirtit”, këtë libër të shkruar e qëmtuar për katër vjet rresht ai është gjithmonë me ne, me të dashurit, i qetë, i thjeshtë, i shoqërueshëm, miqësor, këmbëngulës, i durueshëm, shpirtbardhë, me vlera humanizmi. Xhevat Lluri do të jetojë gjithmonë në kujtesë të mirësisë që la pas. Dy vjet më parë unë shkruaja në gazetën “Telegraf”: “Burri lab i Prongjisë, Mirënjohje e Labërisë”, për një burrë të fortë të historisë e krahinës së Kardhiqit, veçanërisht e Prongjisë së tij të dashur, për Xhevatin tonë zakonlli që nuk harrohet lehtë, sepse ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës një prag e oxhak i vlerave shpirtërore, atyre vlerave që sot ne e kemi në dorë me “Ditarin e shpirtit” me të cilin krenohemi. Oxhaku i vlerave shpirtërore është drita që la pas Xhevat Lluri. Ai shkruajti “Ditarin e shpirtit”, për njerëzit e zemrës, sepse shpirti (spiritus-frymë në latinisht) është zëri i brendshëm njerëzor, zëri-jehonë që nuk shuhet kurrë.

Këtë vlerë e rrezaton takimi promovues, homazh e mirënjohje, ndaj jetës dhe veprës së tij. Jo më kot i madhi i letrave shqipe, poeti kombëtar Naim Frashëri, kishte shkruar ligjërim vargjesh mbi trashëgiminë njerëzore: “Mos thuaj se vdes njeriu,/Se është fjalë çilimiu,/Tek i biri/(e bija) jetëgjati,/Është fshehur i ati”. Në rrugën “Qemal Stafa” tek lagjia që e thërrasin, “zona e Oxhakut”, mbrapa ish-Shkollës së Bashkuar, ka sot një boshllëk shpirtëror sepse mungon fizikisht një burrë i thjeshtë me flokë të bardhë e zemër të bardhë, i mungon shoqërisë, organizatës së nderuar të veteranëve, i Zonës 3 si kryetar i nëndegës së Labërisë, i mungon armatës së veteranëve dhe jo vetëm të mbrojtjes së luftës së madhe antifashiste të shqiptarëve (LANÇ-it), veprimtarit të Organizatës së veteranëve të luftës, të gazetës së mirënjohur “Kushtrim Brezash”, i mungon gjithë shoqërisë.

Xhevat Lluri

Xhevat Lluri familjarisht jetoi në këtë zonë, për pothuaj gjysëm shekulli, sikurse shkruan në “Ditar..”,  “.. nga viti 1973, mora shtëpi në Tiranë për të marrë familjen, një dhomë e kuzhinë, në zonën “Varri i Bamit”..”. Ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij njeriu i dashur i fqinjësisë së mirë dhe i njerëzillëkut, sepse për këto raste mençuria popullore ka gdhendur maksimën proverbiale: “Burri s’matet me pëllëmbë, po me zemër”, dhe Xhevat Lluri kishte një kut të matjes të veçantë, me dashuri njerëzore për fqinjësinë, aq sa edhe gurët e sokakut dukeshin të qeshur e të gëzuar kur shkonte qetë-qetë, me flokët dhe zemrën e bardhë.

Ai ishte një arkiv lëvizës, i mbushur me dije e njohuri të thella krahinore, të trevës lave, të fushës së sigurisë kombëtare ku punoi gjatë si dhe një vlerë e spikatur e vullnetarizmit në mbrojtje të kauzës së LANÇ-it, një familjar dhe një gjysh i përkushtuar dhe i lumtur.

“Ditari i shpirtit” është çelësi depërtues në rrënjët familjare, në të “fshehtat” e xhanit, që nuk i mban për vete, por i bën pronë të të gjithë familjes së tij të madhe, të shokëve dhe miqve të ngushtë. Dedikimi i tij çel siparin e një thesari jetësor, të historisë, traditës, kulturës dokeve e zakoneve duke depërtuar thellë në stogonet e historisë, por mbi të gjitha qëndron tek shpirti i shpirtit tek nipat e mbesat, bashkëshortja, vajzat e dhëndurrët, vëllezërit e motrat e gjakut, fëmijët e tyre, rrethit i gjerë familjar, farefisnor, miqësor e shoqëror.

Në librin e tij ka referenca të shumta nga gjigandë të mendimit botëror si Seneka, Dostojevski, Bjelinski etj., ndërkohë që vetë jetën, Xhevat Lluri e mati me veprat dhe jo me kohën, sikurse thotë Seneka. Miqtë e tij të shumtë ishin historianë, shkrimtarë e publicistë të njohur, si Kristo e Xhemil Frashëri, Dritëro Agolli, Resul Bedo, Apostol Kotani, Kadri Dingu, Besim Shyti, Thimi Bare, Sevo Tarifa, Dhimitër Shtëmbari, Gjikë Kurtiqi, Kristaq Laka, Sadik Murraj, e shumë të tjerë. Janë qindra emra që kujtesa dhe ditari i Xhevat Llurit i ka sjellë të gjithë ashtu sikurse kanë qenë, ashtu në mënyrën e tij të çiltër, sikurse i ka takuar udhëve të jetës. Në libër vijnë plotë detaje familjare të gëzimeve dhe dhimbjeve, të të gjithë procesit të zhvillimit jetësor dhe jashtëzakonisht të familjarizuar me detaje prekëse. Në libër rrjedhin si gurgullimë dhe fëshfërimë e përronjve të Prongjisë edhe jeta familjare me gëzime, me festimet e datëlindjeve, me mbresa, gëzime e kujtime nga më të bukurat ndër vite gjatë pushimeve, një jetë e mbushur plot larmitet.

Askush nuk mund ta llogariste Xhevat Llurin në radhët e pensionistëve, sepse ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës një aktivist, që aktivitetin shoqëror e quante punë dhe e vlerësonte maksimalisht. Ai gëzonte vetitë më të spikatura të një idealisti patriot, veprimtar i palodhur dhe mbi të gjitha qëndronte theshtësia dhe fisnikëria që e bënin shumë të dashur, njeriun e mirë Xhevat Lluri. Kështu në vitin 2016 ishte zgjedhur Kryetar i Nëndegës së Shoqatës Kulturore-Atdhetare “Labëria”, “Nderi i Kombit”, për Njësinë Administrative nr. 3, në Tiranë, funksion që e bëri edhe më të njohur në të gjithë lagjen tonë. Ai vijonte të punonte denjësisht dhe me devocion, si në rini, kur kishte shërbyer me ndershmëri si oficer me gradën nënkolonel me karrierë 36 vjeçare në fushën e sigurisë së shtetit. Për shërbime të shquara në fushën e sigurisë kombëtare është vlerësuar me tri dekorata nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i kohës. Me këtë temp punoi gjatë gjithë periudhës që konsiderohej “pensionist”, por në fakt puna e përkushtimi ju shtua nga aktiviteti te Veteranët, te Labëria dhe te Njësi Administrative tre. Deri në ikjen në përjetësi ngeli baba e gjysh shembullor. Tre vajzat e tij, mirësia familjare, prosperiteti i nipave dhe mbesave mbeti meraku dhe amaneti i tij i përhershëm. Rrënjët e tij të thella atdhetare e patriotike e me kontribute për çështjen e lirisë e pavarësisë së Atdheut ja rritën vlerat dhe përkushtimin patriotik, bënë që fisi Lluri, të ishte një pikë reference e veçantë për banorët e Prongji në Gjirokastër, ku Xhevat Lluri ju la pasuri librin “Prongjia”, duke nxjerrë mjeshtërisht krenarinë dhe dinjitetin e vendlindjes të shquar shekujve për burrëri, bujari, trimëri e mençuri.

E kaluara patriotike, traditat e hershme atdhetare, prushi i atdhedashurisë që rron fuqishëm në çdo shtëpi e zemër të Labërisë e rivitalizoi Xhevat Lluri me punën e tij të apasionuar. Pena e tij ndrin në shumë shkrime në gazeta e revista si në “Telegraf”, “Kushtrim Brezash”, “Pavdekësia” e shumë të tjera.

“Ditari i shpirtit” nuk është një libër i thjeshtë por është një testament jetësor, vijimësi, që vulos dashurinë njerëzore, është vetë jeta e Xhevat Llurit, shokut dhe mikut tonë, familjarit shembullor, njeriut të dashur të gjithë brezave. Xhevat Lluri ishte dhe është gjithmonë me lebërit dhe për lebërit, me veteranët dhe për veteranët, ishte dhe është punëtori i palodhur në mbrojtje me fanatizëm të emrit të ndritur të dëshmorëve që derdhën gjakun për atdheun. Ai ishte dhe është labi fisnik me karakter të formuar e thellësisht atdhetar që derdhi në buste vetë historinë e shqiptarëve të fillimshekullit të kaluar sikurse ishte Bajram Prongjia.Ai ishte dhe mbeti mjeshtër i letrave dhe këtë e vërteton plotësisht ky takim promovues që ka brenda mesazhin dhe homazhin të nderimit dhe të mirënjohjes për burrin e Prongjisë Xhevat Llurin, për njeriun e kulturës krahinore dhe kombëtare të letrave shqipe, që një jetë të tërë punoi e luftoi për ta dokumentuar. Në jetë ai pati shumë nderime e vlerësime, por nderimi më i madh është përkujtimi njerëzor, si një qytetar shembëllor i kryeqytetit. Ai punoi e jetoi duke lexuar deri në fund të jetës. Për jetën e tij do të ishte e përshtatshme të perifrazonin Sokratin, që thoshte:“Nuk është me rëndësi vetëm të jetuarit, por edhe rregullat se si jeton”.

Dhe jetën ai e kishte rregull dhe korrektesë me veten, me familjen dhe me shoqërinë. Ai e ruajti dhe lartësoi emrin e tij, ndërkohë që Sokrati thoshte: “Ruaje emrin si thesarin tënd më të shtrenjtë, sepse besueshmëria është si zjarri; po ta kesh ndezur, e ke të lehtë ta ruash, por, po ta shuash, të bie barra e rëndë ta ndezësh prapë”. Dhe në fakt Xhevat Lluri e mbajti zjarrin e atdhedashurisë gjithmonë të ndezur, sikurse ngeli deri në fund të jetës një njeri i respektuar dhe i nderuar nga të gjithë. Breza të sotëm dhe të nesërm do ta kërkojnë të lexojnë të djeshmen dhe të sotmen e shkruar, por do ta kenë më të lehtë të hulumtojnë përjetësinë shqiptare. Atë e gjejnë në veprat e shkruara e të dokumentuara dhe do ta gjejnë me siguri edhe tek “Ditari i shpirtit”, që nga sot e në vijimësi do të jetë një libër jo si një soli bibliotekat tona, por një vlerë e shtuar e kulturës, e trashëgimisë dhe e traditës sonë e shkruar dhe e dokumentuar për breza. Për këtë arsye Xhevat Lluri nuk shuhet, sepse jeta e tij është në përjetësi, ai nuk shuhet sepse e kërkonte dhe e donte ringjalljen shpirtërore të kombit të vet, të martirizuar në gjithë historinë e ekzistencës së tij. Ai e donte progresin dhe konsolidimine vendit si dhe mbretërimin e qetësisë shpirtërore, përparimit dhe progresit, duke ecur në rrugën e traditës. Ne jemi të sigurtë se Ai na shikon me buzëqeshjen e ëmbël nga lart nga kaltërsitë e vendlindjes në Prongji, nga gjithë bardhësia e kaltërsia e maleve të Labërisë. Ai sheh dhe e shohin sepse kush kujtohet, nuk harrohet kurrë. Mirënjohje, homazh dhe përjetësi për Xhevat Llurin, burrin e shquar si mal fisnikërie dhe mirësie! Përmbyllja e “Ditarit të shpirtit” është mjaft kuptimplotë: “..jam i qetë dhe i lumtur që agimi i së ardhmes do kullosë i qetë me hijet e së kaluarës”! Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!