Varrezat e Dëshmorëve të Kombit do zhvendosen në Babrru

759
Ata që po bëjnë këtë krim moral kundër varrezave të dëshmorëve të LANÇ, janë ata të cilët pasi e kanë tjetërsuar Tiranën në “geto” të helmatisur e të zhurmshme me beton-bizneset e tyre korruptive, po shtojnë pasuritë duke vërsulur “ruspën” edhe mbi “Varrezat e Dëshmorëve të LANÇ”, të cilat nga simbol nderi e krenarie kombëtare, do të kthehen në simbol të babëzisë së sheikëve të politikës
Kur kreu i “Rilindjes”, iu drejtua opozitës me deklarimin “nuk keni parë gjë akoma”, shqiptarët e kaluan me të qeshur, duke e konsideruar si “batutë” që kreu i mazhorancës ia drejtoi opozitës sa “për sinjal frike”, për të realizuar dy qëllime. Së pari si demagogji, për t’u thënë shqiptarëve se do të vepronte ashtu siç u kishte premtuar gjatë fushatës elektorale që “do t’i futej me themel” hapjes së dosjeve të korrupsionit e shumë dosjeve të tjera si 21 Janari, Gërdeci, Pakti Detar, koncesioneve me naftën, rrugët, HEC-et, Kurumin, portet, aeroportet, arsimin, shëndetësinë etj. Së dyti, për t’i dhënë mesazhin opozitës që “të rinte urtë, ose ish-qeveritarët e saj do t’i çonte para drejtësisë”. Në fakt, ai deklarim rezultoi se ishte fals e farsë, bërë sa për “teatër” politik, mbasi Rilindja tregoi e po tregon se jo vetëm që nuk e luftoi korrupsionin dhe nuk ka ndërmend ta bëj një gjë të tillë, por po denigron e po zhduk edhe vlerat kombëtare të mbetura gjallë nga shkatërrimi i këtyre 25 viteve, mes tyre edhe vlerat historike të luftës Nacional-Çlirimtare. Pas projektit qeveritar të zbuluar e denoncuar nga “Telegraf”, për të zhdukur Shoqatën e Veteranëve të LANÇ, në kupolën e Rilindjes së PS ka nisur të gatuhet një projekt tjetër kundër simboleve të kësaj lufte! 


Për çfarë bëhet fjalë? Çfarë skenari tjetër djallëzor e anti-kombëtar, po tentojnë të realizojnë “birbot” e pushtetit ngjyrë… mavri, kundër vlerave të LANÇ?! Burime konfidenciale tepër të sigurta nga brenda “grupit të punës” që ka hartuar këtë projekt, njoftuan gazetën “Telegraf” se një ekip i “afërt” i besuar i kryeministrit i përbërë nga arkitektë, filozofë, biznesmenë, ministra, koncesionarë e deputetë të bashkuar në një interes të përbashkët, kanë menduar të nisin një “ofensivë” shkatërruese kundër simbolit kombëtar të Heronjve e Dëshmorëve të LANÇ. Nuk është fjala për lapidarët, pllakat përkujtimore, apo emrat e rrugëve e institucioneve që kishin emra heronjsh e u hoqën, se ato edhe prej Rilindjes janë hequr e po zëvendësohen me emra, me lapidarë, me buste e statuja tradhtarësh të kombit dhe ish-kolaboracionistësh të nazi-fashizmit. Por është fjala për një turp, për një krim historik kombëtar, për një pabesi e tradhti që hedh baltë mbi vlerat e luftës dhe gjakun e heronjve e dëshmorëve të LANÇ! Sipas informacionit, kupola e “rilindjes” po harton një skenar për të transferuar “Varrezat e Dëshmorëve të Kombit”, duke i hequr nga vendi ku ato janë ndërtuar e ndrisin plotë lavdi prej afro 6 dekadash! Sipas projektit “sekret”, këto varreza do të shkulen nga kodra e gjelbëruar mbi Tiranë dhe është menduar të “ngulen” në periferi të Tiranës, pranë ish-Uzinës së Tankeve në Babrru! Tashmë janë gati të 3 projektet: Projekti i turpshëm i shkuljes së “Varrezave të Dëshmorëve të Kombit” nga kodra ku janë, projekti i denigrimit të tyre me vendosjen në sheshin e ish-Uzinës së Tankeve skrap në Babru dhe projekti i interesave të mafies që do të ndërtoj vila e biznese mbi Varrezat e Dëshmorëve të LANÇ! Ende nuk ka një datë, se kur do të bëhet vendim qeverie e se kur do të zbatohet ky turp kombëtar dhe krim shtetëror që rivret dëshmorët e LANÇ edhe pas mëse 72 vitesh, që ata janë vrarë nga nazi-fashistët dhe veglat e tyre Balli, Legaliteti dhe bashkëpunëtorët e tyre anti-shqiptarë. Por sipas këtij projekti, 5 Maji 2016 e 2017 do të jenë dy 5 Maj-ët e fundit që veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe shqiptarët do të bëjnë homazhe në këto varreza ku prehen bijat dhe bijtë e rënë në luftën për çlirimin e atdheut.

 Sepse sipas skenarit që po përgatit Rilindja, deri në 5 majin 2017 këto varreza nuk do të prekn, ndërsa pas 5 Majit 2017, pra pas zgjedhjeve të këtij viti, dëshmorët e LANÇ dhe gjithë dëshmorët e Atdheut që prehen nën simbolin “Nënë Shqipëri” në kodrën e gjelbëruar e plotë lule të Saukut mbi Tiranë, do shkulen e do të vendosen në një fushë tankesh skrapi në Babru! Përse? Sipas burimeve të “Telegraf”, ky transferim i varrezave të Dëshmorëve të Kombit, do të bëhet i maskuar pas gjoja një “Projekti modern zhvillimi urban, social, ekonomik, kulturor e natyral që lidh në projekte urbane multi-funksionale si një vijë vazhdimësie zonën e Varrezave të Dëshmorëve, Pallatin e Brigadave dhe Kodrat e Liqenit deri tek Garda e Republikës, etiketuar si “Zona e Gjeneratës së Re, të Tiranës së Madhe”! Kështu do të thuhet, por nuk do të ndodh siç do thuhet, si në çdo rast tjetër! Në fakt, kodra e “Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut” do të “çlirohet” prej dëshmorëve të LANÇ dhe do të “pushtohet” nga ndërtimet vila e biznese të atyre që kanë marrë e po mbajnë peng Shqipërinë! Skenari për të çuar “Varrezat e Dëshmorëve” në Babru, ka këtë synim: kodra do të bëhet “Lagje offshorësh” e shtetarëve shqiptarë dhe mafies ekonomike-financiare, duke krijuar kështu një resort të ri oligarkësh të bashkuar të çdo ngjyre pa dallim e në mirëkuptim! Ata që po bëjnë këtë turp kundër varrezave të dëshmorëve të LANÇ, janë ata të cilët pasi e kanë tjetërsuar Tiranën në “geto” të helmatisur e të zhurmshme me beton-bizneset e tyre, po ndërtojnë luksin në kodrat e saj! Në vijim të kësaj babëzie të shfrenuar, duket se i erdhi radha edhe “ruspës” mbi varrezat e dëshmorëve të LANÇ në Tiranë, të cilat nga simbol krenarie kombëtare, do të kthehen në simbol të babëzisë së mohuesve, përdhosësve, shkatërruesve e zhdukësve të vlerave dhe historisë kombëtare, të cilët pas heqjes së dekoratave të LANÇ, synojnë të shkulin e varrezën e dëshmorëve dhe heronjëve të kësaj lufte, për ta kthyer në pasuri të tyre e të pasardhësve të tyre! 
————————— 
Ja denoncimi i bërë nga gazeta “Telegraf”, në datën 22 mars 2016 

Qeveria, skenar për të zhdukur Organizatën e Veteranëve të LANÇ
“Sipas një reagimi të dërguar dje në redaksinë e gazetës “Telegraf” nga Komiteti Kombëtar i LANÇ, njoftohet një skandal i turpshëm që mendohet të bëhet nga kryeministri dhe kreu i PSSH, për të shkrirë ose më saktë për të zhdukur Organizatën e Veteranëve të LANÇ, duke sajuar një gjoja “riorganizim” të konceptit dhe strukturës së Statusit të Veteranit e të Organizatës së Veteranëve. Çfarë ka shpikur mendja e kryeministrit dhe e kreut të PSSH? Sipas skenarit të Lleshit të qeverisë, në këtë “kolektivizim” do të bëjnë pjesë veteranët e LANÇ, ballistët, zogistët dhe gjithë llojet e kolaboracionistëve me nazi-fashizmin. Çdo të thotë, të bëhet realitet kjo ide çmendarake anti-histori e anti-kombëtare që ndot e mohon gjakun e derdhur nga 28 mijë bijë e bija që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Çdo të thotë ky turp që denigron dhe baltos luftën që bënë partizanët, sakrifica e të cilëve mëshirohet me dinjitet e kontribute kombëtare nëpërmjet Organizatës së Veteranëve të LANÇ që janë gjallë dhe të familjarëve të atyre që nuk jetojnë më! Të shkrish në një organizatë, të bashkosh e të barazosh atdhetarinë dhe tradhtinë kombëtare në një grupim. Do të thotë, që bashkosh e të barazosh ata që derdhën gjak për lirinë e atdheut me ata që e kaluan periudhën e luftës duke ngrënë petulla, pilaf e pula dhe duke spiunuar e derdhur plumba mbi partizanët. Sipas mendjes së këshilltarit Lleshi, duke uruar të mos jetë vërtetë “mendje e kryeministrit” siç thotë ai, nëse ky projekt trupi do të bëhet vendim qeverie, do të thotë që në këtë shoqatë të bëhen bashkë ata që hëngrën barut në beteja me pushtuesin e tradhtarët, me ata që i kaluan vitet luftës nëpër restorante e rezidenca fashistësh duke pirë uiski të llojit “Duçe-Hitler”. Në këtë shoqatë të llojit “Mukje”, që Lleshi i kryeministrit kërkon ta quaj Shoqatë Veteranësh të Luftës, do të bashkoj ata që i dolën ZOT çlirimit të vendit dhe përballjes me pushtuesin, me ata që në 7 prill 1939 firmosën pushtimin, vodhën floririn, lanë popullin pa armë e ia mbathën nga sytë këmbët me veturat që u kishte bërë dhuratë Hitleri e Duçja”.
——————————– 
Denoncimi i bërë nga gazeta “Telegraf”, në datën 27 nëntor 2015
“Qeveria, vendim që përjashton veteranët e luftës nga ceremonia zyrtare e 28-29 Nëntorit”
Sipas Nenit nr. 6, të VKM Nr. 542 , datë 12. 08. 2004 “Për Statusin e Ushtarakut”, u njihet ligjërisht e drejta për të marrë pjesë në protokollin e ceremonive zyrtare përkujtimore. Po kështu në nenet e tjerë të këtij vendimi, ata gëzojnë edhe të drejta të tjera financiare, mbrojtjeje fizike, vlerësimi moral e institucional. Ndërsa me VKM Nr. 933, datë 18. 11. 2015, miratuar në datën 26 nëntor 2015, u hiqet e drejta e pjesëmarrjes në ceremonitë përkujtimore zyrtare, por edhe të drejtat e tjera që parashikon VKM Nr. 542, tashmë e shfuqizuar. Ata që bënë luftën, ata që kanë bijtë e tyre në varrezat e dëshmorëve të luftës, në këtë 28-29 nëntor e në vazhdim, nuk do të jenë në përkujtimin e tyre dhe të datave historike të luftës që bënë, mbasi i ndalon shteti me vendimin zyrtar, që fakt e ka miratuar për të ndaluar prezencën e fotografive të Enver Hoxhës në këto ceremoni përkujtimore, duke i bërë ushtarakët madhor dhe veteranët e luftës, “viktimë” të falsitetit të luftës së tyre gjoja “antikomuniste”, mbasi në fakt pozitë-opozitë janë partnerë “mirëkuptues”. 
Ja VKM Nr. 933, datë 18. 11. 2015, futur në fuqi më 26 nëntor 2015, që përjashton nga ceremonitë zyrtare ish-ushtarakët madhorë dhe veteranët e luftës
PËR SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR. 542, DATË 12.8.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR STATUSIN E USHTARAKUT ME GRADË MADHORE TË FORCAVE TË ARMATOSURA PAS DALJES NË LIRIM” 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 121, pika 1, e 124, pika 1, të ligjit nr. 8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 
1. Shfuqizimin e Vendimit Nr. 542, datë 12.8.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për statusin e ushtarakut me gradë madhore të Forcave të Armatosura pas daljes në lirim”. 
KRYEMINISTRI 
Edi Rama
Sigal