Dekriminalizimi, “djegë” kryebashkiakët e 30 qershorit

204
Sigal

Përfundimi i hetimeve për kryebashkiakun e Mallakastrës zbuloi se Ismailaj është dënuar në Greqi me 3 vite burg, duke e çuar në 6 numrin e bashkive të cilët drejtohen nga të emëruarit dhe jo të zgjedhurit. Konstitucionalisti Ledio Braho: Zgjedhjet e 30 qershorit 2019, kanë qënë problematike. Vendimarrja e Kushtetueses i jep zgjidhje  zëvendësimit dhe qëndrimit të paligjshëm të të komanduarve

Gazeta TELEGRAF

Prokuroria përfundoi dje, procesin e verifikimit për kryebashkiakun socialist të Mallakastrës Qerim Ismailaj, i cili rezulton që të jetë i dënuar me 3 vite burg në Greqi. Rasti i Ismailajt u denoncua nga Partia Demokratike, përmes sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi, dhe duket se pas verifikimit të prokurorisë, rezulton që pretendimi i demokratëve të ketë qenë i drejtë. Ismailaj është dënuar në Greqi për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje), gjë të cilën e kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit. Kryebashkiaku socialist i Mallakastrës Qerim Ismailaj i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, ku në garë PS ishte thuajse e vetme, nuk është i vetmi kryebashkiak në listën e të denoncuarve nga Partia Demokratike, duke i kushtuar mandatin pas procesit të verifikimit nga prokuroria. Denoncimet nga Partia Demokratike ndaj kryebashkiakëve për rekorde kriminale, u bënë dhe për disa kryebashkiakë të tjerë që nga viti 2019, të cilët dorëzuan mandatin apo u shkarkuan nga detyra.

I pari që ‘tërhoqi këmbën’ ishte Valdrin Pjetri. Ish-kreu i Bashkisë Shkodër, nuk arriti as të bëhet zyrtarisht kryetar bashkie, pasi Partia Demokratike zbuloi që ai kishte qenë i dënuar për trafik droge në Itali, vendim që nuk e kishte deklaruar në formularin për dekriminalizimin. Pjetri u tërhoq nga marrja e detyrës duke deklaruar se ishte gati të hetohej, si qytetar dhe jo si kryebashkiak. Tërheqja e tij nga posti i la vendin Voltana Ademit, e cila edhe pse e pazgjedhur, po drejton prej 2 vitesh përtej mandatit, Shkodrën.

Ish-kryebashkiaku socialist i Vorës Agim Kajmaku u arrestua më 7 korrik 2020, pasi ishte shpallur në kërkim që në 2019 për akuzat: “Falsifikim të formularëve”, “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”. Pas akuzave të Partisë Demokratike, se ai ishte gjykuar për falsifikim parash në shtetin fqinj të Greqisë nën identitetin Jorgo Toto, policia bëri krahasimin e shenjave të gishtërinjve. Përgjigjja nga laboratori shkencor konfirmoi se gjurmët e Kajmakut ishin të njëjta me identitetin tjetër, ndërsa gjykata vendosi “arrest me burg”.

Valbona Sako ish-kryebashkiake e Durrësit, u akuzua nga Partia Demokratike pas shpalljes së kandidaturës për zgjedhjet e qershorit të 2019, si e përfshirë në fenomenin e shitblerjes së votës dhe intimidimit të biznesit. Ajo dha dorëheqjen më 1 dhjetor të 2019, por për asnjërën nga këto akuza. Deklarata e saj pak ditë pas tërmetit të fuqishëm, që goditi vendin dhe kryesisht Durrësin se, ‘ishte e kënaqur me 51 viktima”, u bë virale, duke ngjallur zemërim në opinionin public, duke e detyruar kryebashkiaken të lërë zyrën e saj, pak muaj pas betimit.

Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme nisi hetimin e thelluar edhe ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, në 31 janar 2020. Gurra u akuzua për falsifikimin e vulës së Drejtorit të Ujësjellësit, fallsifikim i vulave, stampave ose formularëve në Librazhd dhe për të nisi një proces hetimor, por nuk u arrestua asnjëherë, edhe pse u shpall në kërkim nga Policia.

Mark Babani kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës u akuzua nga Partia Demokratike në 10 shtator 2019, se kishte fshehur ndalimin, dënimim dhe dëbimin nga Italia dhe Maqedonia e Veriut. Ai u akuzua gjithashtu se ka qenë pjesë e një grupi kriminal në Siçili, që merreshin me vjedhje automjetesh dhe se ishte arrestuar më datë 4 Prill 1994 në zonën e Siçilisë me emrin e rremë Marq Babaj. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i vuri në dispozicion prokurorisë të gjithë informacionin që disponononte Partia Demokratike për kryebashkiakun e Vaut të Dejës , që rezultonte me të kaluar kriminale. Babani vijon të ushtrojë mandatin e marrë nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Agron Malaj, ish-kryebashkiaku i Matit pas akuzave të PD-së, se ishte subjekt i dekriminalizimit, u hetua nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila në qershor të vitit të shkuar mbylli hetimet, duke rrezuar kërkesën e Partisë Demokratike. Po sipas njoftimit të prokurorisë u hetua dhe u gjetën fakte se Malaj kishte qenë i dënuar me 10 muaj burg për ‘armëmbajtje pa leje’ në vitin 1999, nga gjykata e Matit. Organi i akuzës sqaron se veç dënimit të vitit 1999 për të cilin edhe PD ka kërkuar heqjen e mandatit të tij, rezulton se në vitin 2019, ka pasur një kallëzim ndaj tij, por prokuroria e ka pushuar. Po ashtu,  ai u hetua dhe për vrasjet e 21 janarit, sepse Agron Malaj ishte komandant seksioni i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës në protestën e 21 Janarit. Ai ishte një ndër 10 oficerët e shkarkuar nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kur sapo ky i fundit mori detyrën. 10 oficerët ishin pjesëtarë të “grupit të zjarrit”, të cilët qëlluan mbi protestuesit në tubimin ku mbetën katër qytetarë të vrarë.

Në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 mori pjesë vetëm mazhoranca socialiste dhe disa parti të vogla, ndërsa opozita refuzoi pjesëmarrjen, si vazhdë e aksionit politik të djegies së mandateve të deputetëve. Voltana Ademi e cila është e vetmja kryebashkiake e djathtë që vazhdon të mbajë detyrën, në cilësinë e kryetares së Shoqatës së Bashkive Shqipëri, depozitoi në Gjykatën Kushtetuese padinë për cilësimin si të pavlefshme të këtyre zgjedhjeve. Gjykata më e lartë në vend, ka pranuar ta marrë në shqyrtim këtë padi dhe do ta shqyrtojë brenda muajit qershor 2021, ndërsa vendimi i saj, do të sqarojë pas 2 vitesh, nëse shqiptarët u qeverisën nga kryebashkiakë të zgjedhur në mënyrë të ligjshme, ose jo.

Av.Ledio Braho

Konstitucionalisti Ledio Braho: Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese është shumë e rëndësishme

Zgjedhjet vendore në 30 qershor 2019, kanë qenë problematike 

Konstitucionalisti Ledio Braho, duke vënë theksin në çështjen nëse janë kushtetuese zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, iu referua seancës  që do të mbahet më 23 qershor nga Gjykata Kushtetuese, pohoi se është i rëndësishëm. Ledio Braho:  “Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se me 23 qershor  do nisë seanca për zgjedhjet  në vitin 2019 dhe do të gjykojë në lidhje me kushtetueshmërinë  e zgjedhjeve.  Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese është shumë e rëndësishme.  Zgjedhjet e 2019 kanë qenë problematike, sidomos në të gjitha ato bashki,  kur ka qenë vetëm një kandidat  i vetëm.” Braho u shpreh se situata aktuale politike që është krijuar në vendin tone, vjen si shkak e mungesës së Gjykatës Kushtetuese. Ledio Braho: “E gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së Gjykatës Kushtetuese,  e pushtetit gjyqësor, e daljes së opozitës nga parlamenti. Është situatë jo normale për një demokraci. Nëse Gjykata Kushtetuese shpall zgjedhjet e 2019 legjitime, do të zgjidhë dhe pasojat dhe mënyrën se si do të bëhen zgjedhjet e ardhshme. Favori është se kemi një Gjykatë Kushtetuese, edhe pse nuk është në numrin e caktuar”.

Konstitucionalisti  Ledio Braho u shpreh mbrëmë se, për prishjen e Teatrit, ka pasur reagime të shumta, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e Gjykatës Kushtetuese, se në lidhje me çështjen në fjalë, janë depozituar disa kallëzime, por nuk ka pasur asnjë përgjigje dhe transparencë hetimesh nga ana e SPAK. Ledio Braho: “Sot u vu re se ka pasur një shtesë në objektin e kërkimit,  dhe shtesa ka të bëjë me përfshirjen në objektin e gjykimit në Gjykatën Kushtetuese dhe të vendimit të Këshillit bashkiak, i cili ka vendosur për prishjen e Teatrit Kombëtar. Ka edhe një kërkesë që ka të bëjë me pezullimin e procedurave të mëtejshme për ndërtimin në pasuri, që është pasuria ku ka qenë trualli ku ishte Teatri Kombëtar.  Ka një sërë kallëzimesh penale që janë depozituar në SPAK apo në Prokurorinë e rrethit gjyqësor të Tiranës në lidhje me këtë çështje, dhe ende nuk ka një përgjigje. Deri më tani nuk ka ndonjë transparencë për hetimet që po bën SPAK. Është një hetim që nuk kishte pse të zgjaste kaq shumë. Sipas Kushtetueses në momentin që nuk është Presidenti e mban Kryetari i Kuvendit.  Jemi në një situatë ku Parlamenti nuk mund të mblidhet. Pra, ka shumë të panjohura që në varësi të Gjykatës Kushtetuese mund të sjellin një debat tjetër.”